Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndarë çmimet për dramën origjinale “Katarina Josipi”. Tre fituesit e këtij çmimi u zgjodhën Astrit Kabashi me dramën “Gërrdia”, Jeton Neziraj me “Uellsi ka një mbret” dhe “Marshi i hijeve të diellit” e Florent Kurtalamit. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Katarina Josipi” është folur edhe mbi rëndësinë e inskenimit të këtyre dramave
Në një ceremoni në Ministrinë e Kulturës të hënën janë ndarë çmimet vjetore për dramën origjinale “Katarina Josipi”. Në mesin e autorëve që kanë qenë pjesë e konkursit juria, në përbërje prej udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, regjisorit Florent Mehmeti, aktores Ilire Vinca, dramaturgut Agron Shala dhe dramaturgut Naser Shatrolli, ka zgjedhur tri prej tyre.
Vendin e parë për dramën më të mirë origjinale e mori aktori Astrit Kabashi me dramën e titulluar “Gërrdia”.
Për Kabashin ky është çmimi i parë në Kosovë. Ka thënë se jashtë kufijve ka marrë shumë çmime dhe është i lumtur që të parin çmim në Kosovë e merr si dramaturg. E vlerëson si shtysë për t’u përkushtuar më tepër me dramë.
“Kam fituar çmime ndërkombëtare, por në Kosovë nuk kam fituar asnjëherë ndonjë çmim, ky është çmimi i parë, por si dramaturg, jo si aktor. Është një kënaqësi e veçantë. Më erdhi shumë mirë edhe pse nuk e kam pritur, sepse ma ka marrë mendja që konkurrenca do të jetë shumë e fortë, por prapëseprapë u gëzova dhe është një motiv shtesë për të shkruar përsëri”, ka thënë Kabashi.
Juria e ka vlerësuar veprën "Gerrdia" si një eksplorim thelbësor dhe të ndërlikuar të një teme që shpeshherë është tabu. Për nga stili hyn tek drama psikologjike. Autori shpalos me mjeshtri të kaluarën dhe të tashmen, duke i kombinuar ato në një mënyrë që i bën lexuesit dhe shikuesit të reflektojnë mbi jetën dhe vendin e tyre në shoqëri.
Sipas jurisë, përmbajtja e veprës përqendrohet rreth marrëdhënies midis burrit dhe gruas, babait dhe djalit, nënës dhe djalit, vëllait dhe motrës, por kjo krejtësisht me vetëm tri personazhe, duke transmetuar mesazh e ide dhe duke krijuar një ngërç emocional dhe psikologjik. Kjo bën që lexuesi të bjerë në thellësi të shpirtit dhe të ndihet pjesë e një historie që shkel në zonat e errëta të shpirtit dhe të ndjenjave njerëzore. Personazhet janë të realizuara me thellësi dhe finesë, duke u përshkruar me detaje të mprehta dhe duke sjellë përpara lexuesit një imazh të qartë të secilit prej tyre. Nuk ka shkëputje të linjës së ngjarjeve dhe struktura e veprës është e rregullt dhe e qëndrueshme, pa u ikur konvencionales letrare.
Ndërsa Kabashi ka bërë të ditur se drama shtjellon edhe temën e kërkimit të lumturisë së humbur nga traumat e fëmijërisë.
“Ajo çka mundem me nda është për një tip që qan vazhdimisht dhe nuk e kupton pse po i qahet, por me kalimin e kohës e zbulon se nga po vjen ajo. Unë mendoj që flet për një tip që ndihet i vetmuar dhe në të njëjtën kohë goxha i traumatizuar nga fëmijëria e tij, pastaj marrëdhëniet me gruan, nënën, babin e shumë gjëra të tjera”, ka bërë të ditur Kabashi.
Jeton Neziraj me dramën “Uellsi ka një mbret” ka marrë çmimin e dytë dhe vepra është vlerësuar si një shembull i humorit të rafinuar përmes një strukture të saktë. Filozofia e dramës përqendrohet në thjeshtësi duke sjellë një shkrim lehtësisht të inskenueshëm. Juria e ka vlerësuar përdorimin e elementeve fantastike si një lloj magjie dhe misteri duke bërë që lexuesi të hyjë në një botë të pazakontë, por gjithsesi argëtuese. Personazhet e veprës janë të kompletuara dhe zhvillohen me kujdes dhe guxim. Secili prej tyre ka një rol të veçantë në rrugën e ngjarjeve dhe kontribuon në atmosferën e veprës.
Neziraj ka kujtuar kohën e rikthimit të konkursit “Katarina Josipi” dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje.
“Ky konkurs ka ekzistuar shumë vjet më parë, në vitet ‘70 dhe ‘80 dhe një kohë të gjatë u ndërpre ndoshta 20 vjet. Më kujtohet në vitin 2009, bashkë me Arian Krasniqin, në të njëjtën pozitë si tash Kushtrimi, entuziast me plot ide, por ide të cilat i përkthyem në projekte konkrete dhe rithemelimi i konkursit “Katarina Josipi” ka qenë një prej tyre, i cili vazhdon të nxjerrë drama të reja dhe autorë të rinj”, ka thënë Neziaraj.
Në rolin e jurisë, Ilire Vinca ka bërë të ditur sfidën e përzgjedhjes së tri dramave në mesin e 18 të tjerave. Ka vënë në pah veçantitë e tri dramave fituese ku e treta është zgjedhur “Marshi i hijeve të diellit” e Florent Kurtalamit.
Sipas jurisë, “Marshi i hijeve të diellit” shfaqet si një nismë e rrallë, një eksperiment absurdi në letërsinë bashkëkohore. Vepra sjell absurdin në një formë të frymës bashkëkohore duke shpalosur pritjen për luftë, dëshirën për të luftuar dhe ëndrrën për këtë përplasje, të cilat përfshijnë lexuesin në një realitet absurdi. Autori trajton kohën si një faktor kyç në krijimin e absurditetit, ku ëndrrat për luftë kontribuojnë në një atmosferë të çuditshme dhe të pazakontë.
“Ka shkuar gjithçka në rregull. Ka qenë së pari kënaqësi, sepse nuk është lehtë me i lexuar 18 drama dhe me i vlerësuar, edhe përgjegjësia është e madhe. Por, duke e ditur që është një prej gjinive që nuk kemi bollëk shumë të madh dramaturgjik dhe duke e ditur e vlerësuar që nevoja e dramaturgëve është vërtet shumë e madhe, e kam bërë me shumë kënaqësi dhe mund të vlerësoj që sivjet prej 18 dramave vërtet ka pasur drama të mira dhe shumica prej tyre kanë qenë me ide të mira, por jo deri në fund të realizuara”, ka thënë Vinca.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Katarina Josipi” është folur edhe mbi rëndësinë e inskenimit të këtyre dramave. Vinca është shprehur që pos dramave fituese edhe të tjerat në garë e plotësojnë kuptimin e çmimit për dramën origjinale kur inskenohen.
“Jo që më e plotësuar, por është e domosdoshme dhe në qoftë se nuk përmendet do të ishte e vetëkuptueshme, sepse dramat nuk shkruhen për lexuesin, por për shikuesin, kështu që në qoftë se e eliminon faktorin shikues atëherë mendoj që është problem, prandaj dramat edhe të tjerat që kanë qenë në rrethin e ngushtë dhe që kanë pasur pikë bashkë me këto të tria duhet të inskenohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e edhe më tutje”, ka thënë Vinca.
Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, që në ngjarje erdhi në rolin e anëtarit të jurisë, ka theksuar se përzgjedhja e kësaj tresheje për çmimin “Katarina Josipi” ka qenë thuajse unanime.
“Tre emrat që janë njëfarë miksimi i çuditshëm por interesant, besoj që i japin vlerë ‘Katarina Josipit’. Po besoj që sado ato dilemat dhe diskutimet që janë, për mua është e jashtëzakonshme që një dramaturg me shumë përvojë dhe një dramaturg i ri e një skenarist i thekur, por që tash e provon edhe dramën, na kanë bërë të ndihemi mirë. Sado që i kemi lexuar krejt veprat, por unanimiteti i jurisë kanë qenë këto tria, diskutimi ka qenë kush më parë”, ka thënë Mehmeti.
Këtë vit janë ndarë tri çmime duke e përfshirë edhe të parin, për dallim nga viti i kaluar, ku çmimi i parë është vendosur nga juria profesionale që të mos ndahet me qëllimin e ngritjes së nivelit konkurrues gjatë viteve në vijim dhe ruajtjes së vlerave artistike.