Është shndërruar tashmë në traditë që Grupi KOHA përvjetorët e jubiletë e vet t’i festojë bashkë me lexuesit. Kësaj radhe, në ditëlindjen e 25-të të gazetës “Koha Ditore”, krejt afër qendrës së kryeqytetit, sot (e enjte) do t’i hapë dyert kafe-libraria KOHA, një ambient unik që për “meny” kryesore ka titujt e Botimeve KOHA. Inaugurimi do të bëhet bashkë me përurimin e titullit të radhës, “Stina e pestë”, të Majlinda Bregasit
Shumë pranë sheshit kryesor në kryeqytet, duhen vetëm disa hapa ecje për në rrugën “Sylejman Vokshi”, për të arritur te libraria më e re në vend. Logoja e Botimeve KOHA është një ftesë në botën e librave më të kërkuar në vend. Adhuruesit e librave, të cilët deri më tash librat e Botimeve KOHA i kanë gjetur vetëm në pika të caktuara shitëse, tani e tutje do të mund t’i gjejnë të gjithë titujt në një adresë të veçantë. Besnikërinë ndaj lexuesve po e shpërblen me një ambient të veçantë, të cilin mund ta vizitojnë nga e hëna deri të shtunën gjatë gjithë ditës.
Kafe-libraria është një ndalesë e përsosur për lexim me një meny të pasur librash. Shtëpia më serioze e botimeve në vend, me një traditë të gjatë me librin, e ka parë të domosdoshme krijimin e një hapësire të tillë në qendër të kryeqytetit.
Me 160 tituj, që përmbledhin tituj të botimeve ndër vite, KOHA tash është më afër se kurrë me lexuesin. Kjo librari vjen në 25-vjetorin e themelimit të gazetës “Koha Ditore”.
Fidan Imeri, menaxher i shitjes në Botimet KOHA, së bashku me pjesën tjetër të ekipit, edhe një ditë para hapjes zyrtare është marrë me detajet e fundit për t’ua bërë sa më të lehtë lexuesve orientimin në botimet e vendosura në raftet e kësaj librarie.
“Ne si staf jemi gëzuar për këtë pikë shitëse dhe lokacioni është i mirë këtu në qendër. Për ne ka qenë një disponim i mirë, sepse tash e tutje lexuesit në këtë librari do t’i gjejnë të gjithë titujt që na kanë munguar në pikat e tjera”, ka thënë tutje Imeri për KOHËN.
Kafe-libraria KOHA, me ulëse në distancë mes vete, ua jep mundësinë vizitorëve të shfletojnë librat në një ndriçim të përshtatshëm për lexim. Aty kafenë mund ta shijojnë duke lexuar në një ambient atraktiv e të qetë. Lexuesit do të gjenden përballë rafteve me libra që shpalosin histori e rrëfime të jashtëzakonshme që prekin periudha të ndryshme historike.
“Do të jenë rreth 160 tituj. Botimet tona janë kryesisht histori dhe politikë. Këtu kemi edhe rreth 10 tituj për fëmijë”, ka treguar tutje Imeri.
Lexuesit në këtë ambient mund të gjejnë qetësinë dhe rehatinë e leximit, si dhe mundësinë për të kaluar kohën në mënyrën më kualitative me një meny të pasur librash
Lexuesit në këtë ambient mund të gjejnë qetësinë dhe rehatinë e leximit, si dhe mundësinë për të kaluar kohën në mënyrën më kualitative me një meny të pasur librash. Kafe-libraria KOHA, e cila do t’i hapë dyert më 31 mars, vjen te lexuesi me krejt veprat e autorëve me nam, që llogariten si librat më të kërkuar në vend. Kjo librari ua ofron edhe një mundësi të veçantë lexuesve që t’i shfrytëzojnë librat e KOHËS sa herë që vijnë.
“E veçanta e kësaj librarie është se lexuesi mund të ulet dhe të shijojë kafenë, do të jenë separetë ku mund të ulen dhe të lexojnë, të shfletojnë librin. Si gjithnjë jemi të hapur, sepse mund ta lexojnë librin dhe më pas të shkojnë”, ka treguar Imeri. Kafe-libraria KOHA do të jetë edhe një hapësirë e veçantë për promovimet e librave të kësaj shtëpie, si një mundësi edhe e takimit me autorët.
Të enjten aty do të promovohet romani “Stina e pestë” i autores Majlinda Bregasi.
Libri ka në fokus fatin e Sofias, e cila gjendet në një situatë konfuze intime derisa ndjek gjurmët e një baroni austro-hungarez të fillimit të shekullit XX, i cili i zbulon skutat më të errëta të Ballkanit. Libri nxjerr në pah dritëhijet e një epoke të kërshërisë ekstreme, fytyrën e aventurës së Belle Epoque që lulëzonte në Evropë.
“Diplomaci, spiunazh, zbulime shkencore, rebelim e dashuri mbushin jetën e baronit Franz Nopcsa në Shqipëri. I njohur si babai i dinozaurëve të Transilvanisë, një gjeni i jashtëzakonshëm si Nopcsa dashurohet me një popull që rrezikonte zhdukjen nën rrënojat e Perandorisë Osmane. Baroni Nopsca e sekretari dhe miku i tij Bajazid Doda, një antropolog i ri i guximshëm, luftojnë krah malësorëve të vetmuar, i furnizojnë me armë e para, deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ata të dy, të lidhur nga një fat i çmendur dashurie dhe vdekjeje, ia hapin Sofies një botë të panjohur, të egër, të brishtë, që asaj i përket më shumë se asnjëherë”, shkruhet në përshkrimin e librit “Stina e pestë”.
Grupi KOHA, në qershorin e vitit 2016, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ka hapur “Këndin e leximit”, një hapësirë po ashtu unike në promovim të librit dhe leximit, e cila u konkretizua si ide pas kërkesave të shumta nga bashkatdhetarët, të cilët kanë kërkuar të kenë qasje sa më të lehtë për të siguruar tituj të ndryshëm.
Botimet KOHA u themelua në vitin 1998, kur doli nga shtypi libri i Noel Malcolmit, “KOSOVA: Një histori e shkurtër”. Deri tash ka botuar mbi 200 tituj autorësh shqiptarë dhe të huaj.