Kulturë

Julian Moss: Baleti është mënyrë e të jetuarit

Lista e skenave botërore ku ka interpretuar si balerin është e gjatë, e shumëfish më shumë është edhe ajo e përjetimeve. Por krejt këto emërues të përbashkët, për ish-balerinin e koreografin e njohur anglez Julian Moss, kanë një përkufizim të prerë: baleti nuk është profesion. Moss në një intervistën për KOHËN flet për takimin e parë me artin, për “prishjen” e rendit të familjes së tij prej shkencëtarëve, takimin me mësuesin e tij, të famshmin Robert North

“Baleti nuk është profesion, është mënyrë e të jetuarit”, thotë me bindje ai dhe ketë e konfirmon disa herë. Mendimi dhe veprimi janë bërë tok, duke pasqyruar një jetë të tërë të përkushtuar ndaj skenës.

Për ish-balerinin dhe koreografin Julian Moss gjithçka kishte nisur në moshën 8-vjeçare, atëherë kur në mes të aktrimit dhe baletit zgjodhi të dytën. Nuk i pëlqenin fjalët, por lëvizjet artistike. Andaj edhe vendosi që t’i fliste botës me fuqinë e madhështisë së baletit.

Moss u kthye në emër të përveçëm që nga momenti kur ndau mendjen për rrugën profesionale të jetës, teksa pati fatin të shkollohej në vendin e njëjtë ku dolën emra të mëdhenj të artit skenik si Riccardo Buscarini, Richard Alston, Tom Hobden e shumë të tjerë.

“Më 1975, kompania e quajtur ‘London Contemporary Dance Theatre’ erdhi afër qytetit ku unë jetoja dhe performoi në teatrin tonë. Mësuesi im na dërgoi aty për ta parë performancën dhe unë thashë: ‘Ky është vendi që unë duhet të shkoj. Dua të jem pjesë e kësaj kompanie”, tregon me entuziazëm Moss.

Në mesin e shkencëtarëve, një artist

Babai arkitekt dhe profesor universitar, nëna infermiere dhe vëllai shkencëtar, e përbënin familjen angleze Moss. Mirëpo akademizmi dhe racionalja e shkencës, djalit të parë të familjes s’i kishin pëlqyer kurrë.

“Nuk desha të bëhesha si të gjithë të tjerët”, thotë Moss kur shpjegon vendimin e tij.

Besimi në të qenit ndryshe i kishte dhënë kurajë që një ditë të trokiste në zyrën e babait të tij, e cila ishte në shtëpinë e tyre.

“Unë i thashë: ‘Baba më duhet të flas me ty, kam vendosur të bëhem balerin’. Ai tha: ‘Në rregull’. Unë i thashë: ‘A do t’i paguash shpenzimet e mia për të shkuar në shkollë baleti?’ Më tha: ‘Po’. Një ndër sfidat më të mëdha përfundoi”, rrëfen 61-vjeçari.

Mirëpo ballafaqimi nuk kishte mbaruar me kaq. Babai fjalëpak ia kishte lënë një porosi i cila e kishte ndjekur pas si hije.

“Shkova te dera për t’u larguar nga zyra e tij dhe ia ktheva shpinën. Në atë moment ai thirri: ‘Julian’! Dhe unë mendova ‘Oh, jo!’ U ktheva nga ai, më shikoi drejt në sy dhe më tha: ‘Sigurohu se je shumë i mirë në atë që po e bën!’. Dhe kjo gjithmonë rezonoi në kokën time. Zërin e këtyre fjalëve ende mund ta dëgjoj”, shprehet Moss.

Dhe kështu ëndrra e tij për të vazhduar në një shkollë – e cila ishte prestigjioze atëherë dhe tash – gjeti realizim. Gjatë tre vjetëve të studimeve ai frymoi me drejtimin të cilin e ndiqte, duke realizuar me kolegët e tij me mijëra shfaqje të inskenuara në vende të ndryshme.

“Ne duhej t’i përgatisnim 254 shfaqje brenda vitit, ishte çmendurisht intensive. Ti jetoje me 20 njerëzit e njëjtë gjatë gjithë kohës dhe ishte intensive, por edhe e mrekullueshme”, tregon Moss.

Në anën tjetër, ai thotë se përveç profesionalizmit, profesorët e tij ofronin edhe humanizëm për ta dhe kjo e kishte bërë të lidhej edhe më shumë me degën akademike.

{gallery}

Gjatë një karriere prej gati katër dekadash, Julian Moss si balerin ka shkelur në skena prestigjioze. Por edhe kur e la kërcimin, nuk iu nda baletit


Mundi i kurorëzuar me profesionalizëm

Pas mbarimit të studimeve akademike si student i dalluar në “London Contemporary Dance School”, Julian Moss arriti të jetë pjesë e një prej teatrove më të famshme në botë. “London Contemporary Dance” ia hapi dyert ish-balerinit si solist. Atëherë ishte nën drejtimin e Robert Cohanit.

Moss pati fatin që bashkë me këtë trupë balerinësh të ‘linte takim’ të puandeve me dyshemetë e skenave më të mëdha në botë. Madje ai u dha jetë mbi 3 mijë veprave.

“Në kohën time ne kemi bërë dy Festivale Olimpike të Artit – një në vitin 1984 dhe një më 1988. E kemi bërë Festivalin Amerikan të Vallëzimit dhe një shëtitje rreth botës”, tregon me mallëngjim koreografi anglez.

I njohur si “Festivali i Kërcimin Olimpik”, organizimi i vitit 1984 kishte bërë bashkë 400 shfaqje nga 145 grupe teatrore, vallëzimi e muzike, të cilat gjenin pikëtakim në Los Angeles.

Ndërkaq Festivali Amerikan i Vallëzimit është organizimi më i madh, kushtuar vallëzimit modern, teksa ekipi i “London Contemporary Dances” u shfaq aty në 50-vjetorin e tij.

Por, pavarësisht që ishte në kuadër të trupës së Londrës, Julian Moss nuk u mjaftua me kaq. Në të njëjtën kohë ai iu bashkua grupeve si “Peter Sparling and dancers”, “Jane dudley and dancers”, “Ingegard Lonroth and Dancers” dhe “The English Bach Festival”.

Dashuria ndaj artit që jetësohet edhe në familje

Me emocion flet për familjen e tij. Dashuria që ndiente për artin kishte bërë që ajo të shkallëzohej edhe në dashurinë ndaj njeriut, gjegjësisht ndaj gruas së tij.

Julian kishte parë Cecilian, gruan që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij, kur kishte shkuar ta jetësonte “Troy Game” në Suedi. E kishte takuar atë në një studio, teksa ajo kërcente, dhe që nga ai moment ai kishte mbetur i fascinuar me të. Njësoj si bashkëshorti, edhe ajo ka një bagazh të pasur artistik. Një përvojë mbi 30-vjeçare si balerinë, koordinatore e menaxhmentit në Operën e Gotenbergut dhe drejtoreshë në Royal Swedish Ballet School, janë veçantitë e saj profesionale. Aktualisht ajo punon në një kompani administrative.

Vite më vonë ata krijuan familje me pak anëtarë, por me shumë shpirt kulture. Vajza e madhe, 26-vjeçare, Maya, ka ndjekur shkollën ndërkombëtare në Gotenberg, teksa studimet akademike i kreu në një ndër universitetet më të mira të Britanisë së Madhe, ndërkaq vazhdoi edhe me studimet në master. Aktualisht ajo është duke punuar në Londër si këshilltare në Qeverinë angleze.

Ndërkaq vajza e dytë, e cila tani është 22 vjeçe, Imogen, kishte vendosur të ndiqte rrugëtimin e prindërve. E ndodhur aktualisht në Rumani pas studimeve në Britani të Madhe, ajo është pjesë e përditshme e artit të kërcimit.

“Ajo vinte në provat e mia dhe përherë tentonte të më kopjonte”, shprehet Moss me ngazëllim për vajzën e dytë.

Në mesin e shumë jetësimeve skenike të autorëve të tjerë, Moss e kishte ndierë nevojën e krijimit dhe jo vetëm të interpretimit. Kështu, gjatë epokave të ndryshme ai kishte realizuar 31 vepra, duke qenë koreograf i tyre.

Moss tregon se shumicën e tyre e kishte krijuar për “London Contemporary School”, ndërkaq të tjerat kishin qenë krijime speciale për shkolla baleti, një në Turqi e një në Hungari.

Ani pse e ka të vështirë ta ndajë një vepër nga tjetra, një ndër të cilat përmend është edhe shfaqja “Clutching At Straws”, e cila ka frymë angleze. Në vitin 2013, kjo vepër ishte luajtur në Teatrin Mbretëror në Glasgow, teksa në thelb ishte një kombinim mes humorit dhe inovacionit artistik.

Në mësim të veprave të udhërrëfyesit

“Robert ka një vend të veçantë tek unë. Ai më mësoi se si të kërcej”, thotë Julian Moss për koreografin e famshëm të cilin e kishte mësues, Robert North. Artisti amerikan përveç shkollimit në adresat prestigjioze të baletit, si në Shkollën Mbretërore të Baletit dhe në “London Contemporary Dance School”, ka punuar në mbi 95 kompani të baletit dhe ka realizuar mbi 100 koreografi, të cilat kanë shëtitur botën.

Relacioni i tyre kishte kapërcyer nga ai i mësimdhënësit e nxënësit, duke dalë në mësues të veprave të udhërrëfyesit.

“Kur e kam njohur për herë të parë kam qenë 16 vjeç, ai ishte një 31- vjeçar duke kërcyer. Roberti ishte një kërcimtar spektakolar, isha i emocionuar nga profesionalizmi i tij”, tregon Moss.

Mirëpo, ashtu siç thotë thënia e urtë se mësues i mirë është ai që e perfeksionon nxënësin, njësoj ndodhi te ata të dy. Një ditë zilja ia kishte marrë vëmendjen Mossit, në anën tjetër të telefonit ishte Northi, i cili kishte një kërkesë të veçantë.

“Ai më tha ‘A do të shkosh në Amerikë t’ua mësosh balerinëve atje veprën ‘Troy Game’ për mua?’. Kjo ishte si ta kem një dorë të madhe të tij mbi mua (përmes veprës), dhe unë thashë: ‘Po’”. E kështu kishte nisur rrugëtimi i shfaqjes së pjesës artistike të Northit.

Në mesin e ulëseve ishte mësuesi North, duke shikuar punën koreografike të nxënësit të tij, Mossit. Admirimi i mësimit të kësaj vepre te të tjerët shënoi hapjen e një kapitulli të ri. “Troy Game” si një fuqi artistike mashkullore, arriti të shëtiste skena botërore, nën asistimin e Mossit, duke përfshirë SHBA-në, Italinë, Gjermaninë, Zvicrën, Turqinë dhe së fundmi edhe Kosovën. Ai qe udhëheqës koreografik i kësaj pjese që bashkë me “Entre dos Aguas” po ashtu të Northit, u bënë bashkë në premierën që Baleti Kombëtar i Kosovës dha në mes të këtij muaji. Moss për Northin nuk është veç mësues e udhërrëfyes.

“Isha me të një vit më parë dhe i thashë: ‘Kurrë më parë s’ta kam thënë, por ta kam borxh një mirënjohje të madhe që kurrë s’do të mund ta paguaj. Kur më vdiq babi, i thashë: ‘Ti do të bëhesh babai im i ri’, sepse kjo është se si ndihem me të”, përfundon Moss.

Rënia e fundit e perdes

Fjalën e gjuhës angleze “deadline”, e që në shqip përkthehet si “afati i fundit”, Moss e përdor figurativisht për të dëshmuar emocionin e tij para ulëseve të teatrit.

“’Deadline’ më i madh është kur ndodheni në skenën e teatrit dhe perdja ngrihet lart. Tre mijë e pesëqind persona janë ulur përballë teje dhe menaxhmenti i skenës të thotë ‘perdja do të bjerë’. Ky është ‘deadline’ i vërtetë”, shprehet me emocion Mossi.

Nga të gjitha skenat prestigjioze ku ka luajtur, Moss veçon atë të Izraelit, në të cilën përballë tij ndodheshin 10.000 shikues.

Tutje, ai thotë se pavarësisht që ka artistë të cilët nuk e dinë se kur do të jetë performanca e tyre e fundit në skenë, ai e kishte ditur.

“Ishte viti 1998 në Itali, e kam një fotografi të vetes duke u bërë gati para shfaqjes dhe e dija se ajo ishte performanca ime e fundit”, kujton ai fundin e karrierës si balerin. Perdja kishte rënë për të fundit herë, por rrugëtimi ende nuk kishte mbaruar. Përtej veprave koreografike, Julian Moss shërbeu për shtatë vjet me radhë si ligjërues në “University College of Dance” në Stokholm.

Në anën tjetër, për të dëshmuar se çfarë është bërë me djaloshin i cili nisi rrugëtimin në moshën 8-vjeçare dhe ndërpreu paraqitjen skenike pas 38 vjetëve mund, përdor një fjalë që i ka rënë në sy në një mëngjes.

“Kam lexuar diçka ironike që thotë: ‘Të gjithë balerinët vdesin dy herë: hera e parë është kur ndalen së kërcyeri’, përfundon ai.