“Historianët mund t´i ndërtojnë linjat e së ardhmes, historianët duhet të tregojnë se identiteti nacional i njerëzve nuk është i vetmi, por ka edhe identitete të tjera. Prandaj në Kosovë përgjegjësia e historianëve është më e madhe sesa te ne në Austri”, do të thoshte historiani e antropologu austriak, Karl Kaser. Kjo qe si një lloj maksime e tij dhe punoi në këtë frymë duke u shquar si njëri prej studiuesve më produktivë sa i përket edhe historisë së shqiptarëve. Profesori i antropologjisë, Tahir Latifi, ka kujtuar takimet me të kur e kishte pasur mentor, tek e ka çmuar si profesor të zellshëm e pasionant. “Me vdekjen e tij po ashtu ne po humbin një korpus të studiuesve të shquar, siç ishte rasti javë më parë edhe me historianin Peter Bartl. Kaser la pas vetes një krijimtari monumentale, e cila do të jetë thesar i çmuar për brezat e rinj të historianëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë studiuesi Sylë Ukshini, duke risjellë në vëmendje një intervistë me të
Studiuesit e botës gjermanofolëse që kanë pasur a kanë për qëllim të thellojnë hulumtimet për Evropën Juglindore e edhe për shqiptarët janë të shumtë. Por profesori i Universitetit të Grazit, Karl Kaser, pos historisë së popujve të këtyre anëve, shkonte edhe në detaje të tjera në mënyrë që mozaiku kulturor të jetë sa më i plotë. Përqendrohej në studime për familjen, funksionimin e strukturën e farefisnisë, marrëdhëniet gjinore e deri te kultura vizuale në perspektivën historike dhe antropologjike.
Kaser, që shkencës ia ka lënë një numër të madh studimesh, vdiq të hënën, përderisa lajmi u bë i ditur të martën. Ai ishte 68 vjeç. Për studiuesit e historisë e antropologjisë, vdekja e Kaser është një humbje e madhe për shkencën e edhe për albanologjinë pasi ai dëshmoi se qe edhe pasionant i historisë së shqiptarëve.
Drejtuesi i mbi 30 projekteve kërkimore
I lindur më 1954, Karl Kaser ka qenë profesor i historisë dhe antropologjinë të Evropës Juglindore në Institutin e Historisë të Universitetit të Grazit në Austri. Në këtë institucion ai mbante edhe pozita të tjera si nënkryetar i Komisionit të Kurrikulave për Histori, nënkryetar i programit të doktoratës për kulturat vizuale, nënkryetar i Institutit të Historisë e udhëheqës i Qendrës për Histori dhe Antropologji të Evropës Juglindore.
Kaser do të studionte në Graz për histori dhe gjuhët e letërsinë sllave. Teza e tij e habilitimit titullohet “Fshatari dhe ushtari i lirë: Militarizimi i shoqërisë agrare në kufirin ushtarak kroato-sllav (1535-1881)”. Që prej vitit 1980 ishte i përfshirë në studime dhe mësimdhënie në Historinë e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit. U emërua profesor asistent për historinë e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në vitin 1988 dhe më 1996 si profesor i rregullt në Qendrën për Histori dhe Antropologji të Evropës Juglindore, pozitë të cilën e ka mbajtur deri në vdekje. Si studiues vlerësohej shumë dhe për këtë arsye qe profesor nderi i Universitetit të Shkodrës dhe anëtar nderi i Qendrës Kërkimore të Akademisë Sllovene të Shkencave dhe Arteve.
Që prej vitit 1983 kishte drejtuar më shumë se tridhjetë projekte kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, ku shumica prej tyre lidheshin me historinë e marrëdhënieve familjare dhe gjinore në Ballkan dhe me historinë e kulturave vizuale në Ballkan.
Midis të tjerash njihet edhe për veprat “Ballkani dhe Lindja e Afërt. Hyrje në një histori të përbashkët”, “Historia dhe studimet historike të Evropës Juglindore”, “Miqësia dhe armiqësia në Ballkan. Sfidat euro-ballkanike”, “Manuali i qeverive të Evropës Juglindore (1833 - 1980)”, “Familja dhe të afërmit në Ballkan. Analiza e një kulture në rënie”, “Antropologjia historike në Evropën Juglindore” dhe “Kosovo-Kosova” në bashkautorësi me Wolfgang Petritsch dhe Robert Pichler.
Profesori i zellshëm dhe i hapur
Tahir Latifi, profesor në Departamentin të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetit të Prishtinës, ka thënë së hulumtimet e Kaser fokusohen në studime për familjen, farefisninë, marrëdhëniet gjinore, kulturën vizuale në perspektivë historike dhe antropologjike të Ballkanit, përfshirë shqiptarët dhe më gjerë. Latifi, i cili e ka pasur mentor Kaserin, ka thënë se ai ka botuar studime të shumta monografike dhe artikuj të panumërt rreth shqiptarëve dhe popujve të Ballkanit.
“Ka drejtuar një numër të madh projektesh hulumtuese, ku pjesë e tyre kanë qenë edhe studiues nga vendet e Ballkanit. Njëri nga këto projekte është ‘Familja kosovare – e rishikuar’, financuar nga Fondi austriak për shkencë dhe i implementuar nga Universiteti i Grazit, Qendra për Histori dhe Antropologji e Evropës Juglindore”, ka thënë ai. Pjesë e këtij projekti kanë qenë edhe studiuesit nga Kosova, Eli Krasniqi dhe Tahir Latifi, të cilët kanë qenë hulumtues shkencorë në këtë projekt dhe doktorantë. Ky projekt ka filluar në vitin 2010 dhe ka përfunduar në fund të vitit 2013, duke rezultuar më vonë edhe me përfundimin e disertacioneve të Krasniqit dhe Latifit.
“Si mentor i projektit dhe doktoratave tona ka qenë i gatshëm në çdo kohë t’u përgjigjet kërkesave, pyetjeve, dilemave dhe nevojave tona gjatë procesit hulumtues dhe shkrimit të temës së doktoratës. Madje, në rastin tim, rrallë ka ndodhur që kemi caktuar termin për të biseduar rreth progresit në studime të doktoratës”, ka treguar Latifi. Ka thënë se çdoherë, çdo ditë, kurdo që ka pasur ndonjë dilemë apo pyetje rreth temës ka shkuar në zyrën e Kaserit.
“Duke qenë se atë e ka karakterizuar një humor i hollë dhe i veçantë, kur kam trokitur në derë të zyrës së tij, sapo kam hyrë brenda, më është drejtuar me ‘Frage des Tages’. Pra, për temën time të doktoratës, e kam pasur të përditshëm komunikimin me prof. Kaser. Rrallëkush ka mundur të ketë një privilegj të tillë. Këtë e kam pasur unë. Ky që jam sot, natyrshëm që është kontribut i pazëvendësueshëm i tij”, ka thënë Latifi.
Përmbysësi i mitit serb për Kosovën
Studiuesi Sylë Ukshini ka thënë se Kaser është një nga historianët më të angazhuar austriakë për shqiptarët dhe historinë e tyre. Ka treguar se do ta njihte në Prishtinë në qershor të vitit 2001, kur edhe kishte realizuar një intervistë për “Kohën Ditore”. Aty do të dakordoheshin që nën mbikëqyrjen e profesorit austriak Ukshini të vazhdonte hulumtimet për temën “Kosova dhe Perëndimi”.
“Kisha respekt, sepse sapo kishte botuar librin ‘Kosova’, se bashku me Wolfgang Petritsch dhe Robert Pichler, një libër që përmbyste mitologjinë serbe për Kosovën”, ka thënë Ukshini. Sipas tij, pjesa e librit e shkruar nga Kaser, që i përket periudhës nga viti 1285 deri në 1997, është e mbushur me fakte, tekste origjinale dhe fragmente nga burime, të cilat publikut gjermanofon i sollën një pamje krejt ndryshe për historinë e Kosovës.
“Është ndër autorët e paktë perëndimorë që e nënvizon pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin e të krishterëve kundër invazionit osman në Betejën e Kosovës më 1389”, ka thënë Ukshini. Ka treguar se Karl Kaser do t’i hapte porta dhe kontakte me studiuesit evropianë dhe ishte një përkrahës i madh i studiuesve nga Kosova, Shqipëria dhe hapësira shqiptare. E ka përshkruar si një punëtor pasionant të palodhshëm e të përkushtuar. Sipas Ukshinit, me vdekjen e Kaser u shua një nga personalitetet më të rëndësishme shkencore të albanologjisë në Austri.
“Me vdekjen e tij po ashtu ne po humbin një korpus të studiuesve të shquar, siç ishte rasti javë më parë edhe me historianin Peter Bartl. Kaser la pas vetes një krijimtari monumentale, e cila do të jetë thesar i çmuar për brezat e rinj të historianëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Ukshini.
Ka bërë thirrje që kontributi shkencor i Kasel të vlerësohet nga institucionet shkencore shqiptare, sepse historianët e kalibrit të tillë po pakësohen gjithnjë e më shumë. Ukshini ka thënë se Kaser nuk ishte një shkencëtar i sensacioneve dhe as një autor që krekosej me punën e tij.
“Vdekja e tij është një humbje e madhe për shkencën historiografike dhe në përgjithësi për albanologjinë”, ka thënë Ukshini, derisa ka numëruar disa prej botimeve të Kaser.
Roli i historianëve
Para dy dekadash në intervistën e zhvilluar nga Ukshini, Kaser do të thoshte se “historianët kanë më pak apo më shumë një lloj monopoli mbi të kaluarën, dhe meqë kanë këtë monopol, atëherë ata duhet të luajnë edhe një rol të rëndësishëm për të ardhmen”. Bazuar në këtë, Ukshini ka thënë se ai ishte i vetëdijshëm se historianët në shoqëritë ballkanike luajnë rol më të madh sesa historianët në shoqëritë evropiano-perëndimore, për këtë arsye ai vlerësonte se historianët në Ballkan kanë përgjegjësi më të mëdha si për zhvillimet aktuale ashtu edhe për zhvillimet e ardhshme.
“Historianët mund t´i ndërtojnë linjat e së ardhmes, historianët duhet të tregojnë se identiteti nacional i njerëzve nuk është i vetmi, por ka edhe identitete të tjera. Prandaj në Kosovë përgjegjësia e historianëve është më e madhe sesa te ne në Austri. Historianët dhe historiografia nuk duhet të jetë në shërbim të politikës ditore”, kishte thënë Kasel.
Sa i përket veprës “Kosovo-Kosova”, ai kishte thënë se mund të ketë përdorur më shumë literaturë shkencore serbe sesa shqiptare, por nuk i ka numëruar asnjëherë sa burime serbe e sa shqiptare ka shfrytëzuar. Tregonte se është përpjekur të paraqesë pikëpamjet e tij historike mbi zhvillimet në Kosovë.
“Aty nuk përfaqësoi as pikëpamjet serbe dhe as ato shqiptare, por vetëm pikëpamjet e Karl Kaserit. Derisa nga intelektualët shqiptarë libri është pritur kryesisht mirë, intelektualët serbë janë shprehur tepër negativisht, por shpresoj se edhe në Beograd do të ketë evoluime dhe do të paraqiten intelektualë që do ta vlerësojnë realisht këtë libër”, kishte thënë ai.
Sa i përket historisë për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, ai kishte thënë se pala serbe paraqet versionin e saj krejt të kundërt me atë të palës shqiptare, megjithëse në raste të caktuara ajo edhe nuk e përjashton krejtësisht mundësinë e kontinuitetit iliro-shqiptar në Kosovë.
“Mirëpo serbët, sidomos regjimi i Milosheviqit, e kanë keqpërdorur historiografinë. Historianët serbë janë vënë në shërbim të politikës agresive dhe kanë shtrembëruar dhe keqinterpretuar Betejën e Kosovës. Megjithëse prijësi kryesor ka qenë serb, aty kanë marrë pjesë edhe shqiptarët dhe të tjerët”, kishte thënë ai, derisa kishte shtuar se në atë kohë ende nuk ka pasur kombe të formësuara në kuptimin e sotëm.
“Pos tjerash, unë mendoj se historia e këtyre dy popujve të Ballkanit nuk është e përshkuar gjithmonë me luftëra, ashtu siç paraqitet ajo nganjëherë”, kishte thënë Kaser.
“Natyrisht, unë nuk i vë në dyshim këto vuajtje të shqiptarëve: dëbimet, vrasjet, vuajtjet, përndjekjet, dhunën, varret masive, të cilat janë përjetime të tmerrshme dhe s’mund të harrohen shpejt”, do të thoshte Kaser dy vjet pas çlirimit të Kosovës nga regjimi serb e në kohën kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ishin në luftë.