Kulturë

“Katarina Josipi” në reprizë krize, pa çmim të parë e me kritika

Edhe këtë vit konkursi për dramën origjinale shqipe, “Katarina Josipi” përjetoi reprizën e krizës. Juria s’ndau çmim të parë, për të ruajtur “reputacionin e konkursit”. Çmimin e dytë e mori Zymber Kelmendi me dramën “Pastaj lindin legjendar”, ndërkaq çmimin e tretë Osman Goranci me dramën “Jeto tani për mua”. Laureatët pranuan çmimet me kritika për mënyrën e organizimit e mungesën e hapësirës së dramaturgëve në teatrot vendore, por nuk morën përgjigje

Asnjëra prej 17 dramave konkurruese për çmimet vjetore për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, s’e ka bindur jurinë për çmimin e parë. Aktori e poeti, Shpëtim Selmani, kryetar i jurisë në përbërje të aktores Arta Muçaj, regjisorit Kushtrim Mehmeti dhe Jehona Shyti dhe Milot Mustafa nga Ministria e Kulturës kanë vlerësuar të mos e ndajnë sivjet çmimin e parë, “për ta ruajtur reputacionin e konkursit, ngritjen e nivelit konkurrues dhe ruajtjen e vlerave më të larta artistike”.

“Brenda veprave konkurruese ka prurje të reja, megjithatë, kanë probleme të teknikës së shkrimit, probleme përmbajtjesore ose mangësi në ruajtjen e kontinuitetit brenda situatave”, është thënë në arsyetimin e jurisë, të lexuar nga Selmani mesditën e së mërkurës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Image
Çmimi i dytë iu dha dramës “Pastaj lindën legjendat” të autorit Zymber Kelmendi për “kritikën e hatashme mbi interpretimin e drejtë të kujtesës kolektive dhe trashëgimisë së vlerave” (Foto: Ministria e Kulturës)

Në garën në të cilën juria fillimisht nga 17 dramat, kishte vazhduar me vlerësimin edhe për 9 tyre, në fund kishte përfunduar me 4 vepra në rrethin e ngushtë.

Çmimi i dytë iu dha dramës “Pastaj lindën legjendat” të autorit Zymber Kelmendi për “kritikën e hatashme mbi interpretimin e drejtë të kujtesës kolektive dhe trashëgimisë së vlerave”.

“Koloriti i subjekteve brenda dramës dhe gërshetimi i pikëpamjeve të personazheve shpjegon në mënyrë të lakmueshme gjendjen ekzistuese, problemet, sfidat, ëndrrat, të ardhmen dhe absurditetin e një shoqërie e cila determinohet nga lakmia, lavdia e rreme si dhe nga përfitimet e bëra nën petkun e së kaluarës”, ishte arsyetimi i jurisë.

Kelmendi ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës më 2011. Është skenarist i filmit “Tri dritare dhe një varje”, i cili nën regjinë e Isa Qosjes trajton fatin e pasluftës të të mbijetuarave të dhunës seksuale, trajtimin kolektiv dhe mendësinë ballkanase dhe i filmit “Home Sweet Home” nën regji të Faton Bajraktarit që shtjellon fatin e Agronit (Donat Qosja) ushtar në luftën e fundit në Kosovë, i cili shpallet i vdekur dhe kur kthehet në shtëpinë e tij kupton për përfitimet personale të rrethit në mungesë të tij.

Sipas jurisë, “Pastaj lindën legjendat” portretizon njeriun e ndershëm dhe fatin e tij, e cila nga juria përafrohet me “Stockmani i Ibsenit”, që sulmon shoqërinë për verbërinë, të arriturat e pamerituara.

Kelmendi: Juria ia dha vetes çmimin e parë, anomali vit pas viti

Mirëpo vetë autori i dramës e ka pranuar çmimin me kritika ndaj jurisë. Ka thënë se çmimin e parë ata e kanë ndarë për veten e tyre, teksa ka shtuar se ky konkurs, sipas tij, vit pas viti po pëson anomali.

“Ka vend të dytë e jo të parë, ka vend të parë e jo të dytë, të tretë e jo të dytë, për çfarë po flasim këtu? Me çfarë njësish matëse po bëhet ky vlerësim?”, ka thënë Zymber Kelmendi në fjalimin e tij, duke shtuar se në vepra artistike çdo gjë është relative.

Image
Çmimin e tretë e mori drama “Jeto tani për mua” të Osman Gorancit, i cili është vlerësuar për temën dhe mesazhin e natyrshëm dhe rrjedhjen e tyre në skena të ndryshme të veprës (Foto: Ministria e Kulturës)

Ka thënë se praktika e tillë e mosndarjes së çmimeve vit pas viti është dekurajuese për autorët e dramave, sidomos ata të rinj. Për të detyra e jurisë është vlerësimi i të gjitha veprave që ka para vetes, “e jo të projektojë qëllimet e objektivat për të ardhmen”.

“A vërtet të gjitha festivalet e konkurset e teatrove, filmit, muzikës, pikturës, poezisë kanë prurje të padiskutueshme? Dyshoj! Në të gjitha rastet mund të jenë vlerësuar vepra për të cilat nuk do të keni dëgjuar më kurrë, ashtu sikurse nuk janë vlerësuar vepra të cilat kanë lënë gjurmë”, ka thënë ai.

Ka përmendur edhe pjesën e leximeve skenike të dramave në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në konkurs specifikohet se pas leximeve skenike të tri dramave më të mira, “juria profesionale vendosë për ndarjen e tri çmimeve”.

“Po flasim për një procedurë të qartë dhe të definuar saktë në konkurs. Nuk e di që ka ndodh diçka e tillë, nëse kjo gjë nuk ka ndodh, më nuk flasim për parime, bindje e shije, por është vënë në dyshim vetë legjitimitetin e konkursit”, përfundoi Kelmendi.

Goranci: Hapësirë për dramën shqipe, na mbytën Molieri, Shakespearei...

Çmimin e tretë e mori drama “Jeto tani për mua” të Osman Gorancit, i cili është vlerësuar për temën dhe mesazhin e natyrshëm dhe rrjedhjen e tyre në skena të ndryshme të veprës.

“Dashuria ndaj jetës e partnerit, empatia ndaj të pastrehëve, kujdesi për njeriun që ndanë hapësirën e përbashkët madje edhe në qiellin e hapur, libri si sinonim i dijes, leximi si nevojë pavarësisht kushteve ekonomike e rangut shoqëror, nevoja imediate për kujdesin shëndetësor e mirëqenie sociale janë probleme që trajtohet në formën e duhur”, thuhet në arsyetimin e jurisë, në të cilën specifikohet që teknika e shkrimit është e mirë, por që duhen përmirësim në taborin teknik e përmbajtjesor.

Goranci kishte qenë laureat i çmimit të parë në po këtë konkurs në vitin 2020 me dramën “Gratë dhe Napoloni”. Për disa vjet me radhë ka qenë gazetar, duke punuar në “Rilindje”, Radio Prizren e “TV Opinion”. Është tekstshkrues i mbi 40 këngëve të cilat janë interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, Liljana Çavolli, Fatmir Bajraktari e shumë emra të tjerë. Ka disa drama të inskenuara si “Kuizi o, ho, ho”, “Gruaja e drejtorit”, “Zonja me maskë” e shumë të tjera.

Goranci derisa ka pranuar çmimin, ka shtjelluar problematikat me të cilat përballen dramaturgët vendorë. Mungesa e hapësirës nëpër teatro e kostoja e përkthimeve nëpër konkurse ishin disa prej tyre.

“Do t’ju lusja që të merrni vendim që në teatro së paku 50 për qind të repertorit të jenë të dramaturgëve shqiptarë në Kosovë, sepse po shohim shumë dramaturgë që meritojnë por që s’marrin pjesë në skenë se na mbytën Molieri, Shakespearei”, ka thënë ai duke iu drejtuar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Ka përmendur dramën e tij “Gruaja e drejtorit”, e cila ka pasur premierën në vitin 2012 në teatrin e Prizrenit, “Bekim Fehmiu”. Nga rrugëtimi me 28 repriza, kjo shfaqje, para më pak së një viti, i është rikthyer publikut me kërkesën e tij.

“Publiku e do dramën shqipe, jemi lodhur nga një premierë, një reprizë e që s’ka kurrgjë më nga ai teatër”, ka thënë ai duke marrë shembull rastin e tij “Shpeshherë në konkurse shkruhet se dramat duhet të përkthehen edhe në gjuhën angleze. Unë e kam pensionin 100 euro dhe s’e kam mundësinë. Kur e mora çmimin ‘Katarina Josipi’ në 2019, shkova te një përkthyese. Më kushtoi 4400 euro dhe e lashë. Nëse na ndihmoni, besoni se në Kosovë ka shumë dramaturgë të mirë që punojnë, gjenerata të reja që duhet t’u jepet rasti”, ka thënë ai.

Ministri Çeku, i kënaqur me vazhdimësinë e konkursit, hesht për kritikat

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku në fillim të ceremonisë ka theksuar se ndihet i kënaqur për vazhdimësinë e konkursit për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi”.

“Është një formë se si Ministria e Kulturës jep mirënjohje dhe mbështetje për krijimtarinë në vendin tonë”, ka thënë ai.

Në mënyrë publike, juria e ministri nuk iu përgjigjën kritikave të laureatëve.

Me çmimet e sivjetme të konkursit për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, pak a shumë skenari kishte qenë i njëjtë edhe vjet, atëherë kur Brikena Sopi me dramën “Hekurudha” kishte marrë çmimin e parë. Ndërkaq juria kishte vlerësuar që të mos ndajë çmim të dytë dhe të tretë “për shkak të prurjeve të pakta dhe të pakënaqshme të konkursit”.