Kulturë

Kafe me Lezen

Ishte shtatori i vitit 2012 kur filloi realizimi i rubrikës së veçantë “Kafe me lezet me Leze Qenën”. Producenti i KTV-së, Dardan Selimaj, më njoftoi se kishte ideuar këtë rubrikë për programin e mëngjesit, ku çdo të shtunë, aktorja Leze Qena do të ishte nikoqire e të ftuarve në studio, dhe do të shijonin kafenë e mëngjesit në shoqërinë edhe të prezantueseve të tjera të emisionit “Sot”, Mirjeta Morina, Violeta Binaj, Vlera Jusufi, Dafina Lata, Ardiana Shala, Medijana Rrahmani, e të tjera.

Si një i ri në këtë profesion atëherë, e kisha marrë me shumë ngarkesë tërë procesin, pasi që edhe kisha të bashkëpunoja çdo të shtunë me një ikonë të artit në vendin tonë si Leze Qena. Por, Lezja si Lezja. Një zonjë e madhe, ku në praninë e saj askush nuk e ndiente veten të vogël. Të afronte që në çastin e parë, ta gjente pikën më të bukur të karakterit dhe tentonte ta vinte në pah, duke të bërë që në momentin kur e takon ta ndiesh veten sikur ajo të ka njohur tërë jetën, shkruan KOHA.

Kur Lezja hynte në KTV ishte sikur dielli. Të gjithë ishin duke qeshur e më të gëzuar, dhe ishte vetëm energjia e saj që e sillte tek ne që na bënte të ndiheshim në atë mënyrë. “Mirëmëngjesi, mirëmëngjesi”. Me kafe turke para vetes, Leze Qena me këto fjalë do ta fillonte rubrikën çdoherë, ku ajo gjithmonë që në hyrje kishte një mesazh dhe urim për të gjithë. Çdo të shtunë në programin e mëngjesit do të kishim të ftuar personalitete të pothuajse të gjitha fushave të jetës, si të teatrit, filmit, muzikës, sportit, politikës e të tjerë.

Ajo do të përshtatej me secilin, biseda plotësisht spontane që zhvilloheshin në kuadër të kësaj rubrike, ku Leze Qena ishte nikoqire e transmetonin edhe tek shikuesit afërsinë e saj. Lezja e donte jetën dhe gjithmonë e theksonte këtë. Në secilin urim të sajin ajo do të gjente fjalët më të bukura që mund të jenë. Madje edhe gjatë bisedave në kuadër të emisionit aty për aty ndante me të gjithë ne dhe shikuesit përvojat e saj personale, të cilat i tregonte siç dinte vetëm ajo, me plot sharm e disponim, duke na bërë të qeshnim, apo edhe ta ndienim që edhe ne tani e morëm vesh një detaj të saj, e me këtë edhe e ndienim se po afroheshim edhe më shumë me të.

Në edicionet e shumta të emisioneve, në rastet kur ishin të ftuar ish-bashkëpunëtorë të saj, ajo nuk përtonte të rrëfente kujtimet e përbashkëta që kanë pasur, të cilat edhe pse vërehej mundi dhe vështirësitë gjatë periudhës kur punonin ata, megjithatë e theksonte se duhet mbijetuar për diçka që e di që është e drejtë dhe ia vlente. Kështu kishte dëshirë ajo. T’i frymëzonte gjeneratat e reja që të vazhdojnë tutje. Të mos ndalojnë nga cilado pengesë që mund të shfaqet gjatë rrugës. Por gjithmonë e theksonte që duhet qeshur.

Madje, edhe në njërin nga edicionet e emisionit kishte theksuar: “Unë nuk pi barna. Ilaçi më i mirë është qeshja.

Vetëm të qeshim dhe gjithçka fillon e bëhet më e mirë e më e lehtë“. Kështu ajo dëshironte që jo vetëm neve, por edhe shikuesve t’u jepte shpresë kur shfaqen vështirësi në jetë.

Ditëlindjet e Lezes 

Për çdo 1 mars, apo të shtunën që qëllonte afër ditëlindjes së saj, do të organizonim edicione speciale të emisionit vetëm për festën e Leze Qenës. Asnjëherë nuk e njoftonim paraprakisht, ngase dëshironim që ta kishte befasi. Ndërsa ajo vetë asnjëherë nuk i fshihte gëzimin dhe harenë, por e ndante me të gjithë neve. 

Zakonisht ftonim miq të saj të afërt, të cilët po ashtu pa asnjë hezitim pranonin të vinin dhe të bëheshin pjesë e festimit. Megjithëse secila ditëlindje është e veçantë, do t’i veçoja dy prej tyre. Në vitin 2016 Lezja mbushte 81 vjet, ndërsa sapo kishte përfunduar një trajtim të komplikuar mjekësor. Madje thoshte që kishte rilindur. Andaj, disa ditë përpara 1 marsit më telefonoi. 

“Në vend të ndonjë befasie që do të ma përgatisni ju në KTV, dëshiroj këtë vit ta festoj me stafin e QKUK-së, sepse ata janë meritorë që unë po e festoj këtë vit”, ishte kërkesa e saj. 

Dhe, kështu u bë. Gazetarja Ardiana Shala do ta përcillte nga afër festën, siç e kishte dëshiruar Lezja. Ajo ishte përkujdesur për secilin detaj që edhe mjekët e infermieret të ishin aty dhe të festonin bashkë me të. Natyrisht, askush s’mund ta refuzonte Lezen. Ditëlindja tjetër e veçantë do të përkonte pikërisht me përfundimin e sezonit të rubrikës “Kafe e lezet me Leze Qenën”. 

Në tërë këtë edicion, që po ashtu ishte një befasi për të, të ftuara ishin këngëtarja Remzije Osmani dhe aktorja Igballe Qena. Lezja, mes tjerash, do të fliste për bukurinë e jetës dhe se duhej shijuar. Ky edicion edhe do të na linte shumë të përmalluar, pasi që edhe nuk do ta kishim më çdo të shtunë në KTV. 

“Lidhja jonë speciale” 

Bashkëpunimi disavjeçar me Leze Qenën për rubrikën në kuadër të programit të mëngjesit në KTV, “Kafe me lezet me Leze Qenën”, ishte zhvilluar në një miqësi të veçantë. 

Ajo madje, në ditëlindjen e 82-të, që iu organizua me festë të madhe, po ashtu befasi, do të thoshte për emisionin “Express”: “Leka, edhe të më ftojë në gjysmë të natës, nuk mund t’i them jo”. Ndoshta kjo fjali më së miri e shpreh raportin tonë të afërt e të veçantë. Lezja mbeti shumë e afërt me KTV-në, në secilin rast që do të dëshironim që të ishte pjesë e jona. 

Në secilin edicion special pranonte ftesën që të vinte, po ashtu edhe në realizimin e programit të Vitit të Ri, megjithëse kishte arritur të 80-t ajo do të ishte jashtëzakonisht në formë dhe me energji deri në orët e vona. E mbi të gjitha, ajo ishte me disponim shumë të mirë dhe të gjithë rreth saj po ashtu. Biseda e fundit me Lezen do të ishte pikërisht telefonata kur ia urova ditëlindjen vetëm pak ditë më parë, më 1 mars. Megjithëse më tregoi që nuk ishte mirë me shëndet, ajo si gjithmonë i transmetoi pozitivitetin e saj dhe energjinë e mirë. 

Nuk do të mund ta paramendoja se pikërisht përshëndetja e asaj mbrëmjeje, se do të shiheshim së shpejti, do të ishte e fundit. Kujtimet për të janë të panumërta. Të shkruash për Leze Qenën, pas vdekjes së saj është shumë e vështirë. Është e pamundur të përmblidhen kujtimet në detaje, pasi ajo çdo çast e bënte përjetim më vete. Me biseda, gaz e hare. E tillë do të mbetet gjithmonë për të gjithë neve që e kishim bashkëpunëtore dhe mbi të gjitha mikeshë. 

Lamtumirë, Lezja jonë!