Kulturë

Kenoviq: Filmi nuk e kopjon realitetin, por reflekton ndjesinë e tij

Prishtinë, 27 maj – Janë bërë pesëmbëdhjetë vjet qysh kur s’e ka rrahur çakun në shesh xhirimesh. Por Ademir Kenoviq, nuk i është ndarë asnjëherë industrisë filmike dhe është aktiv si asnjëherë më parë. Regjisori e producenti boshnjak vazhdon të prodhojë filma, por edhe ta përcjellë eksperiencën e tij tek filmbërësit e rinj.

I diplomuar në Universitetin e Sarajevës më 1975, ai aktualisht është edhe ligjërues në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Sarajevë.

Bagazhi i tij artistik shtrihet nga viti 1986 e deri në ditët tona.

Në intervistën për “Koha Ditore” dhe KTV-në, ai flet për projektet e reja, zbulon nëse do t’i rikthehet regjisë dhe komenton raportin midis filmit dhe historive të luftës.

Kam pasur disa gjëra për të cilat më është dashur të komunikoj me miqtë e mi. Viteve të fundit, për çdo vit kam ardhur në Prishtinë, thotë Ademir Kenoviq. Tani jemi duke e finalizuar serialin televiziv “Coming Home”, në “Al Jazeera” dhe “Al Jazeera Ballkans” dhe i kemi filmuar këtu pesë personazhe të ndryshme nga Kosova, të cilët kanë jetuar diku tjetër dhe janë kthyer, e të cilët janë të lumtur për këtë. Do të vij këtu sërish muajin tjetër dhe do të filmoj disa personazhe të tjerë. Dhe tjetra është që jemi duke përgatitur tre filma artistikë: njëri është në fazën përfundimtare. Janë tre regjisorë të rinj, filmi titullohet “Legends” dhe në shtator fillojmë filmin e Srdjan Vuletiq, filmbërësit që ka prodhuar “Summer in the Golden Valley” dhe “It’s hard to be Nice”. Do ta fillojmë filmin e tij të ri “Jim” dhe do ta kemi një bashkëprodhim të madh me Izraelin. Titullohet “Travel Agent”.

Për këtë kam vizituar këtu Ministrinë e Kulturës, kam biseduar me zonjën Morina (Leonora Morina-Bunjaku, zëvendësministre e Kulturës e Kosovës v.j.) dhe duam të jemi disi partnerë, sepse kemi partnerë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Kemi qenë të parët që kemi lidhur partneritet në filmin “Karaula”, të cilin e kemi filmuar në Maqedoni. Dhe ka qenë hera e parë që kanë punuar bashkë të gjitha shtetet, edhe Kosova. Dhe dua ta bëj këtë edhe me filmin e ri që do ta xhirojmë në shtator, “Jim”.

KD: Çfarë përshtypjesh do të merrni tash nga ky vend që sivjet shënon 20-vjetorin e daljes nga lufta. Kemi një histori të përbashkët me vendin tuaj Bosnjë-Hercegovinën: luftën. Pasojat e saj ende janë të freskëta, edhe këtu, edhe atje. Zhvillimi është i ngadalshëm. Njerëzve disi u ka humbur besimi...

Kenoviq: Fatkeqësisht gjendja në Bosnjë-Hercegovinë është kështu siç e përshkruat, do të thosha për shkak të lidershipit të keq...Shpresoj që nuk është vërtet siç e thatë ju që njerëzit kanë humbur besimin. Jam i sigurt që njerëzit ende kanë besim, por shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Ndryshimi është kryefjala në Bosnjë-Hercegovinë.

Këtu në Kosovë, unë shoh një vend shumë dinamik, shumë vital. Punohet në gjithë vendin, ka të rinj, energji e dalluar dhe do të thosha se kjo është mënyra për të ecur tutje. Po ashtu, shpresoj që të gjitha problemet që keni do të zgjidhen në periudha më të shkurtra sesa që pritet. Natyrisht që faktori ndërkombëtar ka rol shumë të rëndësishëm. Është duke punuar sipas kohës që zgjedhin ata dhe kanë arsyet e tyre. Por jam i sigurt që në të dyja vendet do të ndodhë i njëjti progres, dhe ecje përpara/

Mbt: Intervistë e regjisorit dhe producentit boshnjak, Ademir Kenoviq.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")