Kulturë

Kjo gjuhë e saktë, e ftohtë, e drejtpërdrejtë

Në 70-vjetorin e lindjes së Herta Müller, nobeliste e letërsisë, gjermane nga Rumunia, e dëmtuar nga shërbimi sekret rumun, kritike e ashpër e nacionalizmit serbomadh dhe mbrojtëse e intervenimit të NATO-s kundër Serbisë më 1999.

Herta Müller u lind më 17 gusht 1953 në trevën e Banatit, e cila shtrihet pjesërisht në Rumani, pjesërisht në Serbi. Ajo rrjedh nga fshati Nitzydorf të Rumanisë dhe u rrit në një familje që i përket pakicës gjermane. E vetëkuptueshme që kjo pakicë ka ruajtur gjuhën gjermane. Në shtëpinë e familjes Müller flitej gjermanisht.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore jo pak pjesëtarë të pakicës gjermane iu bashkuan forcave naziste, mendonin se me Adolf Hitlerin do pushtonin botën, njëri nga ta ishte i ati i Herta Müller. Biografia dhe historia e familjes kanë luajtur rol në formësimin intelektual të Herta Müller. Romani i saj i parë “Teposhtë” (përkthyer në shqip nga Ana Kove) është një kronikë katundi me të gjitha elementet e zymtësisë nën diktaturën komuniste rumune. “Kafsha e zemrës”, një roman tjetër i Herta Müller, përshkruan me tone të prozës poetike jetën e 4 të rinjve në diktaturën e Nikollai Çausheskut. Këto dhe romane të tjera të saj e bindën jurinë e Nobelit që Herta Müllerin ta nderojë më 2009 me çmimin më të rëndësishëm në botë për letërsi.

Herta Müller është shkrimtare kryengritëse kundër sistemit totalitar komunist dhe çdo diktature. Pas studimeve ajo punoi si përkthyese në një fabrikë për përpunimin e metalit. Shërbimi sekret rumun, famëkeqi Securitate, i bëri presion për të bashkëpunuar, gjë që Müller e refuzoi me këmbëngulje. Këtu fillon faza më e tmerrshme e jetës së saj: agjentët e shërbimit sekret e përcollën hap pas hapi, ia bastisën banesën pa dijen e saj, e kërcënuan. Por edhe Müller i kërcënoi agjentët: më parë do vriste veten se do të bashkëpunonte me një bandë gangsterësh komunistë.

Më 1987 ajo, më në fund, u lejua të emigrojë në Gjermani, bashkë me bashkëshortin e saj të atëhershëm Richard Wagner. Në kushtet e lirisë në botën perëndimore Müller mbeti e përkushtuar në betejën e saj për demaskimin e xhelatëve komunistë. Kur më 1999 NATO bombardoi Serbinë si ndëshkim për krimet masive në Kosovë, Herta Müller ishte ndër intelektualet dhe shkrimtaret më të zëshme në favor të lirisë së Kosovës. Për dallim nga disa intelektualë perëndimorë, të cilët mbanin qëndrim “të balancuar” ndaj plojës së Serbisë në Kosovë, Müller, e dëmtuar nga diktatura rumune, e njihte shumë mirë natyrën perverse të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Kishte intelektualë kinse majtistë në Perëndim që Millosheviqin e shihnin si socialist që kundërshtonte kapitalizmin, globalizimin dhe dominimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë. Müller ishte në anën e drejtë të historisë. Ajo e njihte nga afër Serbinë, e cila gjendej afër fshatit gjermano-rumun ku ishte lindur.

Më 2017 Müller u ftua në Beograd si mysafire nderi e Panairit të Letërsisë. Me atë rast në teatrin jugosllav (Jugoslavensko dramsko pozorište) u organizua prezantimi i autores dhe një debat. Çfarë ishte paralajmëruar si mbrëmje festive, përfundoi si mbrëmje ku Müller ia mbajti përpara opinionit serb një pasqyrë për të shikuar krimet e së kaluarës. Ndoshta një pjesë e opinionit serb priste që Müller, e nderuar nga ftesa në Beograd, do të pendohej që më 1999 e kishte përkrahur intervenimin e NATO-s. Ndodhi e kundërta: Müller jo vetëm që i mbrojti qëndrimet e saj më 1999 në favor të lirisë së shqiptarëve të Kosovës, por ia tha publikut serb qartë se serbët vetë i kanë shkaktuar vuajtje vetes dhe duhet të jetojnë më këtë, pra me turpin e së kaluarës. Zemërimi në qarqet nacionaliste qe i madh jo vetëm në sallën e teatrit jugosllav.

Gazeta “Politika”, e cila është proqeveritare dhe zëdhënëse e nacionalizimit serb që nga themelimi më 1904, botoi një shkrim me këtë titull: “Nobelistja keqpërdori mikpritjen e beogradasve”. “Srpski Telegraf” shkoi një hap më tutje dhe e ofendoi shkrimtaren si “fundërrinë”. “Kurir”, një gazetë nga ultësirat e kanalizimit mediatik të Serbisë, iu drejtua popullit lexues me këtë titull: “E bija e një oficeri nazist pështyn Kishën Ortodokse Serbe dhe serbët”. Më shumë s’ia vlen të citohet nga kazani medial i Beogradit.

Por ia vlen, gjithsesi, të citohet nga intervistat, deklaratat, esetë e Herta Müller mbi konfliktin në Jugosllavi. “Kujt i duhet pacifizmi që thekson se është kundër çdo lufte kur lufta shpërthen?” Më 1999, pasi në Serbi ranë bombat e para të NATO-s, ajo në lidhje me politikat e Millosheviqit deklaroi: “Ai që brenda nëntë viteve shkakton katër luftëra, ai që në mënyrë aq pragmatike hap varre siç ndërtojnë të tjerët rrugë, ai që është aq i mësuar me vrasje siç pinë të tjerët një gotë ujë, ai nuk merr vesh me fjalë”.

Në paraqitjen e saj në teatrin jugosllav Müller tha: “Kur shohim gratë nga Srebrenica, mua më këputet zemra”. Pas këtyre fjalëve pjesëmarrësit e parë nisën të largohen nga salla, siç ka raportuar më 2017 gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Atëbotë Müller kritikoi edhe Vlladimir Putinin, duke e quajtur luftënxitës dhe bandit. Me fjalët e saj të guximshme Herta Müller më 2017 prishi qetësinë e shumë serbëve të rehatuar në rolin e viktimave. Prej se Rusia ka sulmuar Ukrainën Müller është po aq e zëshme kundër Putinit sa dikur kundër Millosheviqit. Një luftëtare për të vërtetën mbetet përherë luftëtare. Sot Herta Müller mbush 70 vjet.