Edicioni i 21-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, të hënën ka nisur si një festë ku janë përmendur rezultatet e deritanishme e më shumë është folur për të ardhmen. Tema e sivjetme është “Transformimi i bibliotekave në Kosovë”. Sfidat e transformimit dhe krijimi i mundësive që lexues e studiues të kenë sa më shumë qasje në platforma digjitale në të dhënat bibliotekare do të diskutohen gjatë gjithë javës, që do të mbahet deri më 2 qershor. Në ditën e parë të ngjarjes, për disa orë ka qëndruar e hapur edhe ekspozita “Kujtesa për Skënderbeun” me vepra të shkruara për heroin kombëtar shqiptar e të koleksionuara nga Patricia Nugee.
Bibliotekat në Kosovë ka vite që përpëliten për një proces transformimi duke tentuar që t’i përshtaten kohës. Qëllimi është që të jenë më të afërta me lexuesit e studiuesit në epokën kur teknologjia ka kollofitur metodat e mjetet tradicionale të dhënies së informacionit. Kërkesat për buxhet tashmë janë tejkaluar. Arsye për hapa të vegjël tash mbesin kuadrot.
Edicioni i 21-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, të hënën ka nisur si një festë ku janë përmendur rezultatet e deritanishme e më shumë është folur për të ardhmen. Tema e sivjetme është “Transformimi i bibliotekave në Kosovë”. Sfidat e transformimit dhe krijimi i mundësive që lexues e studiues të kenë sa më shumë qasje në platforma digjitale në të dhënat bibliotekare do të diskutohen gjatë gjithë Javës që do të mbahet deri më 2 qershor. Në ditën e parë të ngjarjes, për disa orë ka qëndruar e hapur edhe ekspozita “Kujtesa për Skënderbeun” me vepra të shkruara për heroin kombëtar shqiptar e të koleksionuara nga Patricia Nugee.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë hapëse ka thënë se ekipet e zellshme të Bibliotekës Kombëtare, së bashku me organizatat e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, si dhe profesionistët e intelektualët e Kosovës, e ata të huaj, do të tregojnë punën e tyre të shkëlqyer disavjeçare. Ka thënë se Qendra e Digjitalizimit të Bibliotekës Kombëtare është një dëshmi e përkushtimit institucional për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore për brezat e ardhshëm.
Ka përmendur edhe projektin “Qasje për Personat me Aftësi të Kufizuara” që është inauguruar të hënën.
“Mbi gjysmë milion euro të fondeve të Qeverisë Kosovës janë dedikuar për digjitalizimin e shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, digjitalizim ky i cili ndodh nëpërmjet Qendrës për Digjitalizim dhe Platformës së Bibliotekës Digjitale. Deri më tani, janë digjitalizuar rreth 600 mijë objekte digjitale, përfshirë gazetën ‘Rilindja’ dhe koleksionet e rralla e të vjetra”, ka thënë ai. Sipas kryeministrit Kurti, digjitalizimi i këtyre materialeve është thelbësor jo vetëm për qasjen e lehtë në informacion, por edhe për ruajtjen e njohurive dhe të historisë sonë nga shkatërrimi apo harresa.
Ka thënë se djegia dhe shkatërrimi në dorë të aksidenteve ose të regjimeve totalitare nuk kanë pasur mundësi t'i mbrojnë këto materiale.
“Populli ynë ka punuar për t'i prodhuar dhe përmbledhur këto materiale, dhe digjitalizimi i tejkalon rëndësinë që ka për qasjen e lehtë të informacionit. Ai padyshim e bën më të lehtë, por ka rëndësi në ruajtjen e informatave, diturive dhe njohurive për shekuj të historisë dhe të kulturës sonë, duke siguruar që harresa kurrë të mos jetë një opsion”, ka thënë ai. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria ka prioritet ruajtjen e kujtesës si bazë e vetëdijes kombëtare.
“Kujdesi për çdo cep të Kosovës është një vlerë e pandashme me jetën tonë të përditshme, edukatën dhe filozofinë e të jetuarit në këtë vend. Synimi ynë është arritja e barazisë shoqërore, dhe digjitalizimi është një mjet kyç për këtë, duke ofruar qasje të barabartë për të gjithë në informacion, infrastrukturë fizike dhe njohuri”, ka thënë ai.
Në emër të Këshillit Drejtues të BKK-së të pranishmëve u është drejtuar anëtarja e këtij organi, Blerta Ismajli.
Ajo ka thënë se bibliotekat janë pikëtakim i dijes, imagjinatës e komunitetit. Sipas saj, nga mendjet kureshtare të fëmijëve që eksplorojnë historitë e tyre të para e deri te studiuesit që thellohen në tema akademike, bibliotekat u shërbejnë të gjithëve, duke ushqyer kureshtjen tonë dhe duke zgjeruar horizontet tona.
Ka përmendur se këto ditë në Prishtinë po mbahet kampi rajonal për inteligjencën artificiale në të cilën po flitet për zhvillimet jashtëzakonisht të shpejta dhe mundësitë që inteligjenca artificiale sjell për njerëzimin.
“Epoka e sotme digjitale me ritmet e shpejta të zhvillimeve kërkon përshtatje edhe të rolit të bibliotekave, por pa e zbehur rëndësinë e tyre. Në kohën e përparimit të shpejtë teknologjik, por edhe të mbingarkesës së informacionit, bibliotekat luajnë rol vendimtar për të siguruar që informacioni i saktë dhe i besueshëm të jetë i qasshëm për të gjithë. Ato lypset që të shndërrohen në qendra që ofrojnë jo vetëm libra, por edhe qasje në teknologji, programe arsimore e hapësira bashkëpunimi”, ka thënë ajo.

Zëvendësuesja e drejtoret të BKK-së, Bukurie Haliti, ka thënë se tashmë pothuajse të gjitha bibliotekat e vendit pos materialeve tradicionale, ofrojnë gjithashtu një katalog për qasje në internet.
“Jemi në sfidën se a kemi resurset humane të përgatitura pas gjithë kësaj mbështetjeje që këtë buxhet ta kthejmë me plan strategjik dhe të mirë menduar për së mbari dhe me rezultate konkrete për t’u përgatitur që të ofrojmë një gamë shumë të madhe shërbimesh për përdoruesit...”, ka thënë ajo.
Sipas saj, falë këtij buxheti BKK-ja ka pasur mundësi që të bëjë hapa konkretë që duhet të jenë vendimtarë për të garantuar një proces të vërtetë të transformimit bibliotekar. Ka treguar se BKK-ja midis synimeve të tjera po përgatitet që sivjet të fillojë modernizimin e infrastrukturës, integrimin e rrjetit bibliotekar, një katalog model bashkëkohor, akreditimin e programit bibliotekar të arsimit, implementimin e planit strategjik të digjitalizimit.
Pas ceremonisë hapëse të Javës së Bibliotekës, të pranishmit kanë pasur mundësinë që të shohin botime të rralla. Ekspozita “Kujtesa për Skënderbeun” me vepra të shkruara për heroin kombëtar shqiptar e të koleksionuara nga Patricia Nugee shpalos vepra që nxjerrin në kohë botime që zanafillën e kanë qysh nga bashkoheshit e heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në Ekspozitën që pas disa orësh është larguar për t’u nisur për në Tetovë, vizitorët kanë parë 37 vepra të botuara midis shekujve XVI dhe XVIII në Romë, Augsburg, Strasburg, Venedik, Frankfurt, Londër, Lisbone, Madrid, Paris, Amsterdam, Brescia, Edinburg, Napoli, Stokholm dhe Danimarke.
“Nëntë nga librat e botuar nga viti 1510 deri më 1597 janë botime dhe përkthime të veprës se Marin Barletit, një prift katolik nga Shkodra, i cili u largua nga qyteti i tij dhe jetonte në mërgim në Itali pas pushtimit turk, pas rrethimit të vitit 1479”, ka thënë koleksionistja e lindur më 1937. Ka sqaruar se pjesë e këtij koleksioni është gjithashtu një botim i rrallë i librit të Dhimitër Frangut, i botuar në Venedik më 1584.
“Libri përfshin një nga shembujt e parë të shqipes së shkruar: Lek Dukagini ‘Embeta’ (në shqipen e sotme: Mbë ta). Koleksioni i shekullit të shtatëmbëdhjetë sjell një pasuri te zhanreve letrare”, ka thënë ajo.
Ka treguar se në këtë shekull ka lulëzuar historia dhe Skënderbeu është përfshirë në disa vepra të këtij koleksioni, nga Puffendorf mbi jetën e Nicholas Serinit, të ngjashme me Skënderbeun dhe Tamburlaine, te tregimi i Henry Marsh për jetën dhe veprat e Skënderbeut e deri te më i njohuri - Plutarku.
“Disa poema u shkruan për Skënderbeun. Margherita Sarrochi u botua në Romë më 1606 dhe u ribotua në Napoli 100 vjet më vonë; poemat e Bussierit u botuan në Lyon, poemat e De Meneses u botuan në gjuhën spanjolle dhe Portugeze”, ka thënë ajo. Sipas koleksionistes historia e Skënderbeut ishte kaq e popullarizuar në Portugali në këtë kohë, sa Joao Fernandes Vieira, i cili organizoi rebelimin kundër holandezeve në Brazil nga 1645 deri me 1654, u quajt "Castrioto Lusitano".
Ka thënë se “Tragjedia e Skënderbeut” e Havardit dhe shfaqja e Thomas Whincop, “Skënderbeu ose Dashuria dhe Liria”, që të dyja u botuan në Londër në shekullin XVIII.
Gjatë Javës së Bibliotekës do të mbahen diskutime të ndryshme në lidhje me mundësitë që këto institucioni të ecin me kohën sa i përket digjitalizimit, synim ky i kahershëm.