Kulturë

Julien Libeer në Prishtinë sjell botën e Bachut

Në një orë e dyzet e pesë minuta, në mbrëmjen e pestë koncertale të festivalit “ReMusica”, Julien Libeer mjeshtërisht ka zbërthyer botën e Bachut që ka kërkesa të posaçme. Performanca e Libeer nuk i ka lënë asgjë mangët aty recitaleve që zhvillohen nëpër sallat e njohura të muzikës klasike. “Ishte hera ime e parë në Kosovë dhe u ndjeva shumë i veçantë, sepse e di që ky vend, Kosova, ka një histori dhe posaçërisht ky vend këtu ka një histori”, ka thënë ai

Fryma e barokut ka mbështjellë Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë teksa pianisti belg Julien Libeer solli veprën “Well-tempered Keyboard” të Bachut. Vepra e kompozitorit të shquar konsiderohet si tejet të vështira për t’u interpretuar dhe rrallë zë vend në repertor. Por, kjo nuk vlen për Libeerin. Në një orë e dyzet e pesë minuta, në mbrëmjen e pestë koncertale të festivalit “ReMusica”, mjeshtërisht ka zbërthyer botën e Bachut që ka kërkesa të posaçme. Njëra prej tyre është akordimi i pianos.

Interpretimi i kësaj vepre, e cila përfshihet në Librin I të Bachut, u zhvillua në kuadër të festivalit “ReMusica”. Në koncert recital Libeer ka sjellë Bachun njëqind për qind, ashtu siç ka qenë dhe titulli i koncertit. Vepra është ritmike dhe shquhet nga lëvizjet e shpejta e me plot kapërcime. Teksa gishtërinjtë e tij lëvizin pa ndalur nga një tingull tek tjetri, interpretimi i tij i ngjan një koreografie unike.

Performanca e Libeer nuk u ka lënë asgjë mangët recitaleve që zhvillohen nëpër sallat e njohura të muzikës klasike. Emocionin te publiku artisti e ka përcjellë edhe me mimika. Rrallë ia hidhte shikimin në piano. Në partitura jo se jo. Luan pa partitura fare.

Karshi frymës së koncertit, organizatorët kanë krijuar një ambient goxha intim. Pranë pianos në formë gjysmëhëne janë vendosur dy rende karrigesh. Posa filloi interpretimi i Libeer, dritat që ndriçonin sallën u fikën për t’i lënë hapësirë vetëm njërës që nga lart ndriçonte pianistin dhe hapësirën përreth tij. Në pjesën e majtë të tij gjendeshin shkronja “REMUSICA” të ndiçuara me të kaltër e që i jepnin një lloj freskie sallës.

Mirënjohjen ndaj këtij interpretimi mjeshtëror të Libeerit publiku e shprehu me duartrokitje të gjata, gjë që bëri që artisti të rikthehej dy herë në skenë.

I lumtur për këtë interpretim ishte edhe vetë pianisti Libeer. Ka thënë se nuk do ta ketë të lehtë ta harrojë këtë mbrëmje.

“Ishte hera ime e parë në Kosovë dhe u ndjeva shumë veçantë, sepse e di që ky vend, Kosova, ka një histori dhe posaçërisht ky vend këtu ka një histori. Të vij dhe të luaj në këtë ambient kaq intim këtë muzikë të përjetshme të Bachut në një orë e dyzet e pesë minuta pa pushim dhe në një ngjarje kaq të veçantë, me të vërtetë ishte shume speciale dhe nuk do ta harroj lehtë”, ka thënë Libeer.

Teksa ka folur për punën dhe përkushtimin e madh ndaj kësaj vepre, ai është shprehur se gjëja më e rëndësishme është interpretimi para publikut.

“Bach është një kompozitor që kërkon shumë kohë përpara se ta interpretosh. Duhesh të përgatitesh shumë mirë emocionalisht, fizikisht, teknikisht dhe sapo të jeni në skenë atëherë gjithçka ka të bëjë me koncentrimin dhe përpjekjen që të akordoheni sa më shumë që të jetë e mundur me atë që keni përreth. Dhe pastaj ndoshta gjëra të bukura do të ndodhin. Koncertet janë gjithmonë paksa si një lloj kumari, nganjëherë mund të shkojë tepër mirë, nganjëherë jo, por kjo është e bukura. Ta ndash me njerëzit që janë aty”, ka thënë Libeer.

Ndonëse në repertorin e tij ka një sërë veprash, kishte qenë dëshira e vetë pianistit që të vinte me këtë interpretim. Pas përfundimi të koncertit ai ka thënë se kjo u duk si zgjedhja e duhur.

Image
"Të vij dhe të luaj në këtë ambient kaq intim këtë muzikë të përjetshme të Bachut në një orë e dyzet e pesë minuta pa pushim dhe në një ngjarje kaq të veçantë, me të vërtetë ishte shume speciale dhe nuk do ta harroj lehtë”, ka thënë Libeer.

“Ne patëm një grumbull opsionesh dhe unë i pyeta organizatorët nëse kjo u dukej si një zgjedhje e mirë. Ishte program mjaft sfidues për publikun ashtu siç ishte edhe për mua. Por unë e di që ky është një festival tejet ambicioz artistikisht kështu që isha shumë i lumtur me këtë zgjedhje dhe mendoj se shkoi shumë mirë”, është shprehur ai.

Deri më tani Julien Libeer ka performuar në “Barbican Hall” në Londër, “Auditorio Nacional” në Madrid, “Palau de la Musica” në Barcelonë, “Elbphilharmonie” në Hamburg dhe është mysafir i rregullt i “Palais des Beaux-Arts” në Bruksel dhe “Concertgebouw” në Amsterdam. Përveç kësaj, ka bërë turne në “Sumida Tryphony Hall’ të Tokios, në “Festivalin e Bejrutit”, në “Festivalin e Muzikës” në Ankara dhe në “Festivalin Ndërkombëtar të Pianos” në Miami. Ai është artist në rezidencën në “Flagey’. Ka interpretuar edhe me “Deutsche Kammerphilharmonie Bremen”, “Filharmoninë e Brukselit”, “Orkestrën Kombëtare Belge”, “Orkestrën Simfonike të Antwerp” e të tjera. Ai është muzikant i kompletuar i muzikës kamertale. Punon rregullisht me Augustin Dumay, Camille Thomas, Frank Braley, Maria João Pires dhe Lorenzo Gatto, me të cilët ka interpretuar sonatat e plota për violinë nga Beethoven përgjatë disa sezoneve në ambiente si: “Wigmore Hall”, “Louvre” dhe “Concertgebouw Amsterdam”.

Pianisti Agron Shujaku ka thënë se ka mbetur i mahnitur nga performanca e Libeerit. Është shprehur se këtë koncert do ta mbajë gjatë në mend.

Image
Performanca e Libeer nuk u ka lënë asgjë mangët recitaleve që zhvillohen nëpër sallat e njohura të muzikës klasike

“Ka qenë një prej netëve të mia koncertale, që kam ardhur të dëgjoj një pianist botëror, ka me qenë një natë që do ta mbaj mend, sepse kam ardhur enkas për t’i dëgjuar të gjitha pjesët e Bachut të Librit I që janë shkruar për piano. Pasi që unë vetë në përvojën time pedagogjike edhe kam punuar me nxënësit e mi, gjysmën e veprave që ky i ekzekutoi, prandaj më interesonte se si do të funksionojë ky performim. Kam qenë i mahnitur me atë që kam dëgjuar. Përveç stilit të Bachut që ky pianist e mban, nuk del prej stilit, ka një llojllojshmëri të madhe të shtrirjes së dinamikës në piano dhe lirisë me të cilën interpreton, por gjithmonë mos me dalë nga korniza të stilit të barokut”, ka thënë ai.

Në rolin e pianistit dhe pedagogut, Shujaku ka folur edhe për natyrën dhe karakteristikat e kësaj vepre.

“Ky realisht i ka luajtur 12 shkallë. Janë 12 shkallë dur dhe mol, 24 vepra ose 48 minivepra të cilat shkojnë, C dur, C mol, D dur, D mol e kështu me radhë. Duhet një memorie e hatashme, një koncentrim i veçantë. Përveç tjerash, Bachu është i njohur për performim që pianistët zakonisht i evitojnë si program, sepse nevojitet shumë më shumë përkushtim për ta mbërritur atë nivelin koncertal, andaj mendoj që është një mbrëmje që unë do ta mbaj në mend”, është shprehur ai.

Pianisti i ri Andi Duraku, koncertin e ka vlerësuar si përvojë të veçantë. Ka çmuar ardhjen në Kosovë të një artisti si Libeer.

“Në fakt ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme duke pasur parasysh që po ekzekutohet komplet libri i parë i preludeve dhe fugave të Bachut. Ka qenë një mbrëmje e jashtëzakonshme dhe është një kënaqësi për secilin prej nesh që një artist i tillë vjen në Kosovë dhe interpreton në këtë nivel të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.