Janë ditët e para të janarit dhe filmat nga Kosova veç kanë nisur që të mbushin agjendat e tyre për këtë vit. Tre filma janë pjesë e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Filmit në Trieste. “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës janë në garë për filmin më të mirë të gjatë, kurse “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, shkon si mysafire nderi
I themeluar natën e rënies se Murit të Berlinit, Festivali i Filmit në Trieste është një nga ngjarjet kryesore italiane që i dedikohet kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore. Për më shumë se 30 vjet në fokus ka promovimin e kinemasë dhe të vendeve e regjisorëve që shpesh janë më pak të njohur për Italinë dhe për audiencën perëndimore në përgjithësi. Këtë vit, ky festival do të ketë një pasqyrë goxha të qartë edhe të kinematografisë së Kosovës.
Në edicionin e 33-të, që mbahet prej 21 deri më 30 janar, do të shfaqen tre filma nga Kosova. “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit dhe “Në kërkim të Venerës” nën regji të Norika Sefës janë në garë për filmin më të mirë të gjatë, kurse “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit, është jashtë gare.
Debutimi i Krasniqit në metrazh të gjatë u dha premierë botërore në shtatorin e vjetëm në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është një dramë gjysmë biografike e regjisores. I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së Krasniqit, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.
Regjisorja Kaltrina Krasniqi ka thënë se Festivali i Triestes është një nga platformat më relevante të filmit në Evropën Qendrore.
“Këtë vit është edicioni i 33-të dhe ‘Vera andrron detin’ do të shfaqet atje. Ky njëkohësisht është edhe festivali i parë me të cilin hapim vitin 2022. Unë jam ftuar dhe do të prezantoj filmin atje më 25 janar. Pas Venedikut dhe Napolit, kjo është hera e tretë që filmi shfaqet në Itali, andaj këtë herë jemi mysafire nderi”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, “Në kërkim të Venerës” me këtë festival ku edhe garon për çmim si filmi më i mirë i gjatë, jep premierën e vet italiane. Regjisorja vë në pikëpyetje se si është të rritesh në një shtëpi ku jetojnë tri gjenerata, e që për shumë kultura tingëllon si diçka e pamundur. Sidoqoftë, nga kritikët ky film i metrazhit të gjatë po shihet si rrëfim universal. Një reflektim se çfarë do të thotë të jesh adoleshent, një përmbledhje e kërkimit drejt individualitetit.
“Pothuajse një vit nga sot kemi marrë lajmin për premierën botërore në Rotterdam, qysh nga ajo ditë, secili muaj ka sjellë festivale të reja, shikues të rinj, bashkëpunëtorë e miq që kanë ndarë përshtypje të ndryshme për filmin. Kjo është premiera italiane dhe emri i filmit në italisht ‘Alla ricerca di Venera’, po tingëllon çuditshëm”, ka thënë Sefa.
Filmi bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kinematografik nga Kosova u përfshi në garën zyrtare. Vulosi edhe një sukses tjetër, kur u bë i pari që u shpërblye. Mori Çmimin special të jurisë për arritje të jashtëzakonshme artistike në kategorinë “Tiger Competition”. Pati disa suksese në festivale e këtë muaj pritet të nisë shfaqjen edhe në kinematë e vendit.
Në Itali, për herë të parë shfaqet edhe “Luaneshat e kodrës”. Festivali i Filmit në Trieste, njëlloj si për dy filmat e tjerë, është veç i pari i konfirmuar për këtë vit. Regjisoret kanë thënë se presin edhe konfirmime nga festivale të tjera prestigjioze për të vazhduar kështu edhe sagën e pjesëmarrjeve në festivale me nam.
“Prej shfaqjes së parë të filmit në Festivalin e Filmit në Cannes e deri më sot i gjithë ekipi i filmit është krenar për mikpritjen dhe kritikat e mira që ka marrë filmi në të gjitha festivalet ku është shfaqur në vende të ndryshme të botës nga Kosova deri në Kanada. Jemi të lumtur që ky rrugëtim po vazhdon me takimin e parë me publikun në Trieste të Italisë”, ka thënë regjisorja Luana Bajrami. 20-vjeçarja, e cila në Francë ku jeton e vepron njihet edhe si aktore, me “Luaneshat e kodrës” debutoi në metrazh të gjatë. Filmi pati premierën në Festivalin e Filmit në Cannes, në korrik të vitit të kaluar. Rrëfimi i gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh ishte në garë në programin paralel ”Director’s Fortnight” dhe solli ngritjen e një ylli të ri në regji. Katërshja e luaneshave deri tani ndanë bashkë dy çmime për aktoren më të mirë: atë të Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe çmimin e “PriFest-it”.
Të tre filmat e përzgjedhur nga Festivali italian janë pjesë e asaj që vitin e kaluar nisi një valë të re të kinematografisë në vend. Sukseset e tyre priten që të ndihen edhe këtë vit.