Shkrimtari i lindur më 1936 në Gjirokastër, Ismail Kadare, të enjten mbushi 85-vjet. Me një hyrje të papritur në botën e letrave, në një kohë kur askujt s’ia mbushte syrin, gjirokastriti me dhunti për pak vjet do t’i shpërthente kufijtë e hekurt të Shqipërisë. Me një marrëdhënie të trazuar me regjimin komunist, asnjëherë i kufizuar nga ideologjia, me armët e tij të pandashme prej shkrimtari, alegoritë dhe stilin zhbirues psikologjik, Kadare u bë një nga emrat më të shquar të letërsisë botërore. Me rastin e ditëlindjes së tij, Akademia e Shkencave ia ka ripropozuar Akademisë simotër në Stockholm kandidaturën e tij pranë jurisë së çmimit “Nobel”
Kur uturimat e makinerisë së shtypshkronjës së Ndërmarrjes Shtetërore të Botimeve po shtypnin të parin libër të tij “Frymëzime djaloshare”, më 1954, askush nuk e përfytyronte se autori riosh i përmbledhjes 56-faqëshe do të bëhej vigu letrar që do ta ndryshonte përgjithnjë Shqipërinë. Për gjysmë shekulli Ismail Kadare u bë një nga klasikët modernë të letërsisë duke bërë vend tek më të mëdhenjtë e shekullit njëzet. Duke e shkoqitur në truallin e të rrokshmes, kritikë e juri letrare e kanë vlerësuar shkronjësin më të mirë shqiptar si njeriun që depërtoi si askush tjetër në terratinat psikologjike të totalitarizmave.
Askush tjetër pas Kafkës nuk ka zhbiruar mekanizmin infernal të pushteteve totalitare dhe ndikimin e tij në shpirtin njerëzor me një thellësi hipnotike sa Kadare (Neustadt International Prize, 2020). I pakompromis kur bëhet fjalë për ndershmërinë si shkrimtar, vepra e tij ndërthur të shkuarën dhe të tashmen, mitin dhe ironinë, individualen dhe kolektiven (Prozart, 2020). Zëri i tij është origjinal e universal, por me rrënjët thellë në tokën e vet (Shusha Guppy). I sprovuar me të gjitha dallgët e artit bashkëkohor, patriarku shqiptar i letrave në pothuajse çdo dhjetëvjeçar u ka dhënë lexuesve nga një roman që i befason dhe i shtang e në të njëjtën koha u ngjall ndjenja e mendime të thella (“Magazine littéraire”).
“Letërsia që nuk njeh moshë dhe kapërcen kufij”
Të enjten gjirokastriti Ismail Kadare mbushi 85-vjet. Mu në ditëlindjen e tij, sikur duke e ndjekur një ritual të përvitshëm, Akademia e Shkencave në Republikën e Shqipërisë e ka rikandiduar si propozim për t’u laureuar nga Akademia mbretërore suedeze me çmimin “Nobel” për letërsi.
Emra të njohur të politikës e diplomacisë e kanë uruar Kadarenë, duke e cilësuar si një nga emrat më përfaqësues të kulturës shqiptare në botë.
Nëpërmjet një shkrimi të afishuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar shëndet e jetë të gjatë për Kadarenë.
Sipas tij, ai është gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar.
“Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë”, ka shkruar Meta.
Në një dedikim të veçantë, kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohjen ndaj Kadaresë për, siç ka thënë ai, monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe.
“Për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerr në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetëra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare - ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve...”, ka shkruar kreu i Qeverisë shqiptare.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, i ka uruar jetë të gjatë shkrimtarit të madh duke thënë se për të vitet janë thjesht çështje numrash.
“Sepse shkrimtarët e mëdhenj i tejkalojnë kohërat fizike, duke u shndërruar në të përjetshëm falë veprës së tyre”, ka shkruar ministrja Margariti.
Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ,ka vlerësuar lart kontributin e Kadaresë për letërsinë.
“Është nder t’i urojmë ditëlindjen Ismail Kadaresë, kontributi i të cilit në letërsi nuk njeh moshë dhe është përtej kufijve”.
Kurse ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, ka bërë me dije për botimin e albumit “Kadare dhe Gjirokastra” nga Agjencia Kombëtare e Diasporës. Për të, Kadare është përfaqësuesi më cilësor i evolucionit të mendimit modern të gjuhës shqipe, duke e quajtur atë si të njëjtë për shqiptarët, siç ishte Eskili për grekët, Shekspiri për britanikët, Hygoi për Francën apo Remarku për amerikanët.
“Gjirokastra është një qytet prej guri. Ajo merr pjesë në të padukshmen dhe të dukshmen e mjeshtrit të madh të fjalës së shkruar. Në hapësirën e tij të mendimit tek Gjirokastra do të gjeni kuptimin e shkrimtarit që qëndron mbi kohën”, ka shkruar Majko.
Vargut të urimeve i është bashkuar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e ka cilësuar Kadarenë si gjeni i letrave shqipe.
“Populli shqiptar është me fat që ka një shkrimtar si ju. Të paçim gjatë në mesin tonë”, ka shkruar Hoti.
“Më i lexuari se të gjithë nobelistët e Ballkanit”
Një nga ngjarjet kryesore të ditës, që ka pasur si strumbullar përvjetorin e Kadaresë, ka qenë konferenca shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.
Në fjalën e tij të hapjes, kryeakademik Skënder Gjinushi ka vlerësuar se Kadare e ka bërë letërsinë shqipe të njohur ndërkombëtarisht.
“Kadareja e ngriti letërsinë shqipe në nivelet më të larta të historisë së saj. Çdo letërsi ka uljet e ngritjet e veta, ka përfaqësuesit e saj të periudhave e kohërave të ndryshme, ata që përbëjnë panteonin, e pa dyshim Kadareja është më i shquari në panteonin e letrave shqipe pasi ai e ngriti atë në lartësi të tilla që çdo letërsi i përjeton rrallë në rrjedhë të shekujve”, ka thënë Gjinushi.
Tutje drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, në kumtesën e tij ka vlerësuar se Konica e Koliqi në vitet ‘30 nuk arritën t’i bënin të njohura letrat shqipe jashtë Shqipërisë.
“Kadareja është shkrimtari më i lexuar se të gjithë nobelistët e Ballkanit, ku ndoshta vetëm Kazanzaqi ka këtë njohje kaq të madhe”, ka thënë, ndër të tjerash, Misha.
Ndërkaq njohësi i veprave të Kadaresë, Bashkim Kuçuku, përmes një lidhjeje online ka shkoqitur dimensione të veprave të Kadaresë në kritikën franceze.
Ai është ndaluar veçanërisht te përmbledhja anastatike, të cilën po e boton Akademia e Shkencave, me 2500 shkrime e studime të ndryshme në harkun kohor mes viteve 1971-2000.
Shkrimtari që lartësoi emrin e Shqipërisë

Në vazhdim të kësaj veprimtarie nënkryetari i ASh-së, Vasil Tole, ka ripropozuar kandidaturën e Kadaresë pranë jurisë së çmimeve “Nobel” në Akademinë simotër të Suedisë.
“Dikur ishin nizamёt shqiptarё qё pothuajse ishin tё pranishёm nё katёr cepat e botёs, sot ёshtё vepra letrare e Kadaresё ajo qё bashkё me emrin e autorit lartёson edhe emrin e Shqipёrisё sonё”, ka vlerësuar Tole. “Prandaj ripropozimi ynё pёr kandidaturёn e Ismail Kadaresё nuk ёshtё shenjё e kёmbёnguljes dhe kokёfortёsisё ballkanase, por njё propozim i arsyetuar dhe bindёs tё cilin e ndiejmё si detyrim t’ia pёrcjellim modestisht Akademisё Suedeze dhe Jurisё sё çmimit Nobel”.
Veprimtaria e organizuar nga ASH-a është përmbyllur me ekspozitën e fotografit të njohur, Roland Tasho, e cila ka paraqitur shkëputje momentesh nga jeta dhe karriera e shkrimtarit të njohur.
Në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, edhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me rastin e ditëlindjes së 85-të të shkrimtarit të madh, ka organizuar aktivitetin “Kadare në Letrat Botërore”.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, botuesi i veprave të Kadaresë, Bujar Hudhri, akademik Vasil Tole, si dhe shkrimtarët Diana Çuli, Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj.
Me këtë rast janë lexuar edhe kumtesat e Matteo Mandalàs, Kristaq Jorgos, Mimoza Kores, Lili Sulës, Viola Isufajt, Jorina Kryeziu-Shkreta, Elsa Skënderi-Rakipllarit, Edlira Birkos, si dhe Irena Myzeqarit.
Goodwin: “Kadare, ky shkrimtar i vetmuar”
Titujve të shumtë të shkruar për Kadarenë sot i është ndajshtuar edhe një libër i ri. “Kohë për rrëfim”, është kontributi i gazetares dhe studiueses, Alda Bardhyli, që përmbledh një cikël komunikimesh me shkrimtarin e shquar.
Në intervistat, që botohen me rastin e 85-vjetorit të lindjes, lexuesit kthehen pas në kohë, në fëmijërinë e hershme të shkrimtarit në Gjirokastër, atëherë kur ndodhi e para grishje për shkrimin.
Në bisedat me Bardhylin, Kadare tregon se si ëndrra për t’u bërë shkrimtar i madh u ravijëzua qysh në momentin kur zbuloi Shekspirin në bibliotekën e të ungjit.
Në këta dialogë shkrimtari i njohur evokon afeksionin e tij me damarin e letërsisë botërore, por edhe shkëputje kujtimesh nga vitet ’50, kur si student i Institutit të Letërsisë bie në dashuri me një shoqe të kursit.
Në libër është i pari konfesion i shkrimtarit mbi këtë lidhje, e cila përfundoi me largimin e tij për studime në Moskë.
Po këtu, në mjediset e Institutit Gorki, Kadare tregon për reagimet e studentëve ndaj Boris Pastërnakut që, sipas tij, ravijëzoi edhe pushtetin e diktaturave.
Në faqet e librit me intervista ai tregon edhe për periudhën ruse të jetës së tij, lidhjet intime me vajzat moskovite, sidomos historinë me Llorën.
Në intervistat me Bardhylin, Kadare flet edhe për marrëdhëniet e tij me Hoxhën, Shehun e Aliun, duke i dhënë lexuesit tablonë e një terrori të vazhdueshëm.
Shkrimtari britanik Jason Goodwin, i cili ka shkruar parathënien e këtij libri, ka thënë se bisedat e Alda Bardhylit me Kadarenë mbulojnë një gamë të madhe temash, personale dhe profesionale, përmes një zhbirimi magjepsës në jetën e një shkrimtari që jetoi nën një regjim shtypës.
“Aty gjendet fëmijëria e tij në Gjirokastër dhe përpjekjet e tij të para ‘për t’u bërë shkrimtar’, pas një takimi mbresëlënës me Makbethin e Shekspirit”, shkruan Goodwin.
Letrari anglez ka vlerësuar se libri në fjalë është seria më e shtjelluar e bisedave të mbajtura me Ismail Kadarenë, “një bisedë mes një shkrimtari të rëndësishëm shqiptar dhe një studiueseje të re shqiptare, mbi dashurinë, letërsinë dhe historinë e shekullit XX, që do të bëjë jehonë përtej kufijve të vetë Shqipërisë”.
“Të gjithë shkrimtarët janë të vetmuar, por Ismail Kadareja, ndoshta, më tepër se shumica e tyre, si shkrimtar i cili përdori një gjuhë të vogël, i detyruar që për shumë vjet idetë e tij t’i shprehte nën një diktaturë staliniste. I vetmi njeri më i vetmuar se shkrimtari mund të jetë një diktator. Tiranët dhe sulltanët janë të vetmuar”, shkruan ndër të tjerash Goodwin.
Në parathënien që aludon te “Pallati i ëndrrave”, ai vë në dukje se si sulltani jetonte në mesin e njerëzve të tij në heshtje, duke ushtruar fuqinë e jetës dhe vdekjes, duke drejtuar fatin e duke ndërhyrë në mënyra të vogla e të mëdha.
“Ndonjëherë dekretet dhe interesat e sulltanit patën prekur Shqipërinë, një vend malor i banuar nga një popull i lashtë, i cili flet një gjuhë ilire, që ishte e vjetër edhe kur Sokrati jetonte në Greqi. Pesha e fjalëve të sulltanit ra në mënyrë të shpërpjesëtuar mbi vendin e vogël, ku qëndresa ishte thuajse e kotë. Askush nuk mund t’i kundërvihej apo të kundërshtonte kënaqësinë e sulltanit, sepse rrezikonte vdekjen”.