Kulturë

Jeton Neziraj, fitues i “Katarina Josipit”: Shoqërisë i duhet drama shqipe

Jeton Neziraj, fitues i “Katarina Josipit”

Ceremonia e së mërkurës ka bërë bashkë një pjesë të skenës teatrore në Kosovë dhe ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Si zakonisht, ka pasur ankesa, sugjerime e përgëzime. Mbi të gjitha është kërkuar tjetër konsideratë ndaj dramës shqipe e po ashtu ndaj artistëve tashmë të dëshmuar (Foto: MKRS)

Me “Udhëtimin e Familjes Müller në Unmikistan”, një ironi e hollë midis Ballkanit dhe Evropës, dramaturgu Jeton Neziraj ka marrë çmimin e parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi”, të dytin e ka marrë Astrit Kabashi me dramën “Fridrih Fluturaku” e të tretin Hyjno Vitia për dramën “Zelus”. “Vëmendja te drama shqipe nënkupton një teatër i cili i merr parasysh kërkesat, vibrimet e zhvillimet shoqërore e politike dhe është e shëndetshme jo më veç për teatrin si institucion, por edhe për vetë shoqërinë”, ka thënë Neziraj në ceremoninë ku ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se ndien obligim ta shprehë një solidaritet institucional me të pasi kohëve të fundit ka qenë i sfiduar për shkak të punës së tij. E ka pasur fjalën për rastin me Turqinë dhe me nobelistin kontrovers Peter Handke

Njëfarë familje gjermane ia mësyn vendit imagjinar Unmikistan. Kontradiktat me të cilat përballet e vetë emri i shtetit imagjinar tregojnë se bëhet fjalë për zallamahinë ballkanike. Sipas përshkrimit që i është bërë, drama më e re e Jeton Neziraj do të kthejë në skenë përballjet e ironinë midis botës evropiane dhe asaj të gadishullit në jug të kontinentit të vjetër. 

“Udhëtimi i Familjes Müller në Unmikistan” me autor Jeton Nezirajn është fituese e çmimit të parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi”. Në ceremoninë e mbajtur në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, çmimin e dytë e ka marrë drama “Fridrih Fluturaku” me autor aktorin Astrit Kabashi kurse çmimin e tretë e ka marrë dramaturgu i ri Hyjnor Vitia për dramën “Zelus”. 

Ceremonia e së mërkurës ka bërë bashkë një pjesë të skenës teatrore në Kosovë dhe ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Si zakonisht, ka pasur ankesa, sugjerime e përgëzime. Mbi të gjitha është kërkuar tjetër konsideratë ndaj dramës shqipe e po ashtu ndaj artistëve tashmë të dëshmuar. 

Juria në përbërje të Fadil Hysajt, Kushtrim Koliqit, Bislim Muçajt, Kushtrim Mehmetit dhe Zoga Çeta-Çitakut sivjet ka pasur në shqyrtim, sipas tyre, 24 drama. 

Sipas arsyetimit të jurisë, vepra “Udhëtimi i Familjes Müller në Unmikistan” është një komedi satirike e cila sjell një udhëtim të paharrueshëm në një vend imagjinar si Unmikistani, ku përplasen elemente nga realiteti dhe fantazia. 

“Historia përshkruan kthimin e një familjeje gjermane, Familjes Müller, që lë pas një jetë të sigurt për të kontribuar në ndriçimin dhe zhvillimin e Unmikistanit, një vend që përfaqëson sfidat dhe absurditetet e realitetit ballkanik”, shkruhet në arsyetimin e jurisë të lexuar nga Kushtrim Mehmeti, njëherësh udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. 

Sipas jurisë, duke përfshirë personazhe nga përrallat si “Sinderella” dhe figura mitologjike shqiptare si Muja nga ‘Muja dhe Halili’, kjo dramë shndërrohet në një mozaik kulturash dhe të qeshurash të thella. Satira e përpunuar me kujdes dhe dialogët plot ironi krijojnë një atmosferë të veçantë ku lexuesi përballet me absurditetet e përditshmërisë së një shoqërie që kërkon të ndërtojë një të ardhme më të ndritur”, shkruhet në arsyetim. Po ashtu sipas jurisë, “Udhëtimi i Familjes Müller në Unmikistan” është një reflektim mbi idealizmin dhe përplasjen me realitetin, duke bërë që lexuesit të përfshihen në të qeshura dhe mendime të thella për fatin e vendeve që kërkojnë dritën e ndryshimit. 

“Ajo që po më shqetëson është fakti që ka ngelur veç kjo datë kur flitet për dramaturgjinë shqipe. Kur e shohim peizazhin e dramaturgjisë shqipe prej vjet në këtë kohë deri sivjet pak ka drama shqipe të inskenuara. Teatrot publike edhe kur inskenojnë e kanë si njëfarë obligimi duke thënë se e inskenuam një dramë shqipe”, ka thënë ai

Laureati i çmimit të parë, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se ndihet i lumtur që ky konkurs po vazhdon dhe fakti që sivjet kanë qenë 24 drama po tregon që krijuesit janë të interesuar. 

“Ajo që po më shqetëson është fakti që ka ngelur veç kjo datë kur flitet për dramaturgjinë shqipe. Kur e shohim peizazhin e dramaturgjisë shqipe prej vjet në këtë kohë deri sivjet pak ka drama shqipe të inskenuara. Teatrot publike edhe kur inskenojnë e kanë si njëfarë obligimi duke thënë se e inskenuam një dramë shqipe”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, teatri në Kosovë duhet të jetë i lidhur me dramën shqipe. 

“Vëmendja te drama shqipe nënkupton një teatër i cili i merr parasysh kërkesat, vibrimet e zhvillimet shoqërore e politike dhe është e shëndetshme jo më veç për teatrin si institucion por edhe për vetë shoqërinë”, ka thënë Neziraj. Është dramaturgu shqiptar më i përkthyer dhe i inskenuar. Dramat e tij janë luajtur në skena teatrore deri te “La Mama” në New York. Para se Neziraj të flasë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se e ndien obligim ta shprehë një solidaritet institucional me të pasi kohëve të fundit ka qenë i sfiduar për shkak të punës së tij. 

“Po besoj për arsye thjesht politike ose motivacione të tjera joparimore për dramën ‘Të gjashtët kundër Turqisë’ e edhe për ‘The Handke Project’ nga nobelisti i famshëm në kuptimin negativ. Si institucione dhe si shoqëri e kemi për obligim me u siguru që liria kreative dhe krijimtaria artistike të zhvillohet pa u penguar dhe kur pengohet të jemi aty në mbështetje. Jeton jemi me ty dhe gjithë krijuesit që bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Çeku. 

Mediat turke kishin shkruar për shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” me autor Jetn Nezirajn dhe regjisore Blerta Nezirajn. E kishin akuzuar këtë produksion si propagandë pasi shfaqje trajton deportimin e gjashtë turqve nga Kosova me kërkesë të shtetit turk që udhëhiqet nga presidenti Recep Tayyip Erdogan me arsyetimin se gjoja ata i takojnë një grupi që Turqia e ka shpallur terrorist. KOHA ka raportuar se edhe Ambasada e Turqisë në Kosovë kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Kulturës për shfaqjen e dhënë premierë muajin e kaluar. 

E nobelisti Peter Handke nëpërmjet avokatit të tij kishte kërcënuar teatrin parisien “Theatre Studio” për lajmërimin që i kishte bërë shfaqjes “The Handke Project” e cila është dhënë në dy termine në kryeqytetin francez në fund të javës së kaluar. Që të dyja këto zhvillime qenë një lloj drame. Normalisht, jo për ndonjë çmim. 

Sipas jurisë, “Fridrih Fluturaku” me autor Astrit Kabashin përçon një ndjesi të thellë dhe të fuqishme mbi kufirin e brishtë midis ëndrrës dhe realitetit. 

“Figura qendrore e Fridrihut, me obsesionin e tij për të fluturuar, shndërrohet në një simbol të aspiratave të pakapshme dhe të dëshirës së zjarrtë për t’u shkëputur nga kufizimet e tokës dhe për t’iu afruar idealeve të larta”, shkruhet në arsyetim. Sipas jurisë, Fridrihu, një ndjekës i pashpresë i ëndrrave, shihet si një figurë e përqeshur dhe e refuzuar nga të tjerët, përfshirë bashkëshorten e tij. 

“Alma është një personazh që mishëron jetën e zakonshme dhe të thjeshtë, e cila kërkon përkushtim ndaj përgjegjësive familjare dhe materializimin e jetës. Mirëpo, ajo ka humbur çdo ndjesi të gjallërisë, duke u kthyer në një kujtesë të vakët që e shtrëngon Fridrihun të zbresë në tokë e të kujdeset për të tashmen. Në fund, kuptojmë që Alma është e vdekur, si një simbol i përhumbjes së të gjitha lidhjeve që Fridrihu ka me realitetin”, shkruhet në arsyetim. Sipas jurisë, në fund, Fridrihu realizon ëndrrën e tij për të fluturuar, por në një mënyrë që e çon drejt vdekjes. Ky akt i fundit i përpjekjes për të arritur të pamundurën përmes fluturimit, përfundon në një tragjedi që nënvizon kontrastin e fortë midis aspiratave të tij dhe realitetit shkatërrues.

Vjet me vend të parë ishte vlerësuar triptiku i Kabashit, “Gërrdia”, kurse me të dytin “Uellsi ka një mbret” me autor Jeton Nezirajn. 

Sipas vlerësimit të jurisë, sivjet çmimi i tretë i takon dramaturgut të ri Hyjnor Vitia për dramën “Zelus”. Sipas arsyetimit të pesëshes, drama “Zelus” ka një gjetje të veçantë artistike që pasqyron një bashkëbisedim paralel mes autores Thana dhe personazhit të saj Elada. 

“Ky dialog mes reales dhe krijimit e bën një lloj transferimi të emocioneve dhe mendimeve nga autorja te personazhi, duke krijuar një bashkëjetesë komplekse mes tyre. Në këtë rrjedhë, Thana dhe Elada, përmes fjalëve zhyten në dramën e një çifti, ku vihen në pah pjesë të ndërlikuara si posesiviteti dhe dhuna sistematike e burrit ndaj gruas së tij, përderisa besnikëria dhe morali i saj vihet në pikëpyetje”, shkruhet në arsyetim. Aty bëhet e ditur se drama përfundon me një të vërtetë tronditëse dhe zhvillon një portret të dhimbshëm dhe të gjallë të krizave emocionale që shpërfaqen te një çift duke humbur besimin brenda një marrëdhënie.

Në cilësinë e anëtarit të jurisë, dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj ka thënë se ky konkurs duhet të shërbejë për dramaturgë të rinj. 

“Nuk e di çfarë kërkon Jetoni këtu...”, ka thënë ai. Sipas tij duhet të ndërrojnë politikat teatrore dhe njerëzit si Neziraj që nëpërmjet shfaqjeve bëjnë që të reagojë edhe një nobelist, të konsiderohen ndryshe. Sipas tij, varësisht nga temat që do të vendosë në skenë teatri, njerëzit si Neziraj duhet të thirren e të angazhohen. Hysaj ka thënë se duhet çuar përpara estetika teatrore pasi teatri i Kosovës tashmë është i dëshmuar dhe se ata që kanë vlera duhet të punojnë gjithnjë. 

Çmimet që mbajnë emrin e një prej aktoreve të para shqiptare në Kosovë, Katarina Josipi, kanë edhe vlerë financiare. Çmimi i parë 3600 euro, i dyti 2400 kurse i treti 1200.