Kulturë

Java e fundit e Warholit në Tiranë

Warhol

 Të gjithë adhuruesit e pop-artit, babai i të cilit njihet Andy Warhol, kanë shansin e fundit që veprat e tij t’i shohin në kryeqytetin shqiptar. Kanë edhe pak ditë kohë. Galeria e Artit në Tiranë ka ftuar artdashësit të përfitojnë nga java e fundit e ekspozimit të veprave të “artistit që ridimensionoi artin e një gjenerate të tërë”. Veprat e ikonës amerikane erdhën aty në ditën e pestë të qershorit deri më 5 gusht.

“Janë gjithsej 39 veprat më të njohura dhe më të riprodhuara të figurës më emblematike të skenës së artit, të cilat do të mund t’i shohim edhe për pak ditë. Koleksioni i ofron publikut të shohë nga afër vepra të Andy Warhol, të cilat fituan një status ikonik dhe gëzuan popullaritet dhe sukses komercial të jashtëzakonshëm, duke vënë theksin në vepra artistike që në të vërtetë jepnin një portret satirik dhe kritik të stilit të jetesës dhe vlerave amerikane”, shkruhet në njoftimin e GAT-it, të hënën. 

Sipas njoftimit në këta dy muaj, GAT është bërë ndalesa kryesore e grupmoshave të ndryshme të cilët u njohën nga afër me një figurë kaq të rëndësishëm të pop art-it që ka bërë emër në skenën e artit të New Yorkut, pushtoi botën e famës, frymëzoi dhe ndikoi stilet e artit në shumë zhanre.

“Pop arti” dhe Warholit ecin përherë paralel. Sa herë që përmendet lëvizja artistike, emri i tij është në krye të listës. Vitet ’60 janë periudha më e frytshme e veprimtarisë së artistit. Pikërisht në këtë periudhë vijnë në skenën e artit edhe veprat ikonike si kënaçja me supë “Campbell” dhe portretet e Marilyn Monroes. Krijimtaria e tij përqendrohej kryesisht te pop-kultura, konsumerizmi dhe personazhet e famshme. Arti i Warhol (6 gusht 1928 – 22 shkurt 1987) sfidonte nocionet tradicionale se çfarë mund të ishte arti duke përfshirë objekte dhe imazhe të përditshme nga reklamat dhe mediat masive. E, një copëz nga trashëgimia e Warholit është ajo që sjell GAT-i në bashkëpunim me “Visconti Fine Art”.

Në ditën e hapjes së ekspozitës, drejtoresha e GAT-it, Edit Pula, kishte thënë për KOHËN se kjo ekspozitë përkon edhe me vizionin themeltar të krijimit të kësaj galerie. Në mungesë të Galerisë Kombëtare për shkak të rikonstruktimit të saj, kjo galeri erdhi si një institucion i ri nga Bashkia e Tiranës me qëllimin që të operonte si një muze i artit bashkëkohor me fokus në promovimin e artistëve shqiptarë, por dhe në sjelljen e ekspozitave të rëndësishme botërore, si kjo me veprat e Warholit. 

E vendosur në të tria sallat e GAT-it, kjo ekspozitë prezanton jo vetëm disa vepra shumë të njohura e më shumë të riprodhuara – siç janë tetë serigrafi, edicioni i dytë, (Edicioni.250) i Marilyn Monroes (Marilyn), 1967, apo “Campbell’s Soup” (Kënaçja e supës ‘Campbell’), 1970 serigrafi, edicioni i dytë – por përfshin edhe disa edicione të rralla, siç është: seria “Ladies and Gentlemen” (Zonja dhe Zotërinj), me tetë serigrafi të vitit 1975 (Edicioni 125) dhe seria “Space fruit”: Still Life (Fruta Hapësinore: Natyrë e qetë), 1979, me gjashtë serigrafi, edicion i veçantë (Edicioni 30). 

Sipas përshkrimit, “ekspozita përfshin edhe serinë me gjashtë serigrafi ‘Speedskater’ (Skiatori), 1979, një edicion i veçantë (Edicioni 30) i lindur nga Projekti i Artit të Lojërave Olimpike në Sarajevë më 1972, i nisur nga Lazo Vujiq dhe gruaja e tij, Zhiva Shkodlar Vujiq, të cilët bënë bashkë 18 artistë botërorë si: Mimmo Paladino, Michelangelo Pistoletto, David Hockney, James Rosenquist, Giuseppe Santomaso, Gabrijel Stupica, Cy Twombly dhe Andy Warhol për të krijuar vepra që përshkruajnë frymën e Lojërave Olimpike”. Në fakt, Lojërat Olimpike Dimërore u mbajtën në Sarajevë në shkurtin e vitit 1984. 

Një vepër fort të veçantë të Warholit e posedon edhe Galeria Kombëtare e Kosovës në fondusin e saj. Bëhet fjalë për veprën e regjistruar si “Patinazhisti”, akuarel në letër të vitit 1983.

Edhe pse shumë kritikë, pop-artin e konsiderojnë si banal duke mohuar dhe vlerat artistike të tij, kjo frymë duket të mos e ketë humbur fuqinë e tij. Si e tillë ajo ka revolucionarizuar artin bashkëkohor në shekullin e kaluar. Por, për Pulën, ky fakt rezonon në mënyrë të drejtpërdrejtë me fatet e Shqipërisë.
“Në kohën e regjimit të egër diktatorial të Shqipërisë, njohja dhe studimi i kësaj dhe shumë rrymave të tjera moderne dhe gjithçkaje që vinte si influencë imperialiste-kapitaliste, jo vetëm që mungonte thellësisht, por edhe dënoheshe në rast se fshehurazi diku mund të kishe ndeshur apo manifestuar diçka prej saj. Që nga veshja e xhinseve e deri te “Coca-Cola” si dije dhe imazh kanë qenë konsideruar fantazi për ne. Pra, ka një boshllëk të madh kohor në përjetimin dhe njohjen e veprës së Andyt në kohën kur është krijuar. Ndërkohë që sot 50 e ca vjet më vonë, në realitetin global të shekullit 21, kemi të bëjmë me një konsumerizëm akoma më ekstrem se në vitet ‘60-‘70, në kohën e internetit , “Big Brotherit” dhe jetës virtuale. Shprehja e Andyt se në të ardhmen çdokush do të bëhet i famshëm për 15 minuta, rezonon kaq fort”, kishte thënë Pula, duke u shprehur se pop-arti së fundi ka pësuar një rikthim dhe kjo ekspozitë, sipas saj, ia mundëson Tiranës të “kapë hapin e botës me trendin dhe interesin bashkëkohor”.