Kulturë

“Jericho” me gegë-rock shkund Mitrovicën me traditë e identitet

Sapo “Jericho” doli në skenë, tingujt e parë janë lidhur me thelbin e Ditës së Flamurit. Shkrirja e tingujve me nëntorët patriotikë krijoi ndërthurje harmonike duke përforcuar rëndësinë kulturore të ngjarjes. Ishte një festë muzikore për trashëgiminë e identitetin që shkoi paralelisht me ditën e veçantë për shqiptarët. Mitrovica është shkundur me gegë rock

Në një natë feste për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, qendra “7 Arte” në Mitrovicë u shkund prej një performance elektrizuese nga rock-grupi i njohur “Jericho”. Bendi njihet për shkrirjen unike të rockut alternativ, tingujve elektronikë dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare. Është gegë-rocku për të cilin shquhet “Jericho” me një karrierë mbi çerekshekulli.

Shpalosja e kësaj palete të larmishme muzikore shtroi skenën për një natë të paharrueshme që ndërthur pa problem bashkëkohoren dhe tradicionalen.

Rëndësia e këtij rasti u bë e dukshme kur “Jericho” doli në skenë, duke e lidhur muzikën me thelbin e Ditës së Flamurit. Shkrirja e tingujve me nëntorët patriotikë krijoi ndërthurje harmonike, duke përforcuar rëndësinë kulturore të ngjarjes. Ishte një festë muzikore për trashëgiminë e identitetin që shkoi paralelisht me ditën e veçantë për shqiptarët.

Mbrëmja nisi me “Nëntor i ftohtë”. Fillimi i këngës përçon një ndjenjë nostalgjie derisa rrit intensitetin edhe te publiku. Secili i zhytur në ambientin patriotik, u transportua në një arenë euforie muzikore me hitet si “Zgjohu”, “Shkaba”, “Albanian rhapsody” dhe “Kur do të pushojë kjo kangë”.

Vallëzimi i sinkronizuar me “Zgjohu” dhe jehona tingëlluese e “Shkabës” që kumbon në të gjithë hapësirën e dëshmoi fuqinë e teksteve të këngëve pjesa më e madhe të shkruara nga frontmeni i grupit, Petrit Çarkaxhiu. “Kur do të pushojë kjo kangë” shpërfaqi një prirje të bendit për të shndërruar vuajtjet në art.

Aftësia e “Jerichos” për të përzier pavërejtshëm elementet tradicionale shqiptare me ndikimet bashkëkohore të rockut u bë e dallueshme në çdo këngë. Audienca e përbërë kryesisht nga të rinj nuk hezitoi ta shprehë entuziazmin dhe pëlqimin e diversitetit dinamik të repertorit të grupit.

Vokalisti Çarkaxhiu – ka thënë se janë pikërisht këta të rinj që ushqejnë vrullin e tyre si grup. Lidhja mes “Jerichos” – me Leonard Canhasin në kitarë, Edmond Gjinolli në bass e Visar Rexha në bateri – dhe audiencës entuziaste nuk bëhet thjesht një shkëmbim muzikor, por një burim frymëzimi dhe energjie reciproke. Ai a nënvizuar rolin që luan brezi i ri në ruajtjen dhe nxitjen e rrugëtimit artistik të “Jerichos”, duke krijuar një ndërveprim dinamik që u jep jetë performancave të tyre.

“Koncertet që mbahen në ambiente të mbyllura që nuk është shumë tipike për ne, por këto të mbyllurat janë shumë më të lezetshme. Vetë ne anëtarët e bendit marrim më tepër kënaqësi në ambiente të tilla, meqenëse krijohet një atmosferë pak më intime. Këtu e kemi vërejtur edhe dallimin në gjenerata e sot ishin shumë më të rinj, prandaj edhe e thashë që po më duket sikur kur kemi qenë në shkollë të mesme kur kemi filluar të bënim muzikë, gjë që na ngjall shumë nostalgji, por edhe kënaqësi”, ka thënë Çarkaxhiu.

Historia që ka qyteti i Mitrovicës sa i përket muzikës dhe artit në përgjithësi është vlerësuar nga Çarkaxhiu dhe theksi në kultivimin e shijes muzikore përmes edukimit ia ka shtuar veçantinë mbrëmjes. Njohja e historisë së Mitrovicës sa i përket muzikës rock shërbeu si një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, duke nxitur një lidhje më të thellë midis bendit dhe audiencës. Çarkaxhiu ka theksuar se në Mitrovicë takohen me publik të informuar.

“Sidomos kur është fjala për qytetin e Mitrovicës, meqenëse e ka një traditë të muzikës rock. Bendet e para janë formuar këtu dhe skena e parë mund të them që është formuar në Mitrovicë, gjithashtu është edhe rock-shkolla e Mitrovicës. Natyrisht rinia e qytetit ka një edukim më të ngritur sa u përket shijeve muzikore dhe kjo për neve është ekstra kënaqësi të performojmë këtu”, është shprehur Çarkaxhiu.

Image
Aftësia e “Jerichos” për të përzier pavërejtshëm elementet tradicionale shqiptare me ndikimet bashkëkohore të rockut u bë e dallueshme në çdo këngë. Audienca e përbërë kryesisht nga të rinj nuk hezitoi t’i shprehë entuziazmin dhe pëlqimin e diversitetit dinamik të repertorit të grupit

Ndër të tjera “Jerichon” e veçon edhe fakti se në programe nuk përfshin këngë të huaja. Mbrëmja e së martës bëri përjashtim kur u dalluan që në sekondat e para tingujt e hitit “Nothing else matters” nga “Metallica”. Sipas vokalistit patën një arsye pse e performuan këngën e pavdekshme.

“Një gjë dihet që ne nuk luajmë këngë të huaja. Këtë natë i luajtëm pikërisht për shkak të asaj nostalgjisë të koncerteve të rinisë sonë”, ka përfunduar Çarkaxhiu.

Ndërsa nata vazhdoi, performanca e “Jericho” u bë një udhëtim nëpër kohë dhe traditë, me çdo këngë që tregon një histori unike. Energjia infektive e turmës pasqyron pasionin e grupit, duke krijuar një atmosferë elektrike që kapërcen kufijtë e një koncerti tipik.

Lulzim Hoti nga “7 Arte” u shpreh i kënaqur duke thënë se nata u zhvillua siç ishte planifikuar: me performancën e jashtëzakonshme të “Jerichos”, më 28 Nëntor, në Mitrovicën e Isa Boletinit

“’Jericho’ si bend i njohur te shqiptarët ka mundur të jetë në Tiranë sonte, ka mundur të jetë në Prishtinë por ja që është në qytetin e Isa Boletinit, në Mitrovicë pikërisht në këtë datë që u shënua në vendin e duhur. Kështu që është shumë kënaqësi që i ofruam secilit mundësinë që ta festojë këtë natë ashtu siç ka dëshirë”, ka thënë Hoti.

Artiola Fejza, e cila këndoi me secilën këngë të “Jerichos”, natën e ka konsideruar të paharrueshme pasi shënoi eksperiencën e saj të parë live me grupin. Ndjenja e saj nënvizon ndikimin e performancave live, ku muzika kapërcen versionet e regjistruara dhe bëhet një takim i jashtëzakonshëm dhe i paharrueshëm.

“Ka qenë mënyra më e mirë si kisha mundur ta kaloja 28 Nëntorin. Jam jashtëzakonisht fanse e madhe e ‘Jerichos’, në fakt kjo është hera e parë që jam në koncert të tyre edhe energjia ka qenë tjetër nivel. Po besoj që krejt jemi kënaqur, sepse e kemi parë që secili i pranishëm ka qenë duke e kënduar secilën këngë dhe ka qenë jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Fejza.

“Jericho” është i formuar në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Përveç instrumenteve standarde të rockut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli e çiftelia. Një nga këngët e para si dhe ajo që i mundësoi “Jerichos” të mbledhë një publik rreth vetes është '”Don’t f*** with Albanians” njësoj si “Tomlin e nonës” e ikonikja “Zgjohu”. “Më pastro”, “Ëndërr e prerë”, “Fundi”, “Kënga e ashikëve”, dhe “Kanga jonë” janë disa prej titujve të këngëve të publikuara ndër vite, ndërsa me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, 11 vjet më parë, bendi lansoi “Nëntor i ftohtë”. Derisa rock-bendi i njohur mban koncerte dhe mbrëmje muzikore, hapat e parë drejt projekteve të reja veçse janë bërë.