Kulturë

“Kali dhe kalorësi” nga Shqipëria drejt Los Angelesit

Në vitin 2018, arkeologët duke gërmuar në një vendbanim në Republikën e Shqipërisë zbuluan një statujë bronzi të jashtëzakonshme të punuar mirë që paraqet një kalorës të armatosur mbi një kalë. Daton që prej vitit 500 para Erës Sonë dhe do t’i prezantohet për herë të parë publikut prej gjysmës së këtij muaji në muzeun “Getty” në Los Angeles

Pas trajtimit dhe analizës nga arkeologët e muzeut “Getty” në Los Angeles, statuja prej bronzit do t’i shfaqet publikut për herë të parë që nga gërmimi i saj në vitin 2018. Duke datuar që nga viti 500 para Erës Sonë, kur rajoni ishte i banuar nga kolonët grekë, statuja është një vepër e jashtëzakonshme e artit arkaik grek dhe një shembull unik i trashëgimisë së pasur arkeologjike të Shqipërisë.

“Megjithëse kufizohet me Greqinë dhe ndan bregdetin e Adriatikut me Italinë, Shqipëria është një vend, trashëgimia e lashtë e të cilit është më pak e njohur për audiencën e muzeve amerikane”, kanë thënë Timothy Potts, Maria Hummer-Tuttle dhe Robert Tuttle nga muzeu “Getty”. “Fokusimi në një objekt të vetëm e të çmuar na lejon t’u ofrojmë vizitorëve një vështrim të shkurtër në lidhjet e ngushta artistike brenda botës mesdhetare dhe të nxjerrim në pah procesin kompleks të restaurimit nga arkeologët e antikiteteve të Muzeut, të cilët i kanë kryer analizën dhe trajtimin e kësaj gjetjeje delikate arkeologjike në bashkëpunim me kolegët e Institutit Arkeologjik të Shqipërisë në Tiranë”.

Image
Në vitin 2021, Instituti Arkeologjik i Shqipërisë ia besoi “Kalorësin prej bronzi” ekipit të muzeut “Getty” në të njëjtën gjendje në të cilën ishte gjetur – i mbuluar me baltë dhe pjesërisht i gërryer

Në vitin 2018, arkeologët duke gërmuar në një vendbanim në Republikën e Shqipërisë zbuluan një statujë bronzi të jashtëzakonshme të punuar mirë që paraqet një kalorës të armatosur mbi një kalë. Edhe pse shumë nga detajet e saj janë zbehur nga dheu që i është ngjitur në sipërfaqe, mjeshtëria e jashtëzakonshme e figurinës duket qartë e i afrohet të njëjtit nivel të veprës më të rafinuar të bronzit prodhuar në Greqi.

“Zbulimi i këtij ekzemplari të rrallë dhe puna konservuese e mëvonshme janë dëshmi e një partneriteti ndërkombëtar shumë të suksesshëm ndërmjet institucionit tonë, Institutit Arkeologjik Gjerman, Humboldt Universität, Berlin dhe muzeut ‘Getty’”, ka thënë profesoresha Belisa Muka, drejtoreshë e Institutit Arkeologjik të Shqipërisë në Tiranë.

Kalorësit ishin simbol kryesor dhe popullor në pikturimin e vazove dhe skulpturave në shkallë të vogël nga periudha arkaike (800–480 p.e.s) në Greqi, por vetëm disa prej bronzit janë të njohura dhe një numër ende më i vogël e kanë vetëm një pikë referente se ku mund të gjenden. Studiuesit besojnë se shumë prej këtyre bronzeve janë bërë në Korint të Greqisë, një qendër e rëndësishme për përpunimin e metaleve në atë kohë. “Kalorësi” nga Shqipëria e bën këtë lidhje me Korintin edhe më të besueshme, pasi u zbulua fare pranë vendit të kolonisë korintike të Apolonisë.

Image
Ekspozita zbulon rezultatet e procesit të konservimit të këtij artefakti dhe e vendos këtë shembull unik të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë brenda historisë së pasur antike të rajonit

Në vitin 2021, Instituti Arkeologjik i Shqipërisë ia besoi “Kalorësin prej bronzi” ekipit të muzeut “Getty” në të njëjtën gjendje në të cilën ishte gjetur – i mbuluar me baltë dhe pjesërisht i gërryer. Arkeologët u konsultuan me kolegët e projektit për të hartuar një plan për trajtimin e objektit dhe kujdesin ndaj tij në të ardhmen.

“Ka qenë një privilegj të punoja në këtë statujë bronzi të vogël dhe të jashtëzakonshme dhe të isha në gjendje të zbuloja detaje të dekorimit që nuk njiheshin përpara trajtimit të konservimit”, ka thënë Susanne Gänsicke, konservatore veterane e antikiteteve në “Getty”, e cila udhëhoqi procesin e konservimit.

Ekspozita zbulon rezultatet e procesit të konservimit dhe vendos këtë shembull unik të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë brenda historisë së pasur antike të rajonit. Përveç kësaj, do të ekspozohen dy figura arkaike bronzi në shkallë të vogël nga koleksioni “Getty”, duke ofruar krahasime me gjetjen e paparë nga Shqipëria.

Marrë nga: artdependence.com.

Përktheu: Gonxhe Konjufca