Si aventurë unike në Bjeshkët e Junikut është paralajmëruar festivali “Kah drita”, i cili bën bashkë muzikën, trashëgiminë kulturore dhe natyrën e mrekullueshme të vendit ku mbahet. Është ngjarje dyditore, vjen me program të ngjeshur qysh në edicionin e parë. “Përvojë unike”, është kryefjalë në komunikatën për media të martën, ku pos synimeve të Festivalit shpaloset edhe programi.
“Gjatë dy ditëve të Festivalit, ju do të keni mundësinë të merrni pjesë në aktivitete të shumta, përfshirë koncerte të artistëve të njohur si Shpat Deda dhe Elina Duni, punëtori për instrumente muzikore tradicionale, ecje në bjeshkë dhe shfaqje filmi. Ky është një event që nuk duhet humbur!”, është thirrja për ngjarjen e cila mbahet më 21 dhe 22 shtator. Në komunikatë shkruhet se Juniku do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe natyrës.
“Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë koncerte të artistëve të njohur si Shpat Deda dhe Elina Duni, punëtori për instrumente muzikore tradicionale, shfaqje filmash, ecje në natyrë, joga dhe përgatitje të ushqimeve tradicionale. Ngjarja do të zhvillohet në disa lokacione të ndryshme, si Amfiteatri i Moronicës, ku do të mbahen koncertet dhe performancat artistike, ‘Valavica’, ku do të zhvillohen punëtoritë për instrumente muzikore dhe veshjen tradicionale, si dhe Oda e Junikut, ku do të mbahet përgatitja e ushqimeve tradicionale dhe aktivitete për fëmijë”, kanë shpalosur organizatorët.
Dita e parë, nis me punëtori për krijimin e instrumenteve muzikore tradicionale, ndërsa mbrëmja do të kulmojë me performancat e Shpat Dedës dhe Elina Dunit në skenën e amfiteatrit.
“Dita e dytë, 22 shtator, do të ofrojë një eksperiencë aktive për dashamirësit e natyrës me një ecje në shtegun e Gradinës, ku do të shoqërohet me performancat e rapsodëve të Deçanit. Për fëmijët do të organizohen aktivitete të ndryshme si joga dhe një program edukativ për alpinizëm dhe kamping”, shkruhet në komunikatë, nënshkruar prej ekipit të “CHwB Kosova” dhe festivalit “Kah drita”. Aty shpalosen “Kah...” synon të jetë një urë lidhëse midis artit, natyrës dhe traditës, duke vendosur Junikun në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore dhe duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të promovuar bukuritë e kësaj zone.
“Festivali është pjesë e projektit ‘Mirdita Junik’, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës, që synon të zhvillojë infrastrukturën turistike dhe të promovojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të zonës”, ka shpalosur ekipi.