Romani më i ri i shkrimtarit Ag Apolloni, “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, ka për bazë historitë reale të përdhunimeve të luftës së fundit në Kosovë. Me anë të kësaj vepre ai sikur bën thirrje që një temë e tillë të mos mbetet larg letërsisë, sepse letërsia nganjëherë di të thotë të vërteta edhe më të mëdha se vetë historia. “Të gjitha historisë e përdhunimit për të cilat shkruhet këtu disa jepen edhe pa u redaktuar hiç, janë histori të vërteta nga individë të ndryshëm...”, ka thënë Apolloni
Tema e përdhunimeve të shumta gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë është boshti rreth të cilit thuret vepra më e re e shkrimtarit Ag Apolloni, “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”. Vepra shquhet nga një mënyrë e veçantë e rrëfimit dhe një strukturë në të cilën arrijnë të bashkëjetojnë edhe tema e dashurisë edhe ajo e përdhunimit.
Lufta e fundit në Kosovë ka lënë pas një numër të madh të të vrarëve. Megjithatë, nga shumë të këqija e fatkeqësi me të cilat u përballën shqiptarët e asaj kohe, përdhunimi ishte një akt që u shndërrua në fenomen. Pavarësisht kësaj, tema e përdhunimit mbeti larg fokusit të publikut. Të përdhunuarit u mbyllën më vete qoftë për shkak të gjendjes psikologjike, qoftë nga frika për të dalë e për të folur për një temë të ndjeshme si kjo.
Por kjo temë mbeti edhe larg letërsisë. Shumë vepra u shkruan për atë kohë, për përndjekjet e vrasjet gjatë luftës, por, përveç ndonjë pjese episodike edhe lexuesi më i madh i letërsisë shqipe do ta kishte të vështirë të kujtonte një vepër e cila flet për përdhunimet e shumta që ushtria serbe bëri gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Megjithatë, me romanin e tij të fundit shkrimtari Ag Apolloni vendosi që ta kthente vëmendjen te ky fenomen e plagë e shoqërisë. Romani i tij, “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, i cili në libraritë e Prishtinës është i pranishëm që nga e marta e kësaj jave, ka për bazë historitë reale të përdhunimeve të luftës së fundit në Kosovë. Me anë të kësaj vepre Apolloni sikur bën thirrje që një temë e tillë të mos mbetet larg letërsisë, sepse letërsia nganjëherë di të thotë të vërteta edhe më të mëdha se vetë historia. Veprën, siç kishte bërë të ditur më herët, do të niste ta shkruante në Debrecen të Hungarisë, ku verën e kaluar qe në një rezidencë shkrimtarësh.
Të enjten mbrëma, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, qytetarë të shumtë patën mundësi ta merrnin librin “Kësulëkuqja – përrallë për të rritur”, si dhe ta takonin vetë autorin Ag Apolloni. Nuk qe një përurim i zakonshëm.
“Me këtë libër kam synuar të jap një version personal për përrallën ‘Kësulëkuqja’, një version për të rritur duke e lidhur me interpretimet që i janë bërë më parë kësaj përralle pra, duke e parë si një përrallë të përdhunimit, por njëkohësisht duke e lidhur edhe me temën e dashurisë”, ka shpjeguar Apolloni.
Romani “Kësulëkuqja” është i ndërtuar si një roman binar në të cilin zhvillohen dy linja paralele: ajo e përdhunimit dhe tjetra e dashurisë. Dy tema sa të afërta aq edhe të largëta nga njëra-tjetra për të cilat Apolloni ka thënë se janë edhe vështirë të pranueshme nga lexuesi.
Duke folur për përmbajtjen e romanit, Apolloni ka thënë se vepra përbëhet nga dy përralla të cilat krijojnë një kornizë brenda së cilës gjendet një përrallë tjetër e tretë.
“Romani fillon me përrallën e Kësulëkuqes, pra me formulën e famshme, ‘Na ishte njëherë’ dhe tregohet versioni i parë i botuar i Kësulëkuqes pra versioni i Charles Perrault me pak modifikime dhe kjo quhet ‘Përrallë nga e kaluara’, ndërsa si epilog jepet një version tjetër që quhet ‘Përrallë nga e ardhmja’. Që do të thotë se në mes këtyre dy përrallave kemi një histori të vërtetë të përdhunimeve dhe një histori që mund të pranohet si e vërtetë që është histori e krijuar e dashurisë”, ka shpjeguar Apollonim ligjërues në Degën e Letërsisë në Universitetin e Prishtinës.
Romani i tij ecën në frymën e letërsisë së sotme, ku kufiri midis faktit dhe fiksionit po shkon duke u zbehur. Letërsia e sotme ka një bazë, merr diçka nga jeta reale nga e cila më pas krijon një miksim sa afër aq edhe larg fiksionit. Aty realja e imagjinarja bashkëjetojnë mes vete. E mu këtë poetikë e ka pasur parasysh edhe Apolloni, i cili për ta shkruar romanin “Kësulëkuqja” ka marrë histori të vërteta përdhunimi.
“Të gjitha historisë e përdhunimit për të cilat shkruhet këtu disa jepen edhe pa u redaktuar hiç, janë histori të vërteta nga individë të ndryshëm. Janë marrë fragmente nga histori përdhunimi vetëm se disa janë dhënë në formën si i kanë rrëfyer të përdhunuarit dhe të përdhunuarat, sepse ka pasur edhe meshkuj të përdhunuar”, ka bërë të ditur Apolloni.
Ndërkaq e tërë kjo histori kishte zënë fill vitin e kaluar, atëherë kur Apolloni kishte nisur të kërkonte materiale rreth historisë së një gruaje të përdhunuar. Duke qenë se materialet ishin të pakta dhe se personi për të cilin flitej tashmë kishte vdekur, Apolloni kishte marrë mundin të shkruante vetë një histori përdhunimi, por gjithmonë duke pasur për bazë historitë reale të përdhunimit që ndodhën në luftën e fundit në Kosovë.
Por për një njeri i cili nuk ka lexuar asgjë për këtë libër, ajo që e tërheq më së shumti është titulli i saj, i marrë nga njëra ndër përrallat më të famshme në botë, “Kësulëkuqja”. Megjithëkëtë, një titull i tillë nuk ishte një vendim edhe aq i lehtë për Apollonin.
“Është një titull i famshëm për fëmijë dhe edhe për të rritur, sepse fëmijët në mënyrë pasive e kanë marrë këtë histori dhe të rritur në mënyrë aktive e kanë treguar. Rreziku ka qenë që një histori kaq e njohur me një titull kaq të njohur nuk mund të jetë interesante, sepse gjithçka është e njohur. Por, në momentin kur bëhet një përcaktues kategorik, përcaktues moshe – përrallë për të rritur – atëherë kuptohet që ka target një moshë tjetër nga ajo që ka pasur më herët”, ka thënë Apolloni për KOHËN.

Ideja për një ndërlidhje të tillë kishte ardhur nga vetë historia e lashtë e përrallës “Kësulëkuqja” dhe studimet e shumta që Apolloni kishte lexuar.
“Kur kam shkruar librin kam pasur parasysh interpretimin e Maria Tatar, një studiuese hungareze, e cila është marrë me origjinën dhe variantet e Kësulëkuqes. Ajo shkon deri atje ku e gjen si histori të përdhunimit. Një histori të disa fshatarëve që e tregonin nëpër taverna se si e kanë përdhunuar një vajzë. Pra, ishte histori argëtuese e qytetarëve francezë të periudhës së mesjetës”, ka shpjeguar Apolloni teksa ka shtuar se më vonë përrallës i ishin hequr disa nga elementet erotike të saj dhe i vetmi element që ishte ruajtur ishte ngjyra e kuqe e kësulës, ngjyra që simbolizon erotikën.
Për ta marrë këtë libër, si dhe për ta takuar shkrimtarin kishin ardhur një numër i madh njerëzish, të cilët prisnin në rend në hollin e Bibliotekës Kombëtare.
Leonora Hajra, e cila kishte qenë edhe studente e Apollonit, e ka vlerësuar lart krijimtarinë e Apollonit dhe për të ai është njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka letërsia e sotme shqipe.
“Unë jam studente e prof. Apollonit që nga viti i tretë dhe ia kam lexuar gjithë krijimtarinë. Më pëlqen shumë dhe besoj që është njëri ndër autorët më të veçantë që ka letërsia bashkëkohore shqipe. Veçsa e kam lexuar edhe romanin ‘Kësulëkuqja- përrallë për të rritur’ dhe mendoj se është një ndër veprat e tij më të mira, të mos them më e mira”, ka thënë ajo.
Ka nxjerrë edhe veçantitë e Kësulëkuqes”.
“Çka më ka pëlqyer te kjo vepër është se në të vërehet më shumë fryma postmoderne sesa në veprat e tij të mëparshme për shembull, euridicioni, mikstrua me zhanret, drama ‘Judita’ që interferon, dhe edhe fakti që flet për përdhunimet, një temë që është lënë në hije. Mendoj se me këtë roman kjo temë aktualizohet dhe i jepet vëmendja e duhur”, ka vlerësuar Hajra, e cila ka përfunduar studimet master në letërsi shqipe.
Rrezartë Morina mbi të gjitha ka vlerësuar mënyrën e tij të të shkruarit.
“Më ka rënë edhe më herët të lexoja vepra të profesorit dhe shkrimtarit Ag Apolloni dhe vepra përpara kësaj ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ më ka lënë shumë përshtypje. Nga leximet që kam bërë mund të them se ai e ka një mënyrë të veçantë të shkrimit. Kjo pjesa e integrimit të informacioneve, mënyra se si e bën kalimin prej një ngjarjeje në tjetrën e bën Apollonin një shkrimtar shumë të veçantë”, ka thënë Morina, e cila për disa minuta priti në rend për të pasur një autograf nga autori i librit.
Ag Apolloni është shkrimtar, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Veprat e tij letrare, sipas kritikës, dallohen për dimensionin e tyre dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë. Romani i tij, “Ulurima e ujkut” së fundmi është përkthyer edhe në gjuhën malazeze, përderisa më herët qe botuar edhe në maqedonisht dhe në çekisht. Disa pjesë “flasin” edhe anglisht e serbisht. “Një fije shprese një fije shkrepëse”, që doli më 2020, muajin e kaluar, u botua edhe në Holandë.