Kulturë

“Katër stinët” me tre violinistë nëpër kohët e pandemisë

Ajo që përbën kryeveprën e kompozitorit italian të shekullit të tetëmbëdhjetë, Antonio Vivaldi, u ka folur simbolikisht edhe katër stinëve të kaluara në diktatin e pandemisë. Solistët e rinj, Rron Bakalli, Pleurat Doli dhe Drenusha Lota kanë debutuar me një koncert me Filharmoninë e Kosovës. Interpretimi i “Katër stinëve” – e cilësuar si një vepër me kërkesa të larta – është vlerësuar me duartrokitje të gjata nga publiku

Te muzikologët nuk ka të mbaruar as sot e kësaj dite nëse katër koncertet e Vivaldit u shkruan për të shoqëruar katër sonetet, apo e kundërta. Por edhe pa këtë ndërndyshje, “Katër stinët” (Le quattro Stagioni) janë më e njohura vepër e kompozitorit emërmadh venecian.

Me një interpretim të hollë të Vivaldit dhe Bartókut, violinistët e rinj Rron Bakalli, Pleurat Doli dhe Drenusha Lota janë “pagëzuar” në zjarrin e debutimit në koncertin tashmë tradicional të Filharmonisë së Kosovës, “Skena Iuvenis”.

Image
Duartrokitje të forta kanë pasuar performancën e violinistit nga Gjakova, Rron Bakalli, i cili interpretoi me finesë “stinët” ngjyrashumë të Vivaldit (Foto: Arben Llapashtica)

Për rreth një orë, publiku i kufizuar në numër në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në kryeqytet, të premten mbrëma ka përjetuar magjinë e koncertit të radhës të Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës. Salla e ndriçuar me të kaltër ka pasur arsye. Kësisoj, Filharmonia i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin.

Duartrokitje të forta kanë pasuar performancën e violinistit nga Gjakova, Rron Bakalli, i cili interpretoi me finesë “stinët” ngjyrashumë të Vivaldit.

Në këtë univers lirik – për të cilin njohësit tundin kokën se përbën një revolucion në konceptimin muzikor – kompozitori italian shëmbëllen përrenjtë gurgullues, zogjtë këngëtarë, tutje një bari tok me qenin që pingëron, flutura, stuhi, valltarë të dehur, gjuetarë të azdisur, peizazhe të ngrira dhe zjarre bubulake të dimrit.

“Janë katër stinë që e karakterizojnë kohën, ndryshimin, ngjyrat, meloditë e stuhitë. Është muzikë nëpërmjet së cilës imagjinohen këto stinë”, ka thënë Bakalli në një prononcim për KOHËN.

Ai nuk e ka fshehur gëzimin për pritjen e ngrohtë të publikut që, sipas tij, ka sjellë një energji të mirë pas një kohe të gjatë mungesash në skenë.

“Kjo energji u përcoll edhe nga publiku, edhe nga ne. Një eksperiencë e paharrueshme”, ka shtuar Bakalli.

I lindur në Gjakovë, aty ku mbaroi edhe mësimet e para për violinë, Bakalli ka vijuar studimet në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në klasën e profesoreshës Sihana Badivuku. Fitues i disa çmimeve në gara të ndryshme, ai ka marrë pjesë në koncerte, përveçse në Kosovë, edhe në Maqedoni të Veriut, Francë dhe Gjermani.

Me një paraqitje të denjë me veprën e Vivaldit ka vijuar edhe violinisti tjetër, i cili është anëtar i Filharmonisë së Kosovës, Pleurat Doli.

Image
Me një paraqitje të denjë me veprën e Vivaldit ka vijuar edhe violinisti tjetër, i cili është anëtar i Filharmonisë së Kosovës, Pleurat Doli (Foto: Arben Llapashtica)

I diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Doli është tashmë aktiv me koncerte në Kosovë e jashtë saj.

Me “këmbë të mbarë” në universin vivaldian ia ka bërë sefte edhe violinistja Drenusha Lota, teksa publiku e ka përshëndetur me duartrokitje të gjata interpretimin e saj. E shkolluar në Gjakovë dhe më pas në Tiranë, ajo aktualisht është në përfundim të studimeve themelore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë nën kujdesin e profesorëve Sihana Badivuku dhe Visar Kuçi. Ka mbajtur koncerte në Kosovë e Shqipëri, ashtu sikundër edhe në Francë, Zvicër e Austri.

Si kënaqësi e përgjegjësi të madhe e ka përshkruar violinistja Lota interpretimin e saj tok me kolegët.

“Pas një kohe të gjatë pa paraqitje skenike, e sidomos solistike, emocionet ishin të pranishme, por megjithatë shumë pozitive”, ka vlerësuar ajo.

Image
Drenusha Lota e ka vazhduar rrugëtimin në universin vivaldian dhe për këtë është përshëndetur me duartrokitje të gjata (Foto: Arben Llapashtica)

Minutat në vazhdim kanë kaluar në magjinë bukolike të kompozitorit hungarez. Kështu “Valle popullore rumune” (Dansuri populare românești) ka sjellë melosin malësor të Transilvanisë e ndjesitë e fyejve baritorë.

Violinisti Visar Kuçi – i cili ishte koncert-mjeshtër – është shprehur i lumtur që ky brez i ri violinistësh pati një paraqitje të mirë.

“Këtë e tregoi edhe publiku me duartrokitje e me atmosferë të mirë”, ka thënë Kuçi për KOHËN.

Duke folur për interpretimet e solistëve të rinj, ai ka thënë se vepra e Vivaldit krijon vetë “një atmosferë të veçantë”.

“Ideja jonë fillestare ishte që të përzgjidhnim katër solistë që të interpretonin të katër stinët”, ka thënë Kuçi teksa tutje ka shpjeguar sesi pandemia dhe gjendja aktuale bënë që të vendosej për versionin e gatshëm.

I pranishëm në publik ishte edhe drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha. Ai e ka vlerësuar paraqitjen e solistëve të rinj në koncert.

“Vërtet ishte një befasi e mirë dhe unë kalova tepër mirë sonte”, ka thënë ai.

Berisha – i cili është emëruar para pak kohe në Drejtorinë e Kulturës në kryeqytet – ka thënë se duhet të ketë fokus më të madh te një bashkëdyzim mes kulturës dhe edukimit.

“Vetëm kështu do të kemi më shumë të rinj si këta që na përcjellin performanca të tilla”, ka thënë ai. “Ishte një performancë e jashtëzakonshme, por në një mjedis që lë shumë për të dëshiruar”.

Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se një vepër si “Katër stinët” është një përkujtesë për stinët e kaluara në pandemi.

“Është një vepër me kërkesa solistike të nivelit të lartë që kërkon guxim për performimin e saj”, ka thënë Jashari.

Ai, me këtë rast, ka përmendur se Filharmonia e Kosovës po shpalos programe e asamble më të vogla me Orkestrën Harkore.

“Po vërehet se ka etje për më shumë aktivitete kulturore e koncerte të Filharmonisë”, ka shtuar Jashari.