Me “Përsiatje”, festivali i filmit “Kino Kosova”, publikun në Bernë synon ta fusë në mendime e reflektim të thellë mbi të kaluarën. Lufta është në fokus të kësaj narrative. Duke eksploruar botën e filmit, prezantohen dhe fuqia e roli i festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Festivali me nam i Filmit në Sarajevë është mysafir i edicionit të pestë me të cilin do të shqyrtohen të përbashkëtat e vendit dhe të kinematografisë së Bosnjës me Kosovën.
Nga 11 deri 15 shtator, festivali i filmit flet shqip në kryeqytetin zviceran. Por programi i tij shtrihet përtej. Pos shfaqjes së filmave, panele diskutimi e koncerte e ndërtojnë pesëditëshin e edicionit të pestë të “Kino Kosova”.
Tema “Përsiatje” ndërlidhet me gjendjen në botë sot, ku në dy anë të botës lufta është aktive. Siç edhe bëhet e ditur nga festivali, ai synon të nxisë ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin, duke promovuar unitetin në një botë të ndarë.
Duke u ndërlidhur me temën e sivjetme, drejtori i festivalit, Sabahet Meta, ka thënë se ka të bëjë me imazhin e shqiptarëve në Zvicër, stereotipat dhe arsyet e migrimit.
“Unë personalisht kur kam ardhur tek ideja për temën ‘Përsiatje’, është një imazh dhe një stereotip për Kosovën në Zvicër. Është një klishe që i duhet popullatës dhe komuniteteve. U duhet kjo dozë e klishesë që ndërlidhet me vitet ’90 ku kanë ardhur shumica si refugjatë, apo si të përndjekur nga sistemi politik. Është edhe imazhi i mëhershëm si punëtor krahu, por i luftës”, ka thënë Meta në një përgjigje për KOHËN.
Festivali bashkëpunon me Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe Shoqatën e Kineastëve në Bosnjë-Hercegovinë. Në program përfshihet edhe një program i veçantë me filma të shkurtër zviceranë si rrjedhojë e bashkëpunimit me festivalin e filmit të shkurtër “Kurzfilmtage Winterthur”.
Filmi i shkurtë “A short trip” nga Erenik Beqiri, “And the Wind Weeps” nga Aulona Selmani, filmi dokumentar “Afterëar” nga Birgitte Staermose, “Hana e re” nga Jehona Berisha, “Bota jonë” nga Luana Bajrami, janë vetëm disa nga filmat që do të shfaqen në festival. Aty janë edhe filmat: “Heshtja e sirenave” i Gazmend Nelës, “The future is better comrade” i Blerta Haziraj, Nostromo” i Fisnik Maxville.
Shtatë filma janë në programin “Close-up: Bosnia and Herzegovina” me filma nga Sarajeva.
Nga “Kino Kosova” është bërë e ditur se këta filma janë kuruar nga Elma Tataragiq nga Festivali i Filmit në Sarajevë. Aty thuhet se kjo përzgjedhje “ofron një dritare në realitetin kompleks të vendit, duke trajtuar tema të tilla si përdhunime gjatë luftës, mosha madhore, rolet gjinore dhe betejat për të mbijetuar në kushte të vështira ekonomike”.
Në programin “Revealing Memories” do të eksplorohen edhe kujtimet nga Kosova midis të tjerash. Pesë filma janë në këtë program. Gjithsej 31 filma do të ndezin ekranin e “Kino Kosova”.
Programi special sjell edhe filma të shkurtër nga Zvicra.
“Për të festuar 5-vjetorin tonë do të kemi edhe dy shfaqje speciale të filmave të shkurtër zviceranë, të kuruar nga John Canciani, drejtor artistik i Festivalit të Filmit të Shkurtër në Winterthur. Këto shfaqje synojnë të rrisin shkëmbimin ndërkulturor ndërmjet artistëve nga Kosova, Zvicra dhe Bosnjë-Hercegovina, duke theksuar fuqinë transformuese të filmave të shkurtër”, shkruhet në njoftimin e festivalit “Kino Kosova”.
Panelet e diskutimit janë tjetër segment i festivalit. Një prej temave do të jetë “Fuqia e transformimit të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës”. Panelistë do të jenë edhe kineastë e drejtues të Festivalit të Filmit në Sarajevë, të themeluar më 1995, gjatë rrethimit të Sarajevës.
“Diskutimet në panel, njëra prej temave do të jetë ku do të diskutojmë me artistë nga Bosnja dhe pjesëtarët e Festivalit të Filmit në Sarajevë se si i janë qasur festivalet periudhës së pasluftës. Në plan ka qenë të marrë pjesë edhe drejtori artistik Veton Nurkollari për ‘DokuFestin’ që ka nisur menjëherë pas luftës. Në anën tjetër Festivali i Filmit në Sarajevë ka filluar në vitin 1995, kur lufta ekzistonte akoma. Kjo ngjarje tregon për temat që kanë sjellë dhe si i janë qasur kësaj periudhe, çfarë hapësirash kanë krijuar e kush ka marrë pjesë”, ka thënë drejtori i festivalit “Kino Kosova”, Sabahet Meta.
Lidhshmëria midis Kosovës e Bosnje-Hercegovinës do të jetë temë më vete e panelit duke marrë parasysh gjendjen në vendet përkatëse në vitet ’90.
“Pasi është Bosnjë-Hercegovina nuk kam dashur ta theksoj direkt imazhin e dy vendeve që e kanë përvojën e përbashkët të luftës dhe që akoma janë në proces transicioni. Në botë nuk ka paqe akoma, për atë arsye pse po përsëritet kjo përvojë që e kemi pasur, pse ekziston akoma dhe thjesht të mos e cekim direkt, por të jetë një titull filozofik që e detyron audiencën të reflektojë dhe të pyesë pse po ndodh akoma”, ka thënë Meta derisa e ka konsideruar të pashmangshme zbërthimin e temës së luftës edhe nëpërmjet filmave që shfaqen në programin e festivalit.
Aty do të shfaqin punët e tyre edhe dy artistet nga Kosova: Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore “Progr” në Bernë. Do të shfaqin ekspozitën e tyre “Knoën/Unknoën Worlds”. Muzika në festival jehon me kantautotoren Linda Rukaj dhe kuartetin e saj.
Më shumë se festival filmi, ngjarja përshkruhet se shërben si platformë për nxitjen e lidhjes së veçantë midis Zvicrës dhe Kosovës. Ai synon të trajtojë aspekte të ndryshme në shoqëritë kosovare dhe evropiane, duke përfshirë tema si migracioni, gjinia, vizat dhe ligjet, shpresat dhe betejat.
“Ky edicion u dedikohet filmbërësve të patrembur dhe që shtyjnë kufijtë nga skena e filmit të pavarur, duke treguar një përzgjedhje të zgjedhur me dorë të filmave që provokojnë mendime dhe vizualisht mahnitës që të gjithë kanë gjetur një mënyrë shumë unike dhe novatore për të treguar historitë e tyre. Vizitorët mund të presin me padurim diskutime emocionuese pasuese me prodhuesit e filmave dhe aktorët, si dhe veprimtaritë ekskluzive dhe koncertet”, shkruhet në prezantimin e festivalit “Kino Kosova”.