Kulturë

Këndi Amerikan në Prizren me hapësira të reja synon zgjerimin e shkëmbimit kulturor

Autoritetet komunale dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë përuruar hapësirat e reja të Këndit Amerikan në Prizren dhe të Bibliotekës së Qytetit, me synimin për zgjerimin e aktiviteteve, por edhe shkëmbimin më të afërt kulturor mes qytetarëve të dy shteteve

Hapësirat e reja të Këndit Amerikan në Prizren dhe të Bibliotekës së Qytetit janë përuruar të premten nga autoritetet komunale dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas fillimit të punimeve rinovuese në Shtëpinë e Kulturës, Biblioteka e Qytetit bashkë me Këndin Amerikan janë bartur në lokacion të ri, që, sipas autoriteteve komunale, është më i përshtatshëm dhe më i qasshëm, përderisa diplomatët amerikanë kanë rikonfirmuar praninë e mëtutjeshme në Prizren.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, ka vlerësuar Prizrenin si një shembull për tërë Kosovën se si një shoqëri dhe një komunitet shumetnik mund të jetojë në kushtet e respektit të ndërsjellë, prosperitetit dhe stabilitetit, me ç’rast ka shprehur mirënjohje për Komunën që ka mundësuar hapësira të reja për Këndin Amerikan.

“Ne si ShBA ka kohë që jemi në Prizren. Nuk jemi duke u larguar së shpejti, por na vjen tepër mirë që jemi në një objekt më të ri dhe më të bukur”, ka thënë ai. Njëherësh ka theksuar se i gëzohet pjesëmarrjes së aktivitete që do të realizohen në të ardhmen në këtë kënd. “Mirëpres mundësinë që të vijë në një vend ku do të jemi edhe një pjesë e këtij mozaiku shumëkulturor të Prizrenit”, ka deklaruar Hovenier.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se nisma për gjetjen e një lokacioni më të përshtatshëm për Këndin Amerikan ka rrjedhur në bashkëpunim me zyrtarët përkatës për ta bërë më të dukshëm praninë e këtij këndi që, sipas tij, është vlerë për Prizrenin.

“Natyrisht që Komuna e Prizrenit e përkrah funksionimin e Këndit Amerikan, edhe në të ardhmen akoma më tepër do ta përkrahim, sepse kemi një vizion të qartë se në çfarë drejtimi dëshirojmë të lëvizim dhe përmes aktiviteteve që zhvillohen në Këndin Amerikan hapim horizonte dhe mundësi të reja për të gjithë ata që janë të interesuar të bashkëveprojnë dhe të kyçen, edhe të sfidojnë vetveten në projektet që do t’i takojnë së ardhmes”, është shprehur Totaj. Drejtori i Kulturës në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, ka përkujtuar se Këndi Amerikan prej shumë vjetësh funksionon brenda Bibliotekës së Qytetit, dhe se deri vonë kushtet nuk kanë qenë të favorshme për realizimin e aktiviteteve të ndryshme.

Sipas tij, hapësirat e reja mundësojnë zgjerimin e aktiviteteve në këtë kënd.

“Në Këndin Amerikan deri tash janë zhvilluar shumë aktivitete, artizanale, punime të ndryshme softuerike dhe çështje të tjera kompjuterike, po ashtu edhe kurse të ndryshme të gjuhë angleze. Ka më shumë se një mijë të rinj që kanë kryer kurse të ndryshme, por shpresojmë se me krijimin e hapësirave të reja do të rriten akoma më tepër aktivitetet në Këndin Amerikan”, ka thënë Morina.

Këndi Amerikan në Prizren funksionon prej vitit 2006, në saje të partneritetit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë me Bibliotekën Ndërkomunale. Ky kënd ofron një gamë të gjerë librash, botime të tjera, sikurse edhe databazë elektronike për tema të ndryshme, krahas aktiviteteve që përfshijnë mësimin e gjuhës angleze, ligjërata, shfaqje filmash, klube të diskutimit, klubin e vajzave, lojëra për fëmijë e të tjera. Misioni i programit të Këndit Amerikan është që të promovojë mirëkuptimin e ndërsjellë mes qytetarëve të Kosovës dhe të ShBA-së.