Korridoret e ngushta të galerisë çojnë te hapësira me dimensionet e një dhome të zakonshme, ku vizitori takohet me botën e Artan Hajrullahut. Në përshkrimin e konceptit të ekspozitës, veprat e tij krahasohen me yjet, që nga toka shihen si të vegjël, por përplot vezullim e hijeshi.
Artisti gjilanas tashmë ka bërë emër për veprat që gjurmojnë nostalgjinë shqiptare e që janë të rrethuara nga tradita. Por për ironi, njëkohësisht ato pasqyrojnë edhe shkëputjen prej saj. Në galerinë “Paper” Hajrullahu ka hapur ekspozitën personale që përmbledh punën e tre vjetëve të fundit. Titulli i ekspozitës është goxha intrigues. I tillë është edhe koncepti, shkruan KOHA.
“Kashta e Kumtrit” apo Rruga e Qumështit është galaksia që përmban sistemi ynë solar. Ky emër i është vënë kësaj galaksie shkaku që po ta shikosh nga Toka duket si një vijë e hollë vezulluese me element “qumështi”, shkruhet në njoftimin e publikuar në rrjete sociale, ku publiku ftohet ta vizitojë ekspozitën.
“Ka qenë një punë njëvjeçare që kemi punuar jashtëzakonisht shumë, që të vijmë deri këtu ku jemi sot dhe e kemi titulluar ‘Kashta e Kumtrit’. Ky titull rrjedh nga një term tradicional i hershëm që do të thotë përtej asaj të zakonshmes. Është diçka që nuk është e zakonshme”, shpjegon ai. Paraditen e së premtes e ka kaluar në hapësirat e galerisë, duke pritur vizitorët që në kohë pandemie, me maska, zhyteshin në botën e artit të tij – në shikim të parë goxha e thjeshtë, por e ngarkuar me situata komplekse.
Veprat e Artan Hajrullahut preokupohen me tema nga përditshmëria dhe e kaluara. Vizatimet e tij shpërfaqin skena dhe kujtime nga fëmijëria e artistit, ku raportet ndërmjet qenieve njerëzore dhe objekteve shtëpiake rrëfejnë histori poetike. Artisti veçohet në skenën e artit pamor, si me teknikën që përdor për t’i realizuar veprat, ashtu edhe me temat që eksploron e që bazohen në situata reale. Për një artist zakonisht veprat e tij janë të jashtëzakonshme, por Hajrullahu numëron disa nga arsyet pse guxon ta vlerësojë kësisoj punën e tij.

“Punët zakonisht janë të punuara në pako-letër, vizatime dhe krejt çfarë mundohem të vij deri te përfundimi i një pune është që materialet që janë të konsumuara, të përdorura, mundohem t’i sjell në formën e një objekti ose në formën e një kornize që mundem pastaj ta vizatoj dhe ta hedh një ide”, shpjegon ai.
Ndodhitë reale janë inspirim kryesor për artistin. Momentet e përditshmërisë ai i prezanton në mënyrë të veçantë. Veprat e tij marrin formë mbi materialet e reciklueshme, pakot e letrës, kartonët, kolazhet e ndërlidhura. Secila e rrëfen një histori, një moment të paharrueshëm. Shumë shpesh protagonist është vetë artisti. “Eksperimentit” të tij artistik nuk i kanë shpëtuar as familjarët.
Njëra nga 60 veprat sa i ka përmbledhur në ekspozitë portretizon babanë e tij të ndjerë. Ai shihet i veshur me uniformën e shërbimit ushtarak jugosllav. Kur ai hyri në oborr, Artani – asokohe fëmijë – e përqafoi dhe ngrohtësia e atij përqafimi jeton edhe sot në kujtesën e tij. Ajo ndjesi ka marrë trajtë artistike.
Jo rrallë, Artani ironizon me realitetin, të metat e shoqërisë kosovare. Në njërën prej veprave të tij ngjarja ndodh në një dhomë spitali. Është bazuar në një aksident të rëndë që e përjetoi artisti. Gjithçka duket e zakonshme kur sheh mjekët që po bëjnë kontrollet rutinore. Por një shishe e “Coca Colës” është mesazhi kryesor i veprës.
“Kur jemi të sëmurë, është e ndaluar të pimë lëngje, apo gjërat që s’na rekomandon mjeku. Por vizitorët e atij që kam ndarë dhomën me të vinin e sillnin pije të ndryshme, si kjo ‘Coca Cola’”, kujton ai me një buzëqeshje të lehtë.
I lindur në Gjilan, në vitin 1979, ai ka studiuar për pikturë në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Ai ligjëron pikturën në Shkollën e Mesme të Artit Figurativ në Gjilan. Veprat e tij janë prezantuar në ekspozitën kolektive në Muzeun Kombëtar të Historisë në Tiranë, në Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit në Prishtinë dhe në Qendrën për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” në Gjilan. Ka pasur ekspozita personale në Galerinë e Arteve të Kosovës, në galerinë “Tetris” e të tjera. Në vitin 2013 ai mori çmimin “Artistët e së nesërmes”.
Vizitori qysh në fillim paralajmërohet që ekspozita trajton tema të rënda seksuale dhe lakuriqësi. Edhe ky është një element dallues i punës së Hajrullahut. Vizatimet e tij e kanë ilustruar përmbledhjen “Këngë erotike shqiptare” me autore aktoren Vlora Nikqi.
“Ne si shoqëri faktikisht jemi shoqëri që paragjykojmë shumë e sidomos kur bëhet fjala për erotizmin apo intimitetin familjar në kuptimin e asaj që paragjykohet gjithmonë. Unë jam munduar që gjithmonë ta shpalos me njëfarë doze të seksualitetit, por jo gjithmonë duke shkuar tek ekstremja, por vetëm momente të caktuara që jemi si shoqëri, që gjykojmë ose paragjykojmë diçka për dikë”, thotë Hajrullahu, teksa shpjegon tutje këtë aspekt të artit të tij.
“Dhe mundohem ta shpalos atë pjesë me një lloj erotizmi familjar, që gjithsecili e ka në familjen e vet, edhe në të kaluarën ka qenë, por ka qenë kompleksi shoqëror që s’kanë pasur mundësi ta paraqisnin si temë”, shton ai. Artan Hajrullahu e ka kapur këtë mundësi. E vizitorët mund ta shohin ekspozitën “Kashta e Kumtrit” deri në fillim të muajit shkurt.