Kulturë

Kadareja – pasaportë e identitetit, “bombë” për regjimin komunist

Me veprimtari shkencore e promovuese e ka shënuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë 86-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë. “Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja”, ka thënë kryetari i ASH-së, Skender Gjinushi. Ndërsa studiuesi francez, Jean-Paul Champseix, në fjalën e tij, ka thënë se librat e Kadaresë ishin “bombë” për regjimin komunist, teksa ka dhënë disa shembuj se si lexohej Kadareja nga të huajt

Gjeniu i letrave dhe pena më e shquar dhe e guximshme shqiptare, Ismail Kadare, festoi të premten 86-vjetorin. I lindur më 28 janar të vitit 1936 në qytetin e gurtë, Gjirokastër, shkrimtari më i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, vazhdon të krijojë plot energji dhe të ndiqet nga miliona lexues e admirues në Shqipëri, Ballkan dhe anembanë botës, i përkthyer në mbi 50 gjuhë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi të premten një veprimtari shkencore-promovuese në ditëlindjen e shkrimtarit dhe akademikut. Nën drejtimin nga akademik Pëllumb Xhufit, Saverina Pashos Ylljet Aliçkajt, i pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe studiuesi francez, Jean-Paul Champseix, autor i librit “Ismaïl Kadaré - une dissidence litteraire”, përkthyer në shqip nga Irena Rambi e Bashkim Shehu.

“Përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij”

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skender Gjinushi, në fjalën e hapjes ka thënë se Ismail Kadare, me veprimtarinë e tij krijuese, është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar.

“Me një veprimtari krijuese prej afro shtatë dekadash, që shprehet në një korpus letrar prej mbi 50 romanesh, novelash dhe veprash dramatike, Ismail Kadare është bërë pjesë e vetëdijes qytetare dhe morale të popullit shqiptar, program njohjeje për të huajt të botës së tij, përurues i vlerave më të larta krijuese të vendit të tij. Të gjitha veprat e I. Kadaresë pa përjashtim janë përkthyer në gjuhët e popujve të kontinentit dhe të botës. Numri i gjuhëve të receptimit të veprës së tij ka kaluar tashmë mbi 50. Shkrimtar i pranuar dhe i përkthyer edhe në gjuhët e popujve fqinjë, vepra e Ismail Kadaresë është kthyer në një urë ndërkomunikimi përmbi kufij, përmbi fanatizma dhe paragjykime”, ka thënë Gjinushi. Sipas tij, për më shumë se dy dekada me radhë vepra e Kadaresë ka qenë burim informacioni për botën, dritare thuajse e vetme për të njohur e kuptuar realitetin shqiptar krejt të mbyllur dhe historinë kombëtare në rrjedhë të shekujve, me heroizmin e komplekset e veta.

“Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Kjo vepër ka qenë dhe mbetet një projekt me karakter evropian dhe një program i shkëlqyer i përurimit të vlerave të identitetit të shqiptarëve kundrejt botës”, ka thënë Gjinushi.

Image
Shkrimtari më i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, vazhdon të krijojë plot energji dhe të ndiqet nga miliona lexues e admirues në Shqipëri, Ballkan dhe anembanë botës, i përkthyer në mbi 50 gjuhë

Leximi mes rreshtave i Kadaresë

Ndërsa studiuesi francez, Jean-Paul Champseix, në fjalën e tij, ka thënë se librat e Kadaresë ishin “bombë” për regjimin komunist.

“Disa nga studentët e mi, nga të cilët edhe Irena, më flisnin me nota tepër pozitive për Kadarenë dhe guxonin të flisnin, pa shumë insistim gjithsesi, mbi anën kontestuese të veprës. Njëri syresh më pati thënë një herë, me shaka: ‘Kadareja është elastik, ai e merr gjithmonë formën e vet’. Me këto kuptoja se lexuesit mezi i prisnin veprat e Kadaresë dhe të lexonin mes rreshtave, çka dëshmonte për karakterin subversiv të veprës. Më vonë, pasi regjimi ra, një ish-studenti im më tha se ‘Pallati i ëndrrave’ i ishte dukur si një ‘bombë’ dhe se ai dhe miqtë e tij kishin ndjerë në atë kohë një entuziazëm të madh”, ka thënë Champseix. Ka kujtuar se në pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Ramiz Alia në fjalimin e tij të 21 marsit 1982, sipas “Zërit të Popullit”, duke pasur parasysh Kadarenë, pohonte se arti socialist nuk i njihte dukuritë, si: “Mungesa e qartësisë dhe dykuptimshmëria, mospërkitja klasore, kërkimet formaliste dhe teknikat moderniste, që në thelb janë mbartëse të ideologjive të huaja e asaj”.

“Më tej, lexova aktakuzën e Dritëro Agollit pas botimit të ‘Pashallarëve të kuq’, e cila rreshtonte në dhjetë faqe të gjitha kritikat: ‘I. Kadaré ka predispozita ndaj ndikimeve, si të thuash, i tërheq ato. […] Atij i mungon fryma e partisë. Nganjëherë përshkrimet e tij të botës shqiptare duken sikur kanë dalë nga penda e ndonjë turisti të huaj. Përse? Sepse kuptimi i tij i artit është ai i një liberali. Ai beson se heroi pozitiv e prish artin, e kthen atë në një vegël të propagandës dhe e kthen në parullë të ditës. Së fundmi, mbërriti vepra e zotit Shaban Sinani, i cili më qetësoi dhe më inkurajoi. Edhe dyshimet e mia të fundit u fshinë, më në veçanti kur lexova raportin e Nexhmije Hoxhës mbi ‘Dimrin e vetmisë së madhe’. Ajo e kishte kuptuar mirë se Kadareja e kishte bërë Enverin të bënte ‘spekulime filozofike dhe fjali me dy kuptime’ dhe konsideron pra se pikërisht ato pasazhe janë të tepërta”, ka thënë studiuesi francez, Jean-Paul Champseix.

Ditëlindja e Ismail Kadaresë nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar përjetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi “Man Booker International Prize”, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015, Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare disa herë është përmendur si kandidat për çmimin “Nobel” për letërsi.