Kulturë

“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” mbledh poetët në edicionin e 30-të

Ngjarje me traditë sa i përket poezisë këtë javë do të mbledhë adhuruesit e këtij zhanri letrar në Ulqin. Edicioni i 30-të i ngjarjes letrare “Kalimera Poetike” që ka marrë emrin e poetit Basri Çapriqi, i cili në vargun poetik gërshetonte metaforat mediterane që vlerësohej si një tipar stilistik e konceptual i vargut të tij. Për poezinë e letërsinë do të diskutohet nga e mërkura deri në të premten në Ulqin, në vendlindjen e poetit që vdiq në janar të vitit 2018 në moshën 58-vjeçare. Ai vlerësohej si poet që vendoste ura lidhëse mes poetëve të Ulqinit me ata të vendeve të tjera të shqiptarëve. “Kalimera Poetike” në shkurt të vitit 2018 ka marrë emrin e poetit me qëllim për të nderuar personalitetin e tij krijues e intelektual.

Basri Çapriqi ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, njëri ndër themeluesit e SHAI “Art Club”, e kryetar i PEN Qendrës së Kosovës Çapriqi ka lënë trashëgimi një numër të madh të veprave, ku përfshihen disa përmbledhje me poezi, libra nga teoria e letërsisë, studime letrare, publicistikë etj.

Prejardhja bregdetare e poetit hetohej lehtë në poezitë tij dhe shpërfaqej krejt natyrshëm. Në hapësirën e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 27-29 korrik 2022 edicionin e 30-të jubilar të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”. Kjo ngjarje e cila kthehet pas dy vjetësh shkëputjeje për shkak të pandemisë, do të bëjë bashkë poetët e njohur nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mysafirë të këtij edicioni janë shkrimtari Ylljet Aliçka nga Shqipëria, poetja Donika Dabishevci nga Kosova dhe shkrimtari Dragan Radulloviq nga Mali i Zi. Të tre këta mysafirë do të kenë mbrëmje autoriale. “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” është ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi. Ajo i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar. Përgjatë viteve, në skenën e “Kalimerës Poetike” kanë parakaluar shumë shkrimtarë të shquar e piktorë akademikë.

“Janë ata që me emrin dhe veprën e tyre kanë krijuar historinë e këtij manifestimi”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga organizatorët.

“Kalimera...” organizohet që nga vitit 1993 pa ndërprerje dhe në tre vjetët e parë është quajtur Taverna poetike. Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendës dhe turistët.

“Kalimera...” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë për shqiptarët e Malit të Zi. Vlerësuar edhe në edicionet e kaluara, “Kalimera ...”” ka marrë formën e një ore letrare akademike të letërsisë shqipe. Synon që në ditët e organizimit të shndërrojë Ulqinin në qendër e vendtakim të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni. Në kuadër të këtij edicioni do të bëhet edhe përurimi i antologjisë “Kalimera rrëfen”, me prozë të përzgjedhur nga autorët pjesëmarrës të këtij manifestimi ndër vite.

“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre. Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj.

Edicioni i këtij viti mbahet në kuadër të programit të Festivalit “Skena Verore”.