Janë filma që janë parë gjithandej, kanë çuar historitë e Kosovës nëpër alamet festivalesh, njëri ka hyrë arkivin e kinematografisë vendore e tjetri ka bërë histori si i pari film nga shteti i ri i nominuar për prestigjiozin “Oscar”. Por, rikthimi i tyre në ekranin e madh, nuk vjen vetëm si një akt i rivlerësimit të këtyre veprave filmike. Ka edhe tjetër mision.
Projektori i “Kino Armatës” të enjten mbrëma, në Ditën e Flamurit është ndezur për katër filma të shkurtër, vitesh të ndryshme, por që gjejnë pika të përbashkëta në tematikë. Mbrëmja është organizuar në bashkëpunim midis “Armatës” dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, për 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare. Tre prej filmave kanë për temë luftën e fundit në Kosovë, kurse filmi dokumentar i vitit 1976 me titullin simbolik “117”, ka në fokus jetën e një familjeje tradicionale shqiptare që jeton në një mjedis rural të Kosovës.
Mini-maratona filmike u hap me “Kalin”, bashkëpunim midis aktorit të shquar Alban Ukajt, i cili te ky pruduksion debutoi si regjisor, dhe Yll Çitakut. Filmi i vitit 2014, kthen atmosferën e paraluftës, në vitin 1997, është një histori reale e Ukajt. Tre rioshë maltretohen nga Policia serbe, detyrohen “t’i hipin” kalit të vizatuar në mur, tek po merreshin në pyetje prej autoriteteve policore. Rrëfimi ka doza të larta tensioni, të rinjtë e përgjakin veten dhe kjo është një lloj rezistence e tyre. Dy filmat që pasojnë futen direkt në tmerret e luftës.
“Kolona”, nën regji të Ujkan Hysajt, i cili qysh prej premierës më 2012, ka bërë xhiro nëpër botë dhe është vlerësuar gjithandej, risjell në vëmendje dramat njerëzore të ndodhura gjatë eksodit masiv të popullsisë shqiptare. I treti, “Shok”, nën regji të Jamie Donoughue, me ndjeshmëri të lartë artistike tregon një histori prekëse për miqësinë e dy fëmijëve dhe sakrificën e tyre në kohë lufte. Bëri histori në fillim të vitit 2016, kur u bë i pari film nga Kosova që nominohet për “Oscar” për filmin më të mirë të shkurtër.
Të tre filmat, megjithëse të ndryshëm në qasje dhe formë, kanë të njëjtën temë: pasojat e luftës në jetën e njerëzve të zakonshëm. Në këtë sfond të rrëfimeve të dhimbshme, filmi-dokumentar i vitit 1976, “117” i regjisorit të mirënjohur Besim Sahatçiu shpalos vështrimin unik në jetën e një familjeje tradicionale shqiptare me 117 anëtarë. Dokumentari që mban emrin e këtij numri simbolik, është dëshmi e rrallë e mënyrës së jetesës në komunitetet e mëdha familjare dhe strukturave patriarkale që përshkuan shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Sjell momente të rëndësishme historike, por në të njëjtën kohë jep hapësirë për të reflektuar se si arti, në forma të ndryshme, mund të veprojë si dëshmi e fuqishme për ta ruajtur dhe ripunuar kujtesën kolektive.
Ujkan Hysaj, regjisori i filmit “Kolona”, pas shfaqjes së filmave në sallën pa shumë publik e në mungesë të organizatorëve, ka thënë se ideja e shfaqjes më 28 nëntor i ka pëlqyer, duke marrë parasysh se është organizuar nën patronazhin e QKK-së.
“Nuk ka rëndësi sa është përkrahur nga komuniteti i artistëve apo shikuesve. Por ideja që të respektohen filmat e Kosovës që kanë të bëjnë me temat sensitive që lidhen me historinë tonë, me luftën tonë indirekt dhe direkt, me pavarësinë tonë dhe pavarësinë e Shqipërisë, flet shumë për shumëçka, duke e përfshirë edhe filmin ‘Shok’ dhe filma të tjerë, për shkak se gjeneratat e reja nuk e dinë çka ka ndodhur në këtë vend dhe kush sa ka kontribuuar në këtë vend, që ne të kemi mundësi sot të festojmë”, ka thënë Hysaj.
Sipas tij, janë disa krijues që kanë bërë shumëçka, duke kontribuuar në kinematografinë vendore dhe në njëfarë mënyre e tregojnë një histori të vendit.
“Që kanë përjetuar trauma dhe kanë tejkaluar traumat, për të festuar këtë festë që është shumë më rëndësi për ne”, ka thënë ai. Ka qenë një lloj nostalgjie edhe për të që ta shikojë sërish filmin e tij edhe pas 12 vjetësh.
“M’u duk sikur e ka bërë dikush tjetër e jo unë vetë”, ka thënë ai.
Afrim Spahiu, drejtor fotografie në filmin dokumentar “117” ka theksuar se është ndier shumë i emocionuar pasi e ka shikuar këtë film, pas gati pesë dekadave nga realizimi i tij.
“Ky film mjaft i vlerësuar në kohë ka temë shumë të prekshme dhe shumë interesante për kohën e sotshme. Quhet filmi ‘117’ dhe mbahet si film me regji të Besim Sahatçiut të ndjerë, ish-kolegut tim shumë të nderuar, me të cilin kam ndarë shumë kohë edhe shumë emocione, para realizimit, gjatë realizimit dhe pas realizimit të projektit të këtij filmi”, ka thënë ai. Ai ka kujtuar edhe shkollimin që kishin ndjekur bashkë me Besim Sahatçiun në shkollën e njohur filmike në ish-Jugosllavi që quhej Akademia e filmit dhe Dramës në Zagreb e sot njihet si Akademia e Filmit.
“Aty jemi takuar për herë të parë dhe ndërruam mendimet si shqiptarë që edukoheshim në një vend të huaj, pasi gjuha na ndante shumë nga të tjerët. Këto elemente na bashkuan dhe pas kthimit në Kosovë të fillojmë dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në shumë projekte filmike”, ka thënë Spahiu duke u rikthyer edhe të rrugëtimi dhe suksesi i filmit “117”.
“Ky film ka fituar çmimin më të lartë të asaj kohe në Festivalin e 27-të të Filmit në Beograd, një çmim me vlerë të jashtëzakonshme, ‘Grand Pri’ për filmin më të mirë të vitit”, ka thënë ai.
Por ndryshe prej tre filmave të tjerë, “117” rikthen edhe te një kapitull i anës teknike të kinematografisë, por edhe te një tjetër fakt që sërish është pasojë e luftës.
“Burimi cilësor i filmit, negativi i filmit, ndodhet në Beograd, në ato arkivat e tyre dhe supozoj nga aspekti profesional që ruhet mirë dhe në të ardhmen shpresoj ta kemi si material dhe aset kombëtar”, ka thënë Spahiu duke folur edhe për prapaskenat e realizimit.
“Gama e kromës dhe koloritet, të cilat ishin çështje teknike dhe laboratorike, duhej të bëheshin në Beograd, sepse këtu nuk kishim pajisjet për ta zhvilluar materialin dhe të printohej si kopje pozitive, të montohej e sinkronizohej. Ekipin e kishim të përzier, nuk i kishim pajisjet e duhura edhe duhej të huazonim nga vendet e tjera, i kishin pasur si Beogradi, Lubjana, Zagrebi dhe Sarajeva dhe ato t’i vëmë në funksion në idenë tonë”, ka thënë ai.
Sot, sipas tij, të gjitha tash këto duken si ëndrra, por kanë mbetur kujtime të mira.
“Aty isha në cilësinë e drejtorit të fotografisë, kam bërë tablo piktoreske, kam bërë tablo që një herë në jetë ndodhin, por i materializova dhe i ngrita në cilësinë e artit. Ngrita çdo kuadër të filmit që të mbetet si tablo, natyrisht me një përkushtim të denjë. Shpresojmë dhe besojmë që ta bëjmë një projekt të ri, një vepër të re dhe ta largojmë vëmendjen e fuqishme nga arti karshi politikës, ta vulosim edhe një etapë se ky film sot i gëzon pesë dekada dhe këto nuk janë pak”, ka thënë ai.
Organizimi krejt i thjeshtë e ka pasur këtë ndjesi. Ka qenë një rikthim në kapitujt e filmave vendorë, njësoj sikurse edhe rifreskim i kujtesës kolektive për temat që trajtojnë.