Historia prej represionit serb, demonstratave, rezistencës, luftës e paqes nuk shkruhet dot pa muzikën e atyre kohëve. Ajo reflektohet edhe aty. Disa prej shembujve konkretë janë grupi “Jericho” e Adelina Ismaili, ndonëse në zhanre e frymë tjetër. “Jemi bend që ka lindur si produkt i rrethanave politike, sociale të viteve ’90, si produkt i Lëvizjes Studentore paralel me protestat e 1 tetorit të 1997-s”, ka thënë Petrit Çarkaxhiu
Një pjesë e historisë së vendit është nëpër vargjet e këngëve e në meloditë e muzikës. Aty është përjetësuar. Për disa prej emrave që edhe sot janë pasuri e skenës muzikore, rrethanat e atyre kohëve të errëta për popullin kanë qenë burim e frymëzim në krijimet e tyre. 25 vjet pas u kanë dhënë zë në zemër të kryeqytetit.
Koncerti në sheshin “Zahir Pajaziti” ka shënuar fundin e aktiviteteve në shënim të Ditës së Çlirimit. Të paktën për të mërkurën kur janë bërë 25 vjet nga kjo ngjarje. Atmosfera e qytetit në ditë feste ka bërë që provat para koncertit të nisur një orë me vonesë të jenë thirrje për publikun.
Nën qiell të hapur, kanë jehuar vargjet e këngës për atdhedashurinë dhe jo vetëm. Kënga popullore ka qenë festë, ajo patriotike kujtesë për kontributin e të rënëve për liri.
Rock-grupi “Jericho” është njëri prej bendeve që atëkohë po e formësonte krijimtarinë. Lideri Petrit Çarkaxhiu ka thënë se ndonëse grupi i themeluar më 1997, simbolikisht edhe “Jericho”, feston 25-vjetorin.

“Jemi bend që ka lindur si produkt i rrethanave politike, sociale të viteve ’90, si produkt i Lëvizjes Studentore paralel me protestat e 1 tetorit të 1997-s. Është bend që ka dalë prej luftës dhe normalisht që na kthen shumë prapa në kohë dhe na bën të ndihemi krenar për atë çfarë kemi qenë. Të paktën një lloj narrative urbane e ngjarjeve të cilat na kanë përcjellë gjatë gjithë këtyre viteve”, ka thënë Çarkaxhiu.
“Jericho” këngëve të po atyre kohëve u ka dhënë zë e ritëm duke sjellë në kujtesë imazhet e errëta të popullit. Me Leonard Canhasin në kitarë, Edi Gjinollin në bas-kitarë dhe Visar Rexhën në bateri, “Jericho” e ka ndezur publikun. Janë këngë që prekin politikën, shoqërinë e ngërthejnë vlerat kombëtare. Mozaiku i muzikës folklorike është sjellë nëpërmjet “Albanian Rhapsody”.
Me “Destiny” kanë prekur periudhën e krijimtarisë së para luftës.
“Këngët e mëhershme i kemi kënduar në gjuhën angleze kur u patëm prezantuar si ‘Jericho Walls’. Kjo këngë është prej të parave të projektit si fuzion me muzikë folklorike. Është mbase prej më të dëgjuarave dhe më të pëlqyerave prej audiencës”, ka thënë Çarkaxhiu.
Midis të tjerash kanë interpretuar edhe këngët “Shkaba” e “Tjetër botë”. Kanë elektrizuar skenën me “Tomlin e nonës” e “Zgjohu” që konsiderohen prej himneve të krijimtarisë së bendit “Jericho”.
Këngët me elemente folklori e karakterizojnë opusin e tyre. Më se të pranueshme kanë qenë në një koncert që shënon Ditën e Çlirimit. Petrit Çarkaxhiu ka thënë se ngjarjen e 25 vjetëve më parë e kujton si festë dhe se e kthen në ndjenjën e atyre momenteve.

“Unë kam qenë këtu gjatë gjithë kohës, në ‘Dardani’. Shumë gjëra më kujton ajo ditë, shumë ngjarje kanë ndodhur. Largimi i gjithë asaj makinerie shtypëse të Serbisë ka qenë diçka shumë madhështore të shihet, mandej futja e trupave të NATO-s paralelisht në Kosovë ka qenë me të vërtetë një ndjenjë çlirimi. Janë momente të paharrueshme, patëm festuar me ushtarët e KFOR-it të asaj kohe pikërisht në këtë shesh më datë 2 korrik. Kemi shumë fotografi, shumë kujtime”, ka thënë kantautori Çarkaxhiu.
Gjatë ngjarjeve paraprake për nder të jubileut të Ditës së Çlirimit të Kosovës, i pashmangshëm ka qenë roli i Shqipërisë në ndihmën e popullit në kohë kritike për vendin.
Këngëtarja Juliana Pasha ka qenë shenja nga skena atje. Ka kënduar këngë popullore e ato patriotike. “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Këngë moj” kanë qenë disa prej repertorit të saj.
Ditën e Çlirimit, 25 vjet më parë, e ka kujtuar si festë në Shqipëri me refugjatët nga Kosova.
“Kam qenë në shtëpinë e profesorit tim të kantos në atë kohë. Bashkë me të jetonte një familje nga Kosova bashkë me fëmijët e tyre. Sa herë shkonim, fëmijët e tyre bënin gjithashtu mësime me ne. Ditën e Çlirimit e di që kemi qenë bashkë, kemi festuar bashkë. Më pas ata janë nisur për në Kosovë”, ka thënë këngëtarja Pasha.
Dren Abazi me bend ka sjellë “Natën”, “Ti dhe unë”, “Mbreti i natës” e “Zjarr e akull” nga diskografia e tij. “Lamtumirë” nga Rashid Krasniqi ka qenë reprezentimi i thesarit të këngës shqipe në ditën e shënuar në Kosovë.

Kantautori Abazi ka thënë se ndien përherë përgjegjësi më të veçantë kur interpreton në kryeqytet. Për Ditën e Çlirimit ka thënë se u kujton të gjithëve kohëra të dhimbshme.
“Të gjithëve na kujtojnë kohëra të dhimbshme, që duhet t’i lëmë prapa, por asnjëherë të mos i harrojmë. Sot 25 vjet pas normalisht se shumë gjëra kanë ecur para, por unë si qytetar i këtij vendi kam dëshirë të shoh çdoherë më mirë dhe asnjëherë nuk kënaqem. Pasi dëshira për ta parë më mirë është çdoherë më e madhe”, ka thënë Abazi.
Skenën e ka pushtuar pop-këngëtarja Adelina Ismaili që vlerësohet si zë i rezistencës. Ka interpretuar hitet “Kanagjeqi” e “Sajzeza” bashkë me Art Lokajn.
Ky i fundit ka interpretuar edhe bashkë me Malda Susurin me bend këngët “Dashuri e hidhur”, “Eja me diellin” e “Lost on you”, ndërsa perlat e këngës shqipe janë sjellë edhe nëpërmjet grupit “Don’t listen to your neighbors” e muzika elektronike me Adrian Berishën.