Kulturë

“Jericho” me gegë-rock për festë e kujtesë

“Jericho” me gegë-rock për festë e kujtesë

“Sot e kemi bërë një përmbledhje të repertorit tonë, duke përfshirë edhe këngët e viteve ’90 që janë kryesisht këngë në gjuhën angleze, tek mbas viteve 2000 janë në shqip. Komplet këngët më të njohura tona, diku 18 këngë sot i kemi interpretuar dhe janë këngë të cilat në një mënyrë janë njëfarë rrëfimi i asaj se çfarë kemi kaluar ne si shoqëri prej që ekzistojmë si bend, 28 vitet e fundit”, ka thënë vokalisti, Petrit Çarkaxhiu

Historia e vendit është në vargjet e meloditë e bendit të lindur si produkt i rrethanave politike. Aty është përjetësuar, e ky opus muzikor ka ringjallur emocionet e së shkuarës te publiku në koncertin e së shtunës mbrëma në Prishtinë. Këngët e realizuara në rrethana okupimi e lufte të bendit “Jericho”, kanë qenë atmosfera festive për datën historike, por edhe për 28 vjetët e bendit në skenë. Me atë që bendi e quan gegë-rock, i ka kënduar festës e kujtesës

Dy ditë para rrumbullakimit të 17 vjetëve të pavarësisë së Kosovës, këngët e realizuara në rrethana okupimi e lufte të bendit “Jericho”, kanë qenë atmosfera festive për datën historike, por edhe për 28 vjetët e bendit në skenë. Historia e vendit është në vargjet e meloditë e bendit të lindur si produkt i rrethanave politike. Aty është përjetësuar, e ky opus muzikor ka ringjallur emocionet e së shkuarës te publiku në koncertin e së shtunës mbrëma në Prishtinë. 

“Salla e Kuqe” është transformuar për këtë koncert. Jo shpesh kjo hapësirë merr pamjen të cilën e ka pasur për koncertin e “Jerichos”. Rendi i njerëzve te hyrja ka qenë paralajmërimi se salla është plot. Muzika elektronike ka jehuar deri jashtë të cilën të pranishmit që janë mbledhur secilën herë më shumë, e kanë shijuar derisa ka dalë bendi në skenë. 

Dritat e kanë pasur rolin kryesor për kah ana estetike, veçmas ato në skenë që kanë shtuar efektet e një koncerti të veçantë. E hijeshia qendrore ka qenë paraqitja në skenë e katër anëtarëve të bendit që për afër 28 vjet u ka kënduar kohëve të turbullta të shoqërisë, vuajtjeve, luftës, politikës. 

Koncertet e fundit të “Jerichos” në Prishtinë, kanë qenë kryesisht në ambiente të hapura, si ai për Ditën e Çlirimit në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe ai në kuadër të festivalit “Festat e korrikut” në rrugën “2 Korriku”. Kësaj here vjen më ndryshe nga “Rave” që me këtë organizim e ka festuar edhe 15-vjetorin e tyre. 

Me rreth 50 minuta vonesë, “Jericho” në përbërje prej vokalistit Petrit Çarkaxhiut, Leonard Canhasit në kitarë kryesore, Edmond Gjinollit në bas-kitarë dhe Visar Rexhës në bateri, janë pritur me duartrokitje e brohoritje nga publiku. Ka qenë kënga “Nëntor i ftohtë” që e kanë interpretuar të parën.

Më pas janë kthyer dy dekada pas, duke interpretuar këngë nga albumi i vitit 2005. 

Kanë interpretuar “Në garë për qeveri”, pasi sipas Çarkaxhiut, është temë aktuale në vend. Më pas kanë sjellë edhe këngët “Tjetër botë”, “Kur do t’pushojë kjo kangë” e “Kanga jonë”. Shpesh vargjet e këtyre këngëve publiku i ka interpretuar njëzëri me Petrit Çarkaxhiun.

Ky bashkëveprim midis interpretuesve në skenë dhe publikut, i theksuar ka qenë edhe më shumë te “Kanga e ashikëve”. Këngë kjo që në çdo koncert vijën muzikore e ilustron çiftelia. 

Është interpretuar edhe “Shkaba” e “Zgjohu” me të cilën krejt publiku ka kërcyer nën ritmet e këtyre këngëve. Me “Destiny” kanë prekur periudhën e krijimtarisë së paraluftës. 

Vokalisti i bendit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu, ka thënë se kanë prekur krijimtarinë që nga viti 1997 kur bendi u themelua dhe deri në këngët e viteve të fundit. 

“Sot e kemi bërë një përmbledhje të repertorit tonë, duke përfshirë edhe këngët e viteve ’90 që janë kryesisht këngë në gjuhën angleze, tek mbas të viteve 2000 janë në shqip. Komplet këngët më të njohura tona, diku 18 këngë sot i kemi interpretuar dhe janë këngë të cilat në një mënyrë janë njëfarë rrëfimi i asaj se çfarë kemi kaluar ne si shoqëri prej që ekzistojmë si bend, 28 vitet e fundit”, ka thënë ai. 

Kënga e iso-polifonisë “Cili je ti more burrë”, këngë folklorike të Dervish Shaqës e kënga “Çou Rexho” kanë qenë prej atyre me të cilat koncertit i kanë sjellë frymën e festës. 

“Njëra prej arsyeve kryesore pse e bëmë këtë përzgjedhje, madje i futëm edhe disa këngë jashtë repertorit tonë, e kam fjalën për disa këngë jashtë këngëve tona autoriale, si ‘Cili je ti more burrë’, ‘Çou more Rexho’, një këngë e Dervish Shaqës – ‘Pyet Kosova për një çikë’. Këto i futëm brenda repertorit për t’ia dhënë një karakter sa më kombëtar koncertit dhe kuptohet që të jetë edhe një lloj feste e përvjetorit të pavarësisë”, ka thënë Çarkaxhiu. 

Me ato, por edhe me inkorporimin e elementeve të muzikës etno në këngët e bendit, “Jericho” ka jehuar fort me larminë e stileve në këngët e tyre. Mozaiku i muzikës folklorike është sjellë nëpërmjet “Albanian Rhapsody”. 

Bateristi Visar Rexha, i cili bashkë me Çarkaxhiun janë një lloj themeli i bendit, ka thënë se këto elemente të muzikës kombëtare në krijimet e tyre, janë identitare për “Jerichon”.

“Kemi bërë këngë prej 1997 e deri te këto të fundit. Përndryshe janë edhe disa këngë që jemi duke i punuar dhe shpejt mund të lansohen. ‘Jericho’ është bend goxha i larmishëm, ka diversitet në muzikë. Kemi këngë të stilit ‘punk’, kemi rock të rëndë, por baza e esenca e ‘Jerichos’ është në ato këngë që janë në etno-elementin tonë, në muzikën tonë folklorike të cilën mundohemi edhe t’i mbajmë gjallë e t’i promovojmë, por edhe me ato që kemi krijuar një identitet si bend”, ka thënë Rexha.

“Ali Pasha i Janinës” është po shembulli i ripërpunimit të këngës në frymën e rockut. Me “Don’t fuck with Albanians” ka kthyer sërish në fillet e bendit, ndërsa ka interpretuar edhe një prej himneve të këtij bendi – këngën “Tomlin e nonës”.

Bateristi Visar Rexha ka thënë se “Salla e Kuqe” qe hapësira më adekuate krahasuar me koncertet paraprake në kryeqytet.

“Ka kohë që nuk kemi performuar në Prishtinë në një ambient të tillë. Kemi performuar në sheshe, nëpër disa lokale, kjo ishte shumë interesante dhe shumë më pëlqeu, besoj se edhe njerëzit u kënaqën. Ne mundohemi të japim maksimumin çdoherë, pavarësisht vendit, sallës. Besoj se njerëzit e çmojnë këtë dhe mendoj se prandaj pati goxha audiencë dhe entuziazëm”, është shprehur ai.

Kënga popullore ka qenë festë, ajo patriotike kujtesë e sakrificës së popullit. Rock-grupi “Jericho” është njëri prej bendeve që atëkohë po e formësonte krijimtarinë. 

“E para punës, ne jemi nisur të bëjmë muzikë prej pasionit që kemi pasur për muzikën, të ndikuar kryesisht prej rock-bendeve amerikane, tekstet e të cilave kanë qenë politikisht të ngarkuara. Ato na kanë frymëzuar edhe ne normalisht. Mandej krejt kjo në kombinim me realitetin tonë të viteve ’90. Patjetër që ajo është artikuluar nëpërmjet teksteve që ne kemi bërë. Por vetë fakti që i kemi bërë në anglisht, ndoshta tregon për qëllimin tonë që nëpërmjet artit, muzikës dhe prezencës së disa medieve të huaja botërore që kanë qenë prezente në atë kohë në Kosovë, kemi dashur të përçojmë një porosi në lidhje me atë se çfarë jemi duke kaluar ne si shoqëri”, ka thënë lideri i bendit, Petrit Çarkaxhiu. 

Bateristi Visar Rexha atë periudhë e kujton për entuziazmin dhe vullnetin për të punuar në kushte krejt të tjera.  

“Ishim shumë më të rinj dhe e kishim idenë që duam të krijojmë diçka me vlerë. Besoj që po çmohet edhe ajo. Ishim plot entuziazëm, kushtet nuk kanë qenë as përafërsisht me ato të sotit. Ushtronim nëpër bodrume, nëpër çfarëdo vende. Pa qenë ai entuziazëm, ai vullnet për të krijuar diçka nuk ndodh, ajo na ka shtyrë tutje dhe jemi shumë të kënaqur me çfarë kemi bërë e kemi lënë dhe çfarë do të lëmë prapa me muzikë”, ka thënë Rexha.