Këshilli për Trashëgimi Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit nuk po e gëzon përkrahjen e duhur nga institucionet përgjegjëse. Anëtarët e këtij trupi këshillëdhënës shprehin pakënaqësi për kompensimin joadekuat të angazhimit profesional, si dhe për neglizhencën e nevojave të zyrës së tyre. E zyrtarët komunalë pohuan se janë duke i trajtuar kërkesat e tyre, me mekanizmat ndërkombëtarë dhe me nivelin qendror
Anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit kanë shprehur vërejtjen se nuk po e marrin përkrahjen e duhur nga institucionet komunale.
Ata prej kohësh janë ankuar rreth kompensimit joadekuat për angazhimin e tyre profesional në këtë trup këshillëdhënës, si edhe për mbështetjen e dobët për veprimtarinë normale të zyrës.
Veron Tara, kryesues i Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, ka theksuar se kompensimi për anëtarët është ulur prej dy vjetësh, duke e vlerësuar këtë si shqetësues karshi rolit dhe peshës së këtij trupi për trashëgiminë e qytetit.
“Kohëve të fundit, apo ndoshta në dy vjetët e fundit është ndalur pagesa e mëditjeve të anëtarëve që kanë qenë me një shumë pak më të madhe se që është tash, ndërsa tash konsiderohemi si komitet i jashtëm i Komunës dhe paguhemi si një komision që bën vlerësimin e projekteve të ndryshme dhe jo si komision që e ka peshën shumë të rëndë për arsye se Qendra Historike është e mbrojtur si zonë e veçantë dhe ka nevojë për rekomandime profesionale”, ka thënë Tara.
Krahas kësaj, ai ka treguar se ende nuk janë përmbushur as kërkesat bazike për veprimtarinë e zyrës së Këshillit, pavarësisht shkresave të dërguara te organet komunale.
sfidës së pagesës së anëtarëve kemi edhe sfida të ndryshme, ndoshta mund të themi organizative apo operacionale, duke marrë parasysh zyrën, mirëmbajtjen e zyrës, pajisjet e zyrës, materialin shpenzues, të cilat ka shumë kohë që i kërkojmë nga Komuna, por që nuk kemi përgjigje aspak”, ka thënë ai.
E Antigona Bytyqi, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ka konfirmuar se çështja e kompensimit të anëtarëve është diskutuar që prej fillimit të mandatit dhe se organet komunale kanë bërë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje, porse nga niveli qendror kanë marrë përgjigjen se ata mund të kompensohen vetëm në bazë të dispozitave të Udhëzimit Administrativ përkatës, respektivisht nga 50 euro në muaj.
Udhëzimi Administrativ për komitetet komunale parasheh që anëtarët e komiteteve të kompensohen nga buxheti i Komunës dhe se shuma duhet të jetë në proporcion me mëditjet e anëtarëve të komiteteve të përhershme.
Bytyqi ka thënë se po zhvillohen diskutime me mekanizmat ndërkombëtarë dhe me nivelin qendror për çështjen.
tani në bashkëpunim jemi me përfaqësuesit e OSBE-së edhe me ministritë përkatëse, jemi ende duke u marrë me këtë çështje dhe tashmë si kryesuese ka mbetur që ta dërgoj edhe një kërkesë në Ministri. Ndërsa sa i përket Komunës nuk kemi pasur mundësi, nuk na lejon asnjë hapësirë ligjore që ta bëjmë”, ka thënë ajo.
për nevojat e tjera ndërlidhur me funksionimin e zyrës, ajo ka thënë se në bazë të një shkrese të kryetarit të Komunës, të gjitha do të realizohen nga pushteti lokal.
Roli i KTK-së, që përbëhet nga 7 anëtarë, sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit është që të vëzhgojë dhe të këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.