Kulturë

“Kino Kosova” në Cyrih: Një mbrëmje madhështore e kulturës dhe krenarisë

Festivali i filmit Kino Kosova në Cyrih

Një film amerikan për Kosovën e pasluftës dhe shumë muzikë cilësore: Në Cyrih është hapur edicioni i radhës i festivalit të filmit “Kino Kosova”.

U hap të enjten në mbrëmje në kinemanë Riffraff në Cyrih “Kino Kosova”, një festival i filmave të prodhimit kosovar apo me tematikë kosovare. Organizatorët Ilir Hasanaj e Sabahet Meta sërish - si viteve të shkuara - inauguruan një urë të re kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës. Deri të dielën do të shfaqen filma të ndryshëm, shumica me tematikë kosovare. Programin e gjeni këtu: www.kinokosova.com

Pas hapjes të enjten, u shfaqën dy filma. I pari, një film i shkurtër i Trëndelina Halilit, risolli përditshmërinë e dy vajzave nga Prishtina në vitin 2002. Një film me humor të mençur. Filmi tjetër me titullin “A Normal Life” i regjisorëve amerikanë Elizabeth Chai Vasarhelyi dhe Hugo Berkeley e ktheu publikun në vitet e para të pasluftës në Kosovë. Një dokumentar fantastik mbi një kohë që tani duket surrealiste.

Atëbotë disa rindërtonin shtëpitë e djegura, të tjerët mendonin për ndërtimin e demokracisë. Dhe në mes të ngjarjeve gazetarët e “Kohës Ditore” Garentina Kraja, Nebi Qena, Ylber Bajraktari, Linda Gusia, Fisnik Abrashi dhe të tjerë. Të gjithë duken si tinejxherë, fëmijë të luftës, disa janë tinejxherë (të asokohshëm), por punët që kryejnë janë thellësisht serioze: informimi i publikut në rrethana të vështira, kur beteja për pushtet në Kosovën e çliruar kishte pasoja edhe vdekjeprurëse. Po aq sa surrealiste koha që përshkruan filmi, është edhe karriera e të përmendurve. Njëri nga ta (Ylber Bajraktari) ka shërbyer 13 vjet në Pentagon, në Ministrinë e Mbrojtjes e SHBA-së, në poste shumë të rëndësishme. Nebi Qena e Fisnik Abrashi vazhdojnë të bëjnë karriera të respektueshme në agjencinë globale të lajmeve “Associated Press”. Garentina Kraja tani vëzhgon zhvillimet në botë nga zyrat e seksionit shqip të “Zërit të Amerikës” në Uashington. Linda Gusia është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Krahas tyre, në film defilojnë edhe figura politike që më vonë u bënë simbole të shtetndërtimit dhe, pastaj, fatkeqësisht, pjesërisht edhe bartës të fenomeneve shtetdëmtuese.

Agona Shporta (këngëtare) dhe Tringa Sadiku (kitariste) me interpretimin mahnitës të këngëve popullore shqiptare e rikthyen publikun e Cyrihut në Kosovën e re: Një shtet me ndoshta 1001 vështirësi, por më së paku 1002 talente që e mbajnë gjallë anën e ndritshme të kulturës kosovare. Nexhmije Pagarusha do të ishte krenare me Agona Shportën (aktualisht në studime masteri në Institutin Catalyst në Berlin) dhe Tringa Sadikun (aktualisht studente në Universitetin e Grazit).

Qe, pra, kështu disi rrodhi historia e Kosovës në çerekshekullin e fundit - me shumë gjak viktimash të luftës, me shumë përpjekje për ringjallje si feniksi nga hiri dhe në fund, për shembull, me një mbrëmje në Cyrih që na mbush me optimizëm për të ardhmen e republikës territorialisht të vogël dhe shpirtërisht aq të madhe!

Dhe çfarë mbetet në kujtesë nga kjo mbrëmje? Filmat, po se po, edhe këngët, gjithsesi. Tjetër? Fëmijët (që s’janë më fëmijë), pra fëmijët e mërgimtarëve, që me shokët e shoqet e tyre zviceranë vijnë në kinema për të parë një Kosovë tjetër, për të zbuluar një Kosovë tjetër. Ndonjërit mund t’i kujtohet baba ose nana në orën 05:00 të mëngjesit në vitin 1989 dhe urdhri: Çohu! Hajde, se po nisemi për në Gjenevë! Protestë para selisë së Kombeve të Bashkuara. Protesta u bë luftë për liri. Dhe kjo liri për shqiptarët e Cyrihut lidhet përjetësisht me emrin e Agim Ramadanit, i cili në vitet e ‘90-ta drejtoi Qendrën Kulturore Shqiptare në Cyrih. Pjesa tjetër dihet… Të enjten shpirti e trashëgimia e Agim Ramadanit ishin të pranishme si është më së miri në kinemanë Riffraff në Cyrih.

Qendra Kulturore Shqiptare që e drejtonte Agim Ramadani gjendej në periferi të Cyrihut. Shtatdrejtë dilte para masës, thoshte fjalët që duhej thënë dhe pastaj e luste Azem Shkrelin të recitonte disa poezi nga vëllimi “Lirikë me shi”. Pas tij në skenë dilte poeti pehlivan Ali Podrimja. Kështu ishte dikur. Një çerekshekull më vonë fryma e Agim Ramadanit është e pranishme jo në periferi, por në zemër të Cyrihut. Pa bujë, pa fjalë boshe, pa pompozitet. Kur mbrëmja mbaroi, nisi të rigonte shi. “Kur bie shi, poezitë qëndrojnë në radhë për t’u recituar”, shkruante poetja amerikane Sylvia Plath.