Kulturë

Kinematografia mban ritmin me 5 projekte për filma të gjatë

Ani pse viti 2022 nuk qe aq i bujshëm me premiera e çmime në festivale prestigjioze si një vit më herët, për nga aspekti i prodhimtarisë, Qendra Kinematografike së paku në numra e vazhdon ritmin. Prej buxhetit të sivjetmë do të përkrahen 5 projekte për filma të gjatë, e në total janë 26 projekte. Jashtë listës ka edhe emra regjisorësh të njohur

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri ka shkuar në 26. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e ka mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik. Sikurse më 2021, edhe më 2022 janë përkrahur nga pesë projekte. Për vitin 2022, buxheti i QKK-së për subvencione ka qenë 1.5 milionë euro. Po aq janë ndarë edhe sivjet.

Në nëntë kategori QKK-ja kishte kualifikuar 51 projekte si të plota e që do të shqyrtoheshin nga juritë.

Synimet e institucionit që për më shumë se një vit është pa drejtor janë që numri i projekteve që përkrahen të rritet në vazhdimësi.

“Hatixhe and Shaban a story of money and shame” me producent Eshref Durmishin dhe regjisor e skenarist Visar Morinën, “Jerëm” me skenar e regji të Ismet Sijarinës, “Pilivesa” nën regji e me skenar të Dren Zherkës, “Azil” nën regji të Jeton Ahmetajt e skenar të Jeton Nezirajt dhe “Me fjalë të tjera” me skenar e regji të Valbona Jasharit, janë projektet për filma të gjatë artistikë që janë përzgjedhur për t’u përkrahur. Ndër emrat e njohur projektet e të cilëve kanë mbetur jashtë listës janë: projekti i Isë Qosjes, “Na ishte një herë e sotmja”, ai i Agim Sopit, “Era” dhe Ekrem Kryeziut që ka synuar të gjejë përkrahje për pjesën e tretë të “Dashurisë së Bjeshkëve të Nemuna”.

Projektet për metrazh të gjatë sikurse edhe projektet debutuese e ato për kooproduksione minore u vlerësuan nga juria në përbërje të regjisorëve Kaltrina Krasniqi, Norika Sefa, Kushtrim Bekteshi, Erenik Beqiri, Kryeprogramerin e Festivalit të Venecias, Paolo Berton, drejtorin artistik të “DokuFest”, Veton Nurkollarin, e poetin nga Maqedonia e Veriut, Ilir Ajdini.

QKK-ja do të përkrahë 7 projekte për filma të metrazhit të shkurtër artistik. Listës i prin “My godfather sent me an iphone” me skenar e regji të Samir Karahodës. Në këtë kategori do të përkrahen edhe projektet “Keep going” nën regji të Valmira Hysenit, e cila është bashkëskenariste me Zgjim Terziqin, “Intervista” nën regji e me skenar të Andamion Muratit, “Greed” me skenar e regji të Salma al Dehaybit, “Buka dhe turpi” nën regji të Ben Apollonit e skenar të Ag Apollonit, “Once upon a midnight” me skenar e regji të Hana Bucalijas dhe “Ni rrugdalje” me skenar e regji të Lum Radoniqit. Këto projekte janë vlerësuar nga regjisorët Edon Rizvanolli, Blerta Zeqiri, Ilir Hasanaj, Gazmend Bajri dhe aktori Armend Baloku, drejtoresha e “Anibar”, Arba Hatashi, e shkrimtari Astrit Bytyqi.

Zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, ka thënë se aktualisht është publikuar vetëm lista e projekteve fituese, për shkak se konkursi është mbajtur në fund të vitit me shpresën e alokimit shtesë ose rritjes së buxhetit.

”Kështu edhe vlerësimet e jurisë dhe vendimet pasuese të Këshillit janë marrë në fund të dhjetorit. Pas vendimeve është faza e ankesave të cilat drejtohen te QKK-ja, pastaj edhe 8 ditë të tjera afati për ankesë në instancën me të lartë në MKRS. Shumat e subvencioneve do të publikohen pas shqyrtimit të ankesave nga komisioni i MKRS-se”, ka thënë Çitaku.

Regjisori Jeton Ahmetaj, i cili do të jetë regjisor i filmit “Azil” që është mbështetur nga QKK-ja, ka thënë se meqenëse buxheti ka qenë më i lartë sesa viteve paraprake, edhe përkrahja financiare ka rezultuar të jetë më e madhe.

“Ne si kompani filmike dhe filmbërës, normalisht që jemi të kënaqur me përzgjedhjet e këtij viti, meqë projekti ynë ‘Asylum’ ka gjetur mbështetjen e jurisë profesionale”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të QKK-së dhe të Ministrisë së Kulturës gjatë vitit 2022 janë përfunduar gjithsej 15 projekte filmike dhe janë dorëzuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Këto projekte janë 4 të metrazhit të gjatë artistik, 3 të metrazhit të shkurtër, 3 dokumentarë, 4 kooproduksione minore dhe 1 post-produksion.

“Vlera totale e mbështetjes së këtyre projekteve nga Ministria e Kulturës është 902 mijë e 250 euro”, ka njoftuar Ministria e Kulturës.

Por ky institucion nuk po ia mësyn fare që ta bëjë QKK-në me drejtor. Praktikisht, prej korrikut të vitit 2021 kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të vitit 2021 Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij. Prej atëherë Ministria e Kulturës nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë.

Për një pjesë të kinematografëve, MKRS-ja është dashur të veprojë në këtë drejtim deri më tash. E institucioni më i lartë kulturor në vend deklarativisht kishte thënë se janë duke “fiksuar të gjitha detajet përmbajtjesore” për një procedurë të re rekrutimi.

Për dallim të disa institucioneve të tjera ku MKRS-ja e kishte vështirë të “gjente” udhëheqës ekzekutiv, për QKK-në as që ka provuar për më shumë se një vit. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, disa herë publikisht kishte thënë se janë duke pritur që të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për kinematografinë. Projektligji është miratuar në Qeveri në dhjetor të vitit të kaluar. Me gjithë kundërshtimet, pritet që të merret në shqyrtim nga Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, inovacion, kulturë, rini dhe sport.