Kulturë

Kisha e Shën Mërisë – mrekullia shqiptare e një mijë vjetëve

Me një histori prej gati një mijë vjetësh, Kisha e Shën Mërisë, në krahinën e Dropullit, është posi një thesar me karakteristikat e saj arkitektonike. Restaurimi e ka kthyer në “jetë” këtë kishë, e cila për shumë vite kishte qenë si strehëz për ata që kapërcenin ilegalisht kufirin

Qetësia e saj vetmitare ia shton edhe më hijeshinë kishës së Shën Mërisë. Me një histori që kthehet pas në kohë që në shekullin XI, kjo “stoli” e trashëgimisë ortodokse shqiptare është ngjallur sërishmi nëpërmjet procesit të restaurimit.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, të enjten ka vizituar edhe kishën e vjetër në Peshkëpi të Sipërme në krahinën e Dropullit.

Ai, me këtë rast, është shoqëruar nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka folur për hollësitë e restaurimit.

“Është një nga kishat më të vjetra në rajon”, ka thënë ajo.

E përfshirë në mbrojtjen e shtetit qysh më 1963 si monument i kategorisë së parë, kjo kishë dropullite për dekada të tëra ishte gjysmë e rrënuar.

Kishte shërbyer si strehë për ata që kapërcenin ilegalisht kufirin.

Duke folur për restaurimin, Kumbaro ka përmendur kontributin e dhënë nga Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo.

“Kisha ishte komplet e krisur dhe u restaurua tok me ikonat murale. Për zonën dhe për të gjithë Dropullin kjo është një nga kishat më të rëndësishme”, ka shtuar ajo.

Ndryshe, Kisha e Shën Mërisë në Peshkëpi të Sipërme ndodhet rreth 1 kilometër jashtë fshatit. Sipas ekspertëve, kisha në fjalë është e tipit kryq me kupolë të brendashkruar. Ndërtimi i saj datohet mes fundit të shekullit XI dhe fillimit të shekullit XII.

E gjatë ditës, kreu i Qeverisë shqiptare ka vizituar edhe zonën historike të qytetit të Gjirokastrës.

Në videon e afishuar në faqen e tij zyrtare në “Facebook” për këtë vizitë, ai ka thënë se tani çdo muaj po hapen dyer të tjera, po restaurohen shkallë të brendshme dhe shndërrohen shtëpi të vjetra në biznese të vogla dhe bujtina fantastike.

“Para 7 vjetësh Gjirokastra kishte vetëm një hotel, ndërsa sot pas operacioneve të Rilindjes Urbane dhe falë energjisë së re që ato çliruan, janë me dhjetëra hotele që vetëm shtohen ngado”, ka shkruar kryeministri Rama.