Kulturë

Kalldrëmi i Shadërvanit në pritje të mjeshtërve nga Turqia

Rrugët me kalldrëm janë të pranishme kryesisht në zonën e ngushtë të Qendrës Historike të Prizrenit, nëpër rrugica, përreth Sheshit të Shadërvanit (në foto) dhe në Rrugën e Farkatarëve

Pak ka mbetur sot prej kalldrëmit që dikur mbulonte pothuajse të gjitha rrugët kryesore të Prizrenit, dhe ai është zëvendësuar me asfalt. Por edhe ai që ka shpëtuar – si në Qendrën Historike të Prizrenit – është cenuar prej ndërhyrjeve joadekuate e tash edhe prej projekteve të papërfunduara. Autoritetet e tanishme lokale janë zotuar se gabimet do të evitohen me rishtrimin e kalldrëmit, dhe për këtë do të angazhohen disa zanatlinj nga Edreneja e Turqisë. Pos kalldrëmit, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se do të rregullohen edhe hapësirat publike në Shadërvan. “Do t’ia japim një pamje tjetër Shadërvanit”, ka thënë ai

Kalldrëmi në Sheshin e Shadërvanit në Prizren ka humbur hijeshinë e dikurshme si pasojë e intervenimeve të shoqëruara me gabime gjatë viteve të fundit. Ndonëse autoritetet lokale vazhdimisht janë zotuar se këto gabime do të evitohen me rishtrimin e kalldrëmit, një gjë e tillë nuk është realizuar deri në fund të vitit 2022.

Madje çështja e rregullimit të kalldrëmit në sheshin qendror të Prizrenit ka zënë vend edhe në takimin publik të kryetarit Shaqir Totaj me qytetarët, të martën, ku është raportuar për projektet e realizuara gjatë këtij viti. Qytetari Haki Rashtana ka kërkuar sqarime lidhur me fatin e projektit të zotuar edhe nga ish-qeveria komunale e drejtuar nga Mytaher Haskuka.

“Goxha një kohë kemi biseduar për rregullimin, edhe para juve z. kryetar Totaj, për rregullimin e kubëzave në Shadërvan. Para jush kam marrë një premtim nga kryetari i atëhershëm Haskuka se do të vijnë disa ekspertë prej Turqisë për rregullimin e kalldrëmit të Shadërvanit. Ku ka mbetur ai projekt?”, ka pyetur Rashtana.

Kryetari Shaqir Totaj ka theksuar se nuk ka njohuri për zotimet e dhëna në këtë drejtim në të shkuarën. Por ka sqaruar se pas futjes së kabllove elektrike nën tokë nga KEDS-i, në këtë zonë, në bashkëpunim me Komunën e Edrenesë do të sigurohen mjeshtrit për shtrimin e kalldrëmit. Sipas tij, pas kësaj do të rregullohen edhe hapësirat publike në Qendrën Historike.

“Kur të përmirësohet koha punëtorët e KEDS-it kanë me i fut kabllot nën tokë, në gypat e vendosur. Në momentin kur ata i rregullojnë kabllot, kanë me ardhë mjeshtrit zanatlinj për rregullimin e kalldrëmit, prej qytetit të Edrenesë. Kryetari i Edrenesë na ka premtuar dhe na ka siguruar që ata do të vijnë. Kur të vijnë ata e rregullojnë, pastaj ne kemi me pasë mundësinë me i rregullu hapësirat publike në Shadërvan. Do t’ia japim një pamje tjetër Shadërvanit”, ka thënë Totaj.

Në fillim të këtij muaji, zëvendëskryesuesi i Kuvendit të Komunës, Levent Bush, pas një takimi të realizuar me kryetarin e Edrenesë, Recep Gurkan, kishte njoftuar për marrëveshjen e arritur në këtë drejtim.

“Punimet për rregullimin e kalldrëmit në Sheshin Shadërvan të Prizrenit do të fillojnë në muajin mars të vitit të ardhshëm me mbështetjen e Komunës së Edrenesë”, kishte shkruar ai.

Ndërkaq kryetari Totaj në muajin nëntor kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me homologun Gurkan për zbatimin e politikave të zhvillimit në fushat si: arsimi, ekonomia, turizmi, kultura dhe sporti, përmes zhvillimit të projekteve e aktiviteteve të përbashkëta.

Vitin e kaluar KOHA kishte raportuar se si kalldrëmi i Prizrenit ka mbetur i pambrojtur si rrjedhojë e shpërfilljes së vendimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Projekti për vendosjen nën tokë të rrjetit elektrik në Qendrën Historike të Prizrenit kishte ngjallur reagimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore, për shkak të dëmtimit të kalldrëmit në këtë zonë. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, duke parë se gjatë realizimit të punimeve nuk po respektohet pëlqimi i saj, pati njoftuar zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të Komunës së Prizrenit, përkatësisht inspektoratet kompetente. Si rrjedhojë e këtij komunikimi, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i MKRS-së kishte urdhëruar investitorin, respektivisht KEDS-in, që t’i mënjanojë parregullsitë gjatë punimeve në këtë projekt. Krahas kësaj, Inspektorati i MKRS-së në vendim pati përkujtuar se secili veprim apo mosveprim me të cilin dëmtohet aseti i trashëgimisë kulturore, në këtë rast Qendra Historike e Prizrenit, përbën vepër penale sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Zyrtarët përgjegjës të KEDS-it, sipas ITK-së, qenë zotuar se do të ndërmerren të gjitha veprimet për zbatimin e punimeve sipas projektit të aprovuar dhe aktit të lëshuar nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Image
Në prill të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i Prizrenit, Mytaher Haskuka, nëpërmjet rrjeteve sociale pati njoftuar se Qendra Historike do të bëhet me rrjet nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike. U prek edhe kalldrëmi

Rrjedhën e kësaj procedure e kishte konfirmuar edhe drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, duke shtuar se ky organ kishte adresuar shqetësimin për mënyrën e realizimit të këtij projekti, konkretisht “për dëmtimin e kubëzave dhe kalldrëmit në Qendrën Historike të Prizrenit, moszbatimin e punimeve në përputhje me pëlqimin dhe moskthimin në gjendjen e mëparshme, sikurse edhe për mosreagimin e investitorit për konsulta dhe mosmarrjen e udhëzimeve nga QRTK-ja si autoritet i trashëgimisë kulturore”.

Për këtë çështje kishte reaguar edhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” duke theksuar se realizimi i punimeve për hapjen e kanalit për shtrirjen nëntokësore të kabllove në Qendrën Historike të Prizrenit ishte shoqëruar me vërejtje nga autoritetet e trashëgimisë kulturore, komuniteti i biznesit, si dhe nga qytetarët.

“Prandaj duke konsideruar se kalldrëmi përbën identitetin historik të rrugëve dhe rrugicave të Prizrenit, apelon që çdo intervenim në të duhet të bëhet me kujdesin maksimal, ashtu që edhe kjo pjesë e tërësisë së trashëgimisë kulturore të ruhet në mënyrën e duhur”, thuhej në reagimin e EC-it.

Në prill të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i Prizrenit, Mytaher Haskuka, nëpërmjet rrjeteve sociale pati njoftuar se Qendra Historike do të bëhet me rrjet nëntokësor të kabllove të rrymës elektrike. “Plani dinamik i punimeve pritet të zgjasë për rreth 40 ditë, ndërkaq kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve për këtë periudhë të punimeve për këtë projekt, i cili do të krijojë një pamje edhe më të bukur për qytetin tonë”, pati shkruar ai.

Ndërsa KEDS-i në muajin maj të vitit 2021 kishte njoftuar se në Qendrën Historike të Qytetit të Prizrenit komplet rrjeti elektrik do të vendoset nën tokë.

“Kjo do të mundësojë që qytetit të vjetër të Prizrenit t’i kthehet pamja e merituar, pasi me dhjetëra shtylla do të largohen përfundimisht nga atje, së bashku me të gjitha kabllot, përfshirë edhe ato të operatorëve kabllorë. Krahas Qendrës, plani investiv parasheh që edhe rrugët përreth zonës turistike e deri te Kalaja të bëhen me infrastrukturë të re energjetike nëntokësore. Vlera e këtij investimi që kap shifrën e rreth 600 mijë eurove, krahas futjes së kabllove nën tokë, përfshin edhe vendosjen e komplet stabilimenteve të reja në dy nënstacione që do të furnizojnë këto zona”, thuhej në njoftimin e KEDS-it.

Studiuesit vendorë të trashëgimisë kulturore vlerësojnë se kalldrëmi është një material autentik që e bën të plotë imazhin e pjesës urbane të qyteteve të vjetra, dhe se pa të nuk kanë kuptim as ndërtesat historike, dhe se për këtë arsye ruajtja e tij është pjesë e pandashme e luftës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Sipas tyre, Prizreni duke qenë se ka qenë pjesë e rrugëve antike brenda vetes ka pasur lloje të ndryshme të kalldrëmit, duke filluar nga ai romak, bizantin, mediteran, francez, e oriental, që është përbërë prej gurëve të sheshtë të lumit, dhe se në këtë aspekt është gur dokument që e tregon historinë e qytetit.