Kulturë

Katër filma të nominuar për “Oscar” kaluan nëpër “DokuFest”

Skenë nga “Soundtrack to a Coup d’Etat”, njëri prej katër filmave të nominuar për “Oscar” e të shfaqur në “DokuFest”

Skenë nga “Soundtrack to a Coup d’Etat”, njëri prej katër filmave të nominuar për “Oscar” e të shfaqur në “DokuFest”

“DokuFestit” i është rikonfirmuar formula e suksesshme e përzgjedhjes së filmave, e kritereve po ashtu. Katër filma që janë në listën e të nominuarve për “Oscar” janë shfaqur në edicionin e vjetëm të këtij festivali ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër. “No Other Land", “Soundtrack to a Coup D'etat" dhe Sugarcane”, janë nominuar në kategorinë e filmit më të mirë me narrativë dokumentare, e “Incident” ka hyrë në kategorinë si dokumentari më i mirë i shkurtër. 

“’DokuFesti’, është krenar të ndajë se katër filma të shfaqur në edicionin e vitit 2024 të festivalit, janë nominuar në ‘Oscars’”, shkruhet në një postim të “DokuFestit” në rrjete sociale.  

Një muaj e sa më parë, kur qenë shpallur listat e ngushta për nominime për “Oscar”, hiç më pak se nëntë filma në mesin e tyre, ishin të njohur për projektorët e ngjarjes më të madhe të filmit jo vetëm në Kosovë. “Ky vlerësim i jashtëzakonshëm është një dëshmi e programimit unik dhe të kujdesshëm të ‘DokuFestit’, i cili vazhdon të mbështesë tregime inovative dhe t’u japë hapësirë zërave të ndryshëm në botën e filmit dokumentar dhe të shkurtër, kishte vlerësuar “DokuFesti”, duke u zotuar se mbetet i përkushtuar për të mbështetur talentet e reja përmes programeve të dizajnuara me kujdes, duke u ofruar regjisorëve mundësi për të lidhur filma të tyre me audienca ndërkombëtare dhe liderë të industrisë. “Përkushtimi i festivalit për të promovuar zëra të rinj dhe narrativa të fuqishme garanton se ai vazhdon të jetë një platformë e rëndësishme për filma që rezonojnë globalisht”, kishte shkruar asokohe. 

Tash, gati gjysma prej asaj nëntëshe është nominuar, “DokuFesti” ka arsye të jetë krenar. 

“Soundtrack to a Coup d’Etat” nën regji të Johan Grimonprez, bazohet në një ngjarje të vërtetë ku jazzi dhe dekolonizimi ndërthurur si rishikim i episodeve të Luftës së Ftohtë gjë e cila bëri që këngëtarët Abbey Lincoln dhe Max Roach, të protestonin përmes muzikës pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kundër vrasjes së Patrice Lumumba. “No Other Land” nën regji të Yuval Abraham, Basel Adra, Hamdan Ballal dhe Rachel Szor, përshkruan historinë e realizuar nga një kolektiv palestinezo-izraelit, që tregon shkatërrimin e Masafer Yatta të Bregut Perëndimor të pushtuar nga ushtarët izraelitë dhe aleancën e cila zhvillohet midis aktivistit palestinez Basel dhe gazetarit izraelit Yuval. “Sugarcane” në regji të Emily Kassie dhe Julian Brave NoiseCat, është një film i cili paraqet një hetim mbi abuzimin dhe zhdukjen e fëmijëve në një shkollë rezidenciale indiane. “Incident” nën regji të Bill Morrison, rindërton të shtënat policore në Chicago të vitit 2018, duke rimontuar ngjarjen dhe pasojat e saj të menjëhershme nga pikëpamje të ndryshme. 

Të enjten që shkoi “Academy Awards” shpalli nominimet për edicionin e 97-të të çmimeve “Oscar”. Filmi francez “Emilia Pérez” nën regji të Jacques Audiard kryeson listën e nominimeve me 13 sosh, përfshirë kategorinë kryesore. Kritikët e filmit tashmë kanë nisur analizat e animet për shijet e tyre, përderisa në ditën e dytë të marsit pritet festa e madhe në teatrin “Dolby”, që u shpëtoi për pak flakëve. Ceremonia e sivjetme konsiderohet si një lloj kapërcimi sfide në Los Angelesin e sfiduar prej flakëve. 

Bashkë me “Emilia Pérez” në kategorinë për filmin më të mirë janë nominuar edhe “Anora”, “The Brutalist”,  “A Complete Unknown”, “Conclave”, “Dune: Part 2”, “I’m Still Here”, “Nickel Boys”, “The Substance” dhe “Wicked”. Të nominuar për regjisorin më të mirë janë Jacques Audiard për filmin “Emilia Pérez”, Sean Baker për filmin “Anora”, Brady Corbet për filmin “The Brutalist”, James Mangold për filmin  “A Complete Unknown” dhe Coralie Fargeat për filmin “The Substance”. Për skenarin më të mirë origjinal në nominim janë projektet kinematografike: “Anora”, “The Brutalist”, “A Real Pain”, “September 5” dhe “The Substance”. Për aktoren më të mirë në rol kryesor në nominim janë: Demi Moore, Cynthia Erivo, Mikey Madison, Karla Sofía Gascón dhe Fernanda Torres. Ndërsa në kategorinë për aktorin më të mirë në rol kryesor të nominuar janë: Adrian Brody, Timothee Chalamet, Colman Domingo, Ralph Fiennes, dhe Sebastian Stan.

Te ajo që quhet kategori për filmin më të mirë ndërkombëtar –  ku synon edhe Kosova e që për të dytin vit me radhë nuk propozon – janë nominuar produksionet gjermane “The Seed of the Sacred Fig” dhe “I’m Still Here”, ai danez “The Girl with the Needle”, ai francez “Emilia Pérez” dhe filmi nga Letonia, “Flow”. Sivjet, “Oscari” i afrohet edhe Ballkanit nëpërmjet “Njeriut i cili nuk mundi të heshtë” të Kroacisë.