Ani pse prej korrikut të vitit 2018 s’ka anëtarë, Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore s’i ka ndalur shpenzimet as në vitin pandemik. Por raporti i punës për 2020-n nuk i ka kaluar. Për paga e punë, që përfshijnë edhe promovim të trashëgimisë kulturore në rrjete apo avancim dhe përditësim të ueb-faqes zyrtare, janë shpenzuar 147 mijë e 263 euro. Janë 11 veta në staf e mesatarisht secili paguhet mbi 500 euro. Do të duhej të kryenin punë administrative për shtatëshen e anëtarëve që nuk po emërohen tash tre vjet e për vend aty kanë konkurruar 40 veta
Raporti prej 25 faqesh, ku përmblidhet puna e Sekretariatit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore gjatë vitit të kaluar, nuk është miratuar nga Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturë, rini dhe sport. Mungesa e anëtarëve të Këshillit e përmbajtja sipërfaqësore e raportit janë përmendur si arsye. Këtij organi të Kuvendit të Kosovës nuk i ishte miratuar raporti vjetor i punës as për vitin 2017, kur KKTK-ja ishte funksional me 7 anëtarë e të cilët s’i ka tash gati tre vjet. Ata janë kryesorët në vendimmarrjet e këtij organi përderisa Sekretariati kryen punë administrative.
Por me gjithë këtë, Sekretariati i Këshillit jofunksional për vitin e kaluar i ka kushtuar buxhetit të shtetit fiks 147 mijë e 263 euro. Në mbledhjen e së martës Komisioni parlamentar sipas agjendës do të shqyrtonte edhe listën e kandidatëve për anëtarë të KKTK-së. Por kjo pikë e rendit të ditës është shtyrë shkaku i mungesës së deputetëve të partive opozitare. Janë gjithsej 40 veta që synojnë 7 pozitat që kanë ngelur bosh qysh prej korrikut të vitit 2018.
Prej themelimit më 2009 deri me 2015 KKTK-ja nuk ka qenë asnjëherë me anëtarësi të plotë. Ka funksionuar vetëm nga viti 2015 deri në korrikun e vitit 2018. Obligimi më i rëndësishëm ligjor i këtij organi është vlerësimi nëse një monument i mbrojtur përkohshëm ka vlera që të marrë status të mbrojtjes së përhershme. Gjatë funksionimit, për tre vjet, vetëm 23 asete kanë marrë mbrojtje të përhershme.
Sekretariati i KKTK-së është staf administrativ që i shërben Këshillit. Pavarësisht se Këshilli është jofunksional, 11 veta janë pjesë e stafit administrativ. Sipas raportit që kanë hartuar vetë, për paga dhe mëditje gjatë vitit të kaluar kanë marrë 67 mijë euro. Por kërkojnë staf shtesë.
“Nga themelimi e deri më sot në KKTK janë të angazhuar vetëm njëmbëdhjetë (11) nëpunës civilë, të cilët kryejnë me shumë se 3 detyra të punës jashtë përshkrimit të vendeve të punës që kanë, krejt kjo si rezultat i mungesës së punonjësve”, shkruhet në raport.
Aktivitetet që Sekretariati ia ka caktuar vetes
Aty janë renditur edhe aktivitetet e mbajtura vitin e kaluar. Plotësimi i raportit për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, projekti vullnetar ndërkombëtar “Gërmime arkeologjike dhe restaurimi i mozaikut polikromatik” në Dresnik, mbledhja e fakteve dhe dëshmive për asetet e trashëgimisë kulturore arkitekturale të shkatërruara gjatë luftës se fundit, janë midis aktiviteteve që janë raportuar.
Anëtarësimi në organizatat “Climate Heritage Network” e “Culture Action Europe” janë përmendur si aktivitete. Identifikimi i masave të domosdoshme financiare, avancimi dhe përditësimi i ueb-faqes zyrtare të KKTK-së dhe promovimi i monumenteve në rrjete sociale po ashtu llogariten si aktivitete të Sekretariatit për vitin e kaluar. Krejt këto janë prezantuar para deputetëve të Komisionit nga udhëheqësi ekzekutiv i KKTK-së, Isuf Koci. Kanë nxjerrë 16 rekomandime për institucionet e trashëgimisë kulturore. Midis tjerash, rekomandojnë “që të respektohet Ligji për trashëgimi kulturore, ta bëjnë ata vlerësimin e projekteve e po ashtu të bëhet edhe mbikëqyrje dhe survejim arkeologjik gjatë projektimit të auto-rrugëve dhe veprave infrastrukturore në Kosovë”.
Disa prej deputetëve anëtarë të Komisionit kanë dhënë kritika për KKTK-në dhe për vetë Kuvendin e Kosovës si institucion përgjegjës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit.
“Mendoj se duhet të ketë një dinamikë të re të punës në KKTK. Ka shumë pak aktivitet sipas raportit, përderisa paguheni goxha mirë”, ka thënë deputeti Fitim Uka. Kryetari i Komisionit, Ardian Gola, ka thënë se duhet të bëhet një votim formal për raportin e KKTK-së.
“Përkundër faktit që ka mungesë të Këshillit, ne duhet ta votojmë formalisht raportin”, ka thënë ai. Por votat kanë qenë 6 kundër dhe një abstenim. Për pasojë raporti nuk është miratuar.
Tre vjet, katër konkurse për anëtarë të Këshillit
Në mbledhjen e Komisionit planifikohej që të shqyrtohej lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por është vendosur që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një mbledhje tjetër pasi deputetët e partive opozitare, Vlora Dumoshi, Albena Reshitaj, Eliza Hoxha e Memli Krasniqi kanë munguar në mbledhje.
Janë 40 veta që ia kanë mësyrë të bëhen anëtarë të KKTK-së nëpërmjet konkursit të hapur në fund të prillit.
Arjete Miftari, Visar Rafuna, Esin Salla, Marko Stanojeviq, Zineta Nikoçeviq, Ifeta Nikoçeviq, Zana Rama, Avni Rexha, Slagjana Boshkoviq, Besim Qeriqi, Çedomir Nikoliq, Adriana Sedaj e Mirjeta Mehmetaj, janë pjesë e listës së konkurrentëve. Aty janë edhe Premtim Alaj, Arsim Havolli, Ivica Tasiq, Visar Haxhibeqiri, Lulzim Nika, Filko Jovanoviq, Haxhi Seferqaj, Ardiana Zenuni, Sylë Ukshini e Shkëlqesë Kurtaj. Pak më të vonë në konkurrim kanë qenë: Sali Kabashi, Fitim Humolli, Zanita Halimi, Rinë Kuçi-Isufi, Arianit Buqinca, Fahri Sheqiri, Ilirjana Azizi-Mejzini, Valon Gërmizaj, Bahrije Mahmuti-Beqiri e Arben Arifi. Në fund të listës janë edhe Doruntinë Matoshi, Sali Shoshi, Dafina Morina, Sadik Krasniqi, Bora Kelmendi, Artan Krasniqi dhe Recep Kerkezi.
Në korrik bëhen tre vjet prej kur shteti nuk ia ka dalë që të funksionalizojë Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Pas dy konkurseve të vitit të kaluar dhe atij të vitit 2018, ky është i katërti me radhë nëpërmjet të cilit synohet funksionalizmi i KKTK-së.
Pas shumë diskutimeve e kritikave për pazare e mosrespektim të kriterit gjinor, Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, inovacion dhe kulturë në dhjetor të vitit të kaluar kishte dërguar në Kryesi të Kuvendit shtatë emrat e të propozuarve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por me shpërndarjen e Kuvendit procesi ishte kthyer në pikën zero. Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të vitit të kaluar. Asnjëri prej 13 kandidatëve të propozuar nuk i kishte marrë votat e nevojshme. Herën e dytë anëtarët e Komisionit parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, inovacion, kulturë kishin vendosur t’i dërgonin vetëm shtatë emra në Kuvend. Ligji për trashëgimi kulturore nuk e përcakton qartë se si bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillit. Pikërisht për këtë arsye KKTK-ja nuk ishte funksionalizuar prej vitit 2009 deri më 2015.
Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional. Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orarit bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.