Kulturë

Kinematografia botërore sjell mesazhe në ekranin e “DokuFestit”

Festivali në mbrëmje e zhvendos publikun në ambient të hapur për të përjetuar filmat, duke e shijuar energjinë e bukurinë e qytetit

Festivali në mbrëmje e zhvendos publikun në ambient të hapur për të përjetuar filmat, duke e shijuar energjinë e bukurinë e qytetit

Një njeri me mision humanitar në rrugë, shenjat e racizmit, detyrimi për të ikur e kundërvënia ndaj kaosit janë një tjetër kapitull i temave për të cilat Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka ndezur ekranin. Bota vjen aty nëpërmjet rrëfimeve kinematografike, sikur në garën “International Shorts”. Dy prej tyre premierën botërore e patën në festivalin tanimë me nam.

Kur po shkon kah fundi i edicionit, duket se edhe audienca e festivali shkojnë duke u rritur. Ndonëse të shpërndarë në disa kinema me shfaqje filmash në të njëjtin termin, plateja e “DokuKinos” ka qenë plot. Festivali në mbrëmje e zhvendos publikun në ambient të hapur për të përjetuar filmat duke e shijuar energjinë e bukurinë e qytetit.

I pari film ka qenë “Streetlight” i regjisorit francez Romain Dumont. Ka në qendër një punonjës komunikacioni. Ai kujdeset për sigurinë e kalimtarëve. I ndalon të gjithë, pavarësisht pozitës së tyre. Jo vetëm aq. Akrobacitë e tij janë arsyeja që shumëkujt ia vesh fytyrën me buzëqeshje. Por shpesh ai nuk e merr të njëjtën energji nga njerëzit. Mirësjellja nganjëherë nuk i kthehet me të njëjtën monedhë. Ka momente kur ai vendos të dorëhiqet. Maska që mban duket si mburojë për shmangien e racizmit ndaj tij.

Pas një mbrëmjeje në grindje me veten, ai prapë e gjen veten në rrugët e Francës duke bërë të njëjtën punë. Këtë e kishte vendosur ta bënte kur një vajzë e re kishte vdekur si pasojë e goditjes nga një veturë në vendkalim. Ai është një njeri i thjeshtë që vesh jelekun fluoreshent çdo ditë dhe nis hapat e misionit të tij. Regjisori e kthen kamerën edhe nga vetja, duke i thënë që ai është një superhero.

“Unë jam nga Montreal dhe vetëm sa jam vendosur në Paris. Didier është karakteri kryesor. Fillova ta xhiroj dhe një ditë ishte shumë agresiv se pse po e filmoja dhe pastaj i tregova se puna e tij është shumë e duhur dhe shumë gazmore. Pastaj e binda ta bëjmë një dokumentar. Më pas ai humbi punën e tij dhe ne i rikrijuam skenat. Shumica e materialit janë fiktive kemi pak pamje arkivore që e kam xhiruar rrugës pa e ditur ai”, ka thënë regjisori Dumont.

Filmi 15-minutësh ka pasur premierën botërore në “DokuFest”.

Siç edhe regjisori e ka thënë në Prizren, vërehet qartë se të gjithë e duan personazhin.

“Drama kryesore ishte kur fillova ta bëj dokumentarin, shkoja çdo ditë në qoshe dhe e shihja tek bërtiste dhe vinte rregull dhe mendova se nuk është në rregull të mos e bëj film këtë. Njerëzit e duan shumë atë dhe mund ta vëreni në fund kur një grua flet me të dhe i thotë se fëmijëve të saj u mungon shumë”, ka thënë ai.

“Minus one” me regji të turkut Ömer Ferhat Özmen e shfaq personazhin në qendër të filmit të shkurtër, Enverin, duke mbledhur nënshkrime në ndërtesë për ta larguar nga aty një familje që jeton në bodrum. Duke pasur gjëra të tjera që i shqetësojnë banorët aty, absurde duket nisma e tij.

Një nënshkrim ka forcën të vendosë për jetën e dikujt. Kjo familje nuk shfaqet në film, por ajo çfarë ndodh, duket të ketë të bëjë me diskriminim ndaj tyre. Një ditë Enveri përfundon duke ngrënë darkë tek fqinjët duke e vlerësuar ushqimin më të mirë që ka shijuar ndonjëherë. Si falënderim, zonja e shtëpisë i kërkon atij të përcjellë ëmbëlsirë tek ta. Pranë derës dëgjohen biseda në gjuhën arabe. Aty zbulohet e gjithë esenca e pluhurit që Enveri kishte çuar.

Rûken Tekeş, një nga producentët e filmit ka thënë se ishte ideja të bënin një film për migrimin dhe diskriminimin.

“Kuptuam se është diskriminim tejet serioz për imigrantët sidomos për ata që janë në gjendje të ultë ekonomike. Kuptuam se ky diskriminim ne Turqi ka për bazë gjendjen financiare. Këta imigrantë që janë në shkallë më të lartë pranohen në komunitet, por të tjerët përjashtohen dhe diskriminohen. Për mua ishte interesante të përfshihem në procesin personal të dikujt tjetër si producente. Ishte eksperiencë interesante”, ka thënë ajo.

Krejt filmi xhirohet në ndërtesë. Ai zbret dhe ngjit katet në misionin e tij për ta larguar një familje nga bodrumi. Vetë vendosja e tyre aty tregon se bëhet fjalë për një familje të varfër.

“Nuk është e lehtë të bësh film në habitatin personal të njerëzve, të punosh 0në një ndërtesë u përshtat shumë mirë me këtë film ku shfaqet shoqëria dhe segmentimi i saj”, ka shtuar ajo.

“Rinha” (Largimi) hapet me protagonisten që kuron plagët e një gjeli. Shpejt shfaqet babai i saj i dehur tek kthehet në shtëpi. Ajo punon si taksi privat. Të çuditshëm janë pasagjerët e saj.

“Ne duhet të ikim, sepse duam, jo sepse na duhet”, thotë ajo disa herë në filmin e shkurtër të regjisores portugeze, Rita Pestana.

Ajo synon të mbijetojë edhe duke dërguar në dyluftim gjelin e saj të dërmuar. Ai ngordhi. Babai i saj edhe pse i gjallë është i humbur për të, ndërsa ajo u largua sepse i duhej të largohej, jo pse donte.

Regjisorja ka thënë se fraza që përdoret është nga poema e një poeteje braziliane e cila fliste se si duhet ta lëmë dikë ose një situatë, sepse detyrohemi dhe jo pse duam. Ka përmendur diferencës midis dëshirës dhe nevojës.

“Isha shumë e interesuar për trupat që jetojnë dhe marrin frymë, por në të njëjtën kohë nuk janë aty. Njerëzit përballen me këtë kur janë alkoolistë. Duke biseduar me ata që përballen me prindër alkoolistë, atëherë nisa ta shkruaja filmin dhe e dija se do të jetë shumë i vështirë dhe prekës por e dija se në fund të fundit ata kanë pozitë të rëndësishme sepse ata që kujdesen për këta njerëz, e humbin veten. Nëse i lënë do të përballen me vështirësinë për të vazhduar jetën duke ditur se kanë lënë dikë të dashur që i përcjell gjithmonë mendimi për ta”, ka thënë ajo.

Ka thënë se ka jetuar në Brazil për dhjetë vjet kur kishte menduar për filmin. Sipas saj, “tema kryesore është për një grua që lë jetën e babait në vend të jetës së saj”.

“Hun Tun” ka qenë i fundi i kësaj serie me filma të shkurtër ndërkombëtarë. Premierën botërore e shënoi në “DokuFest”.

Një vajzë e re mat forcën kundër kaosit. Sa më shumë që ajo dëshiron të fitojë, aq më pak ia del.

Regjisorja e filmit të shkurtër që ndërtohet prej animacioneve, Magdalena Hejzlarová, ka thënë se është animacion i errët, ku të gjithë kanë kaosin e tyre.

“Doja të tregoja një rrëfim mitologjik, sepse mendoja se është i rëndësishëm dhe i falënderohem producentes e cila më fuqizoi të vendosja këto shtresa dhe isha e sigurt se ishin disa shtresa që na lidhin neve dhe Hun Tun-in. Kjo është ajo se si ndihem ndaj mitologjisë dhe mendoj se kështu duhet të trajtohet”, ka thënë ajo.