“Zjermi” me të cilin “Shkodra Elektronike” përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” ka kapluar edhe publikun në Serbi, e të shpejta kanë qenë tabloidet e Beogradit për ta përmbysur situatën, duke zbuluar “skandalin e provokimin e rëndë” pasi Beatriçe Gjergji ka bërë shqiponjën dykrenore. “Lexuesit tanë e kanë pëlqyer këngën, por këngëtarja Beatriçe i ka zhgënjyer kur si mysafire në një emision televiziv, me krenari ka bërë shqiponjën dykrenore me duar. Foton më pas e ka postuar në rrjete sociale dhe kjo ka shkaktuar reagim të furishëm”, kanë raportuar disa media në Serbi
Kënga e Shqipërisë në “Eurovision” ka nxitur interesim në Serbi, disa kanë deklaruar se do ta votojnë për ta fituar garën evropiane por i shpejtë ka qenë reagimi i tabloideve të Beogradit që t’ua nxjerrë prej qejfi. Kanë “hulumtuar” për ta shpikur “skandalin e rëndë”, duke “zbuluar” se këngëtarja ka bërë shqiponjën dykrenore me duar. Kaq ka mjaftuar dhe të shpërthejnë kundër reagimet. Grupi “Shkodra Elektronike” në përbërje të Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës me këngën “Zjerm” do ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, që do të mbahet vitin që vjen në Bazel të Zvicrës. Të dielën e kaluar, në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, vlerësimi i jurisë dhe ai i publikut kanë qenë thuajse të njëjtë. Që të dyja palët e kishin nxjerrë “Shkodrën Elektronike” në vend të parë. Mediat në Serbi, të njohura për të tilla qasje si “Kuriri” e “Mondo”, kanë hetuar se nëpër platformën X, ditëve të fundit “është virale videoja e performancës së dyshes në Festivalin e RTSH-së”. “Kënga ‘Zjerm’ me të cilën kanë fituar, kombinon elemente të muzikës tradicionale dhe elektronike, përderisa shprehja e tyre skenike, stili ekscentrik dhe interpretimi energjik, kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi. Shumë prej tyre madje e kanë veçuar këtë dyshe favorite duke lënë mënjanë tensionet politike”, ka shkruar “Kurir” i Beogradit. E ka mbështetur këtë duke marrë disa postime. “’Për herë të parë në jetë votoj me gjithë zemër për Shqipërinë’ ‘Shqipëria deri në fitore’, ‘Kanë këngë të shkëlqyeshme‘, ‘Janë fort të mirë, kënga të mbetet në vesh’, ‘Këngëtarja ta kujton Konstraktan (këngëtare serbe v.j.)’ kanë komentuar në rrjetet sociale X”, ka shkruar “Kuriri”. Por fill pason, përmbysja e situatës.
“Lexuesit tanë e kanë pëlqyer këngën, por këngëtarja Beatriçe i ka zhgënjyer kur si mysafire në një emision televiziv, me krenari ka bërë shqiponjën dykrenore me duar. Foton më pas e ka postuar në rrjete sociale dhe kjo ka shkaktuar reagim të furishëm”, ka shkruar po ky medium duke konstatuar se dyshja e Shqipërisë “e ka humbur një pjesë të simpatisë që e fitoi në Serbi”. “Edhe pse kënga ka potencial të tërheqë publik të gjerë jo pak mendojnë se ky veprim do të humbë votues rajonalë dhe do të ulë shanset për përkrahje domethënëse në majin e vitit që vjen”, konstaton “Kuriri”. E, këto i bazon prapë te komentet në rrjete sociale. “’Kjo do t’u kushtojë në renditje. Nuk ishte e nevojshme t’i provokojnë serbët’, ‘Ja, ju i lavdëroni e ata ju përqeshin’, ‘Si mund dikush prej nesh pas gjithë kësaj ta votojë Shqipërinë dhe atë me zemër’, ‘E di që disa shkruajnë marrëzira, por kjo është e tepërt’, kanë shpërthyer komentet”, ka shkruar “Kuriri”.
Lajmi për “skandalin” e dyshes nga Shqipëria është shpërndarë gjithandej nëpër mediat serbe me të njëjtën frymë.
Të dielën e kaluar “Shkodra elektronike” në edicionin 63-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, kishte marrë 143 pikë, përderisa Elvana Gjata me këngën “Karnaval”, 135 dhe Alis me “Mjegull”, 59 pikë. E njëjta renditje sa u përket vendeve ka qenë edhe në vlerësimin e jurisë. Sipas jurisë, renditja është bërë 78 pikë për “Zjerm”, 74 për “Karnaval” dhe 52 për “Mjegull”. Më pas, votat e diasporës dhe ato me “sms” nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi kanë bërë që renditja të mos ndryshojë.
Nga juria, Ramona Tullumani ka dhënë pikët maksimale, 12 për “Karnaval” të Elvana Gjatës, sikurse edhe Florent Boshnjaku dhe kryetarja e Jurisë, Zana Çela. Kurse Ylljet Aliçkaj, Jonida Maliqi dhe Alma Bektashi kanë dhënë pikët maksimale për “Zjerm”.
Tri netët e Festivalit e “tkurrën” numrin e finalistëve në 15 nga 30 konkurrentë gjithsej.
Në finale kanë qenë në garë edhe këngët “Gjallë” nga Jet, “Kur bota hesht” nga Kejsi Jazxhi, “Lutem” nga Vesa Smolica, “E kishim nis’” nga Stine, “Larg” nga “Djemtë e Detit”, “Zemrës” nga Nita Latifi, “Larg jetës pa ty” nga Gjergj Kaçinari, “I pare” nga Orgesa Zaimi, “Amane” nga Ardit Çuni, “Bosh” nga Algert Sala, “Frymë” nga Lorenc Hasrama dhe “Antihero” nga Mal Retkoceri.
Çmimin e Kritikës e ka po ashtu “Shkodra Elektronike”, dy artistët që janë autorë të muzikës, tekstit dhe orkestrimit të këngës “Zjerm”. Çmimi shpërblen artistët që janë vlerësuar nga paneli i kritikëve të muzikës për cilësinë e interpretimit, kompozicionit dhe performancës së tyre.
“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 dhe repertori i tyre kryesisht përfshin rikrijime e ripërpunime të perlave të këngës shqiptare. Kishin filluar si grup projekti në vitin 2019 dhe në këtë kohë ata performuan në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej kishin vazhduar ta thellojnë zhanrin e tyre me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci, e në edicionin e katërt të festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020 filluan t’i publikojnë këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vendin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë” e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”.
Në edicionin e kaluar, me votat e publikut, të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision” e pati Besa Kokëdhima me këngën me titull “Zemër n’dorë”. Ndërsa fitues i edicionit kishte dalë Mal Retkoceri me këngën “Çmendur”. Në finale ishin interpretuar 22 këngë.