Për tetë ditë radhazi Shqipëria do të jetë nikoqire e “Javës Kulturore të Italisë”.
Ky organizim mbahet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës” ku sivjet për herë të parë shteti shqiptar ka marrë përsipër këtë aktivitet të madh kulturor me moton “Shqipëria mikpret botën”. Midis shteteve pjesëmarrëse janë 17 vende të ndryshme të botës.
Pas javëve kulturore të Francës, SHBA-së, Greqisë, në Tiranë dhe në disa qendra të tjera të shtetit bregdetar ka ardhur radha e “Javës Kulturore të Italisë”. Paralajmërimet janë se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore.
Programit do t’i prijë një sfilatë kostumesh tradicionale në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më 1 qershor do të zhvillohet ceremonia e ndezjes së dritave artistike po në Tiranë.
Sipas njoftimit të organizatorëve, në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës do të hapen ekspozita e pikturës “Nën heshtjen e dritës” e piktorit vendës Gazmend Koçollari, ekspozita “Fotografitë italiane në Qarkun e Gjirokastrës” kuruar nga Harallamb Margariti, si dhe do të shfaqet filmi “Arkitektura italiane e viteve ‘900” me regji të Engjëll Serianit. Po në Kalanë e Gjirokastrës do të jepet koncerti i kuartetit “Motel Kaiju” nën drejtimin e Niccolo Faracit.
Më 1 qershor, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të zhvillohet “Flash-mob” me Trupën e Baletit të Tiranës, si dhe do të shfaqet “Ballo me maska” me skenografi dhe veshje tradicionale të kohës.
Në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës do të shfaqet filmi “Vallëzimi i gishtërinjve në instrumentin muzikor” me regji të Riccardo Giacconit, si dhe çelja e siparit të festivalit “Ekrani i artit” nga Adrian Paçi me shfaqjen e filmit me metrazh të shkurtër.
Pjesë e aktiviteteve më 2 qershor janë edhe ekspozita fotografike mbi gjurmët italiane në Qarkun e Beratit, që do të zhvillohet në pedonalen e qytetit të gurtë. “Në Qendrën Rinore do të dhurohen libra në gjuhën italiane, në Shkodër do të shfaqet dokumentari i realizuar nga Maddalena Bregani, ndërsa në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë do të shfaqet koncerti ‘Verdi-Off’, ku banda do të luajë pjesë nga Verdi dhe muzikë shqiptare”, shkruhet në njoftim.
Më 3 qershor në qytetin e Vlorës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, si Maratona e poezisë italiane, panairi “Kulinaria italiane” dhe shfaqja e grupit të flamurtarëve. Ndërsa më 4 qershor në sheshin “Italia” në Tiranë do të zhvillohet “Pizza Village” kushtuar shijimit të picës dhe artit tradicional, si dhe do të organizohen koncerte të ndryshme në Shkodër dhe Tiranë.
Gjatë ditëve të fundit të “Javës Kulturore të Italisë” pjesë e programit janë “Kultura arbëreshe, trashëgimi kulturore botërore”, nismë për promovimin e kulturës arbëreshe nën kujdesin e Qarkut Puglia dhe të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.