Kulturë

Këngëtari iranian që përkrahu gratë, dënohet me 74 goditje kamxhiku

Gjyqësori i Iranit vitin e kaluar dënoi së paku 131 persona me gjithsej 9 mijë e 957 goditje me kamxhik

Gjyqësori i Iranit vitin e kaluar dënoi së paku 131 persona me gjithsej 9 mijë e 957 goditje me kamxhik

Këngëtari i famshëm iranian, Mehdi Yarrahi, i cili ka folur kundër kodit të rreptë të veshjes së grave në këtë vend, është dënuar me 74 goditje me kamxhik si pjesë e një marrëveshjeje për t'u dhënë fund procedurave penale kundër tij.

Yarrahi u gjykua në fillim të vitit të kaluar për sjellje të paligjshme duke publikuar një këngë të quajtur “Shamia jote” në përvjetorin e parë të protestës “Gratë, jeta, liria”.

“The Guardian” i Britanisë ka raportuar se dënimi i tij me një vit burg më vonë iu ndryshua në monitorim elektronik, i cili përfundoi në fund të vitit të kaluar dhe më pas ai u la i lirë.

Megjithatë, kthimi i garancisë së tij prej 15 miliardë rialësh (330 euro), i cili ishte paguar nga një palë e tretë, varej nga fshikullimi i tij, i cili u bë këtë javë.

“Jam gati të pranoj një dënim prej 74 kamxhikësh. Edhe pse e dënoj këtë torturë çnjerëzore, nuk po kërkoj që vendimi të tërhiqet”, ka shkruar Yarrahi në platformën “X”.

Lajmi për fshikullimin e këngëtarit ka nxitur reagim në rrjete sociale. 

Fituesja e çmimit “Nobel” për paqe, Narges Mohammadi ka shkruar në Instagram se ekzekutimi i dënimit me fshikullim të Mehdi Yarrahit është hakmarrje për mbështetjen e tij për gratë e Iranit.

“Fshikullimi i trupit të Mehdiut është një plagë për gratë krenare, rezistuese të Iranit dhe shpirtin e lulëzuar dhe të fuqishëm të lëvizjes ‘Gratë, jeta, liria’”, është shprehur Mohammadi.

Gjyqësori i Iranit vitin e kaluar dënoi së paku 131 persona me gjithsej 9 mijë e 957 goditje me kamxhik, bazuar në të dhënat e një organizate joqeveritare iraniane të cituar nga gazeta britanike.