Krejt koncerti i katërshes ka ngjarë si një bashkëbisedim maestrosh nëpërmjet kitarës. Ata rrëfejnë, e marrin me vete publikun duke e shpënë në universe tingullore. Kur qëllon që të katërt të jenë elitarë, një rrugëtim si ky është magjik. Zoran Dukiq, Petrit Çeku, Maroje Brçiq dhe Tvrtko Sariq të bashkuar në Kuartetin Kroat të Kitarave kanë shënuar koncertin e nëntë të “Chopin Piano Festit”
Kishte nisur me emra si Artem Yasynskyy, pianisti virtuoz nga Ukraina, pjesë e programit kishte qenë dhe kuarteti nga Italia i Fabrizio Bossos me jazz-muzikë, por në koncertin e nëntë “Chopin Piano Festit” kryefjala ishte kitara me Kuartetin Kroat të Kitarave i përbërë nga Zoran Dukiq, Petrit Çeku, Maroje Brçiq dhe Tvrtko Sariq. Numri i madh i të pranishmëve ka qenë sfidë logjistike, ani pse organizatorët mundësuan që gjithsecili të akomodohej disi. Publiku të mërkurën mbrëma ka qenë më i numërti prej se u hap edicioni i 14-të i “Chopin...” më 9 maj.
Sa herë që Petrit Çeku mban koncert, kurdo dhe kudo, mundësia që të shndërrohet në ngjarje madhore në skenat e vendit është më se evidente. Rrëfimi i tij nëpërmjet kitarës është i pashtershëm dhe pjesë nga ky rrëfim ai ndau për artdashësit në Prishtinë bashkë me emra të njohur të kitarës klasike në Kroaci.
Krahas Spanjës, si vend i njohur për kultivimin e kitarës klasike me emrat si Francisco Tárrega, Isaac Albéniz dhe Joaquín Rodrigo, të cilët kanë shkruar disa nga veprat më të njohura për kitarën klasike, pak më lart në linjën e Mesdheut, në brigjet e Adriatikut gjendet dhe një vend tjetër që kultivon kitarën klasike me po aq përkushtim.

Kroacia ka një traditë të pasur muzikore dhe ka nxjerrë shumë muzikantë të njohur, përfshirë edhe kitaristë të shquar. Në këtë kontekst, Kuarteti Kroat i Kitarave është një shembull i shkëlqyer i ekselencës muzikore kroate, i njohur tashmë ndërkombëtarisht njashtu sikurse secili prej anëtarëve veç e veç. Këtë e dëshmuan dhe me koncertin në “Chopin…” në kuadër të kremtimit të Ditëve të Kulturës Kroate në Kosovë, organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Kroacisë. Katër kitaristët mbajtën koncertin e tyre të parë së bashku në vitin 2016. Që atëherë kanë realizuar turne në Kroaci, Itali, Slloveni dhe Republikën Çeke. Si Kuartet mori çmimin “Orlando” nga Radiotelevizionit Kroat për koncertin në Festivalin Veror të Dubrovnikut në vitin 2017. Në vitin 2020, ky formacion lansoi albumin “Guitarrismo” realizuar nga “Croatia Records. Albumi i dytë, “Bagatelles for Home Use”, u publikua në vitin 2022 me shtëpinë diskografike “Cantus”.
Ndërkaq për publikun kosovar kishin zgjedhur që programi të endej nga veprat e Luigi Boccherinit, Antonio Vivaldit, Astor Piazzollas, Miroslav Miletiqit, Gordan Tudorit, Sergei Prokofievit dhe Zoran Juraniqit.
Mbrëmja nisi me “Fandago” nga Bocherini, atmosfera u kapërthye nga ritmet që e karakterizojnë pasionin e vallëzimit spanjoll me po të njëjtin emër. E luajtur nga një kuartet kitarash, vepra mori një dimension edhe më intim. Një element tjetër i veçantë i “Fandangos” është dhe përdorimi i kastanjetave gjatë performancës. Atë e bëri pikërisht Petrit Çeku duke i shtuar autenticitet performancës që entuziazmoi audiencën qysh në fillim të koncertit.
Vetë Çeku i cili rëndom është fjalëpakë në paraqitjet e tij dhe vëmendjen e imponon te performanca, në këtë koncert ka bashkëbiseduar me publikun gjatë intermexove mes veprave. Ka paralajmëruar veprat pasuese me doza të lezetshme humori.

Pika e dytë e koncertit qe rezervuar për Vivaldin dhe Piazzollan me veprat e tyre respektive të shkruara për stinën e dimrit. Temën e tyre Çeku me shaka e cilësoi si të “përshtatshme”, përderisa unike si prurje qenë dhe dy pjesë të baletit klasik “Romeo dhe Zhuljeta” të shkruara nga Prokofievi, të cilat nga kuarteti i kitarave erdhën të veçanta për veshin e dëgjuesit. Nëpërmjet kitarave u përcoll emocioni tragjik dhe drama e fabulës së vetë veprës, por në një dimension më unik. Prej audiencës nuk dëgjohej asnjë pipëtimë, heshtja thyhej vetëm kur ndonjë telefon humbte “betejën” me gravitetin. Fundi i koncertit u shënua me “Concierto para Quinteto” të Astor Piazzollas, si një kompozicion që përshkruan esencën e “Nuevo Tangos”, një zhanër i nisur nga vetë kompozitori argjentinas. Kuarteti Kroat i Kitarës kombinoi elemente të muzikës klasike me intensitetin ritmik dhe përmbajtjen melodioze të tangos argjentinase. Edhe pse kjo vepër luhet zakonisht me një sërë instrumentesh si me bandoneón, violinë, piano dhe kontrabas, me të katër kitarat e mjeshtërve nga kuarteti nuk u vu re mungesa e asnjërës prej tyre.
“I shkëlqyer”, ka qenë vlerësimi i parë që këtij koncerti i ka dhënë kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi. Emrat si Zoran Dukiq e Petrit Çeku ai i vlerëson lart, ndërkaq sipas tij Kroacia është kontribuuese direkte e kitarës në lëmin e klasikes për Ballkanin.

“Më pëlqeu prezantimi i muzikës kroate. Kitara ka hyrë në këto treva të Ballkanit nëpërmjet kitaristëve kroatë. Gjithashtu them se festivali që po organizohet tash dhe festivale të tjera, mendoj se po bëjnë një punë shumë të madhe në popullarizimin e muzikës klasike dhe në ngritjen e nivelit të publikut që tashmë është i respektueshëm”, ka thënë Rudi në një prononcim për KOHËN.
Për organizatorët e Festivalit, ideja që Petrit Çeku të bëhej pjesë e “Chopin...” kishte qenë e kahershme, por tash me Kuartetin kjo mbrëmje vjen si dhuratë për audiencën dhe Festivalin.
Për drejtuesen organizative të Festivalit, Besa Luzha, organizmi për këtë koncert kishte qenë më sfidues nga të tjerët për shkak të interesimit të madh.
“Shijuam së bashku një koncert në këtë sallë, që për instrumentin e kitarës e ofron një akustikë shumë të mirë, arritëm të dëgjonim nuancat më të bukura të këtij instrumenti, pianisimot dhe një frymim shumë natyral mes katër muzikantëve me një repertor shumë interesant. Ishte një udhëtim përmes kitarës”, është shprehur Luzha.
Koncerti i 29 majit përbën një rëndësi të veçantë dhe për kitaristin Petrit Çeku. Loja krahas Zoran Dukiqit, përballë audiencës së vendit prej nga Çeku vjen, për të do të shënohet në kujtesë. Në prononcim për KOHËN ai ka thënë se koncerti si ky ishte ëndërr e kamotshme.

“Koncerti i sotshëm është i posaçëm për mua, sepse u paraqita me disa kitaristë që personalisht i adhuroj, mes tyre duhet të ceki që ishte dhe Zoran Dukiq, i cili në botën e kitarës konsiderohet si influenca më e madhe e kitarës klasike. Ne kemi një mikro-botë të vogël në të cilën jetojmë dhe në të cilën Zoran Dukiq është njëri ndër emrat më të rëndësishëm. Ai më ka inspiruar qysh prej moshës 15-16-vjeçare, kam dëgjuar incizimet e tij dhe jam orientuar nga vlerat estetike të tij. Tash më vjen mirë që në Prishtinë u ktheva me Zoran Dukiqin, kjo është si një ëndërr e realizuar, andaj jam shumë i emocionuar sonte”, ka thënë Çeku.
Pas vargut të gjatë të duartrokitjeve në finale të koncertit, katërshja u detyrua të kthehej disa herë në skenë. “Diçka braziliane”, siç e paralajmëroi Çeku, qe dhuratë për publikun.