Kulturë

Kaosi që i parapriu finales

Protesta ne Suedi kunder Izraelit

Disa orë para natës finale të “Eurovisionit”, ngjarjet kanë qenë të bujshme. Në mëngjes, Holanda është përjashtuar nga gara. Përfaqësuesi i këtij shteti është diskualifikuar pasi po hetohet nga policia suedeze sherri një incidenti në gjysmëfinale me një pjesëtare të stafit.

“Derisa procesi ligjor të marrë rrjedhën e vet nuk do të ishte e përshtatshme që ai të vazhdonte në Garë. [...] Ne kemi një politikë zero-tolerancë ndaj sjelljeve të papërshtatshme në ngjarjen tonë dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë një mjedis pune të sigurt për të gjithë, përfshirë stafin e ‘Eurovisionit’”, thuhet në njoftimin e Unionit të Transmetuesve Evropianë.

Por reagimet më të bujshme ende pa nisur edicioni i sivjetmë i “Eurovisionit” ishin ato në lidhje me pjesëmarrjen e Izraelit që është kualifikuar edhe në finale. Ka pasur protesta pro Palestinës e kundër pjesëmarrjes së shtetit izraelit, përderisa edhe disa përfaqësues shtetesh në “Eurovision” kanë reaguar me akte të ndryshme.

Në simulimin e dhënies së pikëve, korrespondentja finlandeze ka refuzuar ta përmendë emrin e Izraelit duke e thënë atë të Irlandës. Ndërsa këngëtarja irlandeze, Bambie Thug, është parë me shall si referencë për mbështetjen e Palestinës.

Përfaqësuesi i Francës në prova ka brohoritur: “Të bashkuar nga muzika”, siç është motoja e “Eurovisionit”, por ka thirrur për “dashuri dhe paqe”. 

Krejt këto ngjarje kanë bërë që nata e fundit të marrë epitetin si “finale e kaosit”, që ka kulmuar edhe për përjashtimin e Holandës.

“Kam folur me ekspertë të ‘Eurovisionit’ dhe ata thonë se kjo është krejtësisht e paprecedentë. Nuk ka pasur kurrë më parë një përjashtim në këtë fazë të vonshme të konkursit. Vende të ndryshme e kanë bojkotuar ‘Eurovisionin’ më parë, madje ka nga to dhe që janë përjashtuar nga ‘Eurovisioni’, siç ishte rasti i Rusisë në vitin 2022 pasi pushtoi Ukrainën. Por që një konkurrent që kishte performuar në gjysmëfinale në fillim të javës, të përjashtohet në ditën e finale është krejtësisht i padëgjuar dhe e ka futur ‘Eurovisionin’ në kaos të vërtetë”, ka thënë gazetarja e AP-së, Jill Lawless.

Sipas parashikimeve në uebfaqen zyrtare të garës favorite për trofeun e këtij edicioni është Kroacia me artistin Baby Lasagna, që i këndon eksodit të të rinjve kroat drejt vendeve të tjera të botës për një të ardhme më të mirë.

Shqipëria me “Titan” nga Besa Kokëdhima nuk ka shkuar në finalen e cila nis prej orës 21:00.

Ajo do të transmetohet edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, organizuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë në bashkëpunim me RTK-në dhe Komunën e Prishtinës.

Lexo përditësimet tjera
Zvicra

Zvicra fiton Eurovisionin 2024

Zvicra ka triumfuar në edicionin e sivjetmë të “Eurovisionit” të mbajtur në Malmo të Suedisë. Nemo...