Duke e bërë anëtar nderi gjuhëtarin e njohur Jani Thomai, Instituti Albanologjik i Prishtinës ka hapur siparin e “Javës së Albanologjisë”. Në edicionin e 12-të të këtij aktiviteti tradicional, 85 prurje e kumtesa të reja nga fushat e gjuhësisë, historisë, etnologjisë, folklorit e letërsisë kanë ribashkuar albanologët pas një viti të vështirë pandemie. Derisa kjo ngjarje është vlerësuar si paraprijëse e Kuvendit të Studimeve Albanologjike që mbahet në Tiranë nga vjeshta, përfaqësues të akademive në të dyja anët e kufirit kanë shprehur vullnet për kapitalizimin e projekteve të përbashkëta për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, për historinë e re, si dhe për enciklopedinë e përbashkët
Shkëputjen e vjetshme nga aktivitetet e rregullta e ato të përvitshme sherri i pandemisë Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP) e ka tejkaluar me organizimin e të parit aktivitet për sivjet që bën bashkë albanologë fushash të ndryshme. “Java e Albanologjisë” është ngjarja treditore që sjell prurjet më të reja nga gjuhësia, historia, etnologjia dhe letërsia me studiues nga tri shtetet shqiptare, por edhe nga Turqia e Bullgaria. Kështu, kjo ngjarje, që paraprin Kuvendin e Studimeve Albanologjike, i cili mbahet në vjeshtë në Tiranë, është vlerësuar si një përpjekje e përbashkët për të vënë në spikamë gjuhën, kulturën dhe përbërësit e tjerë të identitetit kombëtar.
Me seancën plenare të mbajtur paraditen e së hënës në sallën e IAP-it, “Java e Albanologjisë” ka hapur siparin e edicionit të saj të dymbëdhjetë duke përuruar edhe veprat shkencore të këtij instituti për periudhën 2019-20.
Matoshi: “Të përfshihen sa më shumë studiues”
Në fjalën e tij përshëndetëse Hysen Matoshi, drejtor i IAP-it, ka vlerësuar se konferenca e sivjetme vjen më e veçantë për shkak se po organizohet në një klimë pasigurie e vështirësish që ende vazhdon.
“Te kolegët në Institut mbizotëroi bindja që ta organizonim në këtë format, por duke e zvogëluar kapacitetin e sallës”, ka thënë Matoshi teksa ka shfaqur shpresën që aktivitetet që mbetën mangut të kompensohen gjatë kthimit në normalitet.
Teksa ka përkujtuar punonjës të Institutit që gjatë vitit të kaluar u ndanë nga jeta, prej Fazli Sylës e deri te Sadri Fetiu, Matoshi ka vlerësuar edhe faktin e rikthimit të bashkëpunimit me institucionet simotra në Tiranë për rikthimin e makroprojekteve.
“Edhe sivjet ideja mbizotëruese është përfshirja e sa më shumë studiuesve nga institutet që merren me studime shqiptare”, ka thënë drejtori i IAP-it.
Nagavci: “Të ndërkombëtarizohet albanologjia”
E pranishme në hapje ishte edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka përshëndetur me këtë rast edicionin e sivjetmë pas një viti të vështirë e sfidues.
Sipas saj, “Java e Albanologjisë” vë në pah obligimin që të punohet në intensifikimin e shkencës së albanologjisë dhe ndërkombëtarizimin e saj.
“Duke qenë një popull i lashtë, populli shqiptar brenda vetes ngërthen kultura e tradita të shumta, andaj sa më shumë që gjurmojmë rreth të kaluarës, traditave, gjuhës, letërsisë dhe artit, aq më i zhvilluar do të jetë koncepti për historinë tonë”, ka thënë Nagavci.
Po ashtu, ministrja e Arsimit është zotuar që të ketë mbështetje të punës kërkimore e shkencore, për çka, sipas saj, po planifikohet për rritje të buxhetit.
Gjinushi: “Albanologjia është shkencë dedikimi, nuk i vjen fitimi prapa”
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, i cili e ka vlerësuar lart faktin që ekziston një “vullnet i mbarë” për t’ia kushtuar jetën albanologjisë.
“Në kohën e sotme të merresh me albanologji nuk është zgjedhja më e mirë nga ana pragmatike. Sepse shkencat humane prodhojnë ide dhe pasuri shpirtërore, që fisnikërojnë popujt, por nuk janë shkenca të cilave u vjen fitimi pas. Të merresh me albanologji kërkon jo vetëm formim e dije, por edhe motivim të brendshëm dhe dedikim jetësor”, ka thënë Gjinushi.
Me këtë rast kreu i ASh-së ka vlerësuar marrëveshjet e arritura me homologun e tij në krye të ASHAK-ut, Mehmet Kraja, për, siç ka thënë, konvergjencën mbi ideimin e projekteve të përbashkëta ndërakademike.
“Ne duam t’i promovojmë vlerat tona kombëtare për veten dhe për të huajt. Sot çështja shqiptare ka marrë një rëndësi rajonale, numri i institucioneve që merren me të është shumë i madh, e ardhmja e përbashkët në Evropë do të rrisë edhe më shumë peshën e saj”, ka thënë Gjinushi. “Prandaj duhet të jemi gati dhe të kemi pasaportat tona shpirtërore identitare që do të shprehen edhe përmes këtyre veprave. Në kohën e sotme kush ka identitet, ka pavarësi. Pavarësi në kuptimin klasik të fjalës ndoshta nuk ka më, por identitet në kuptimin e kryehershëm të fjalës ka pasur e do të ketë gjithnjë”.
Kraja: “Ka shpresë për albanologjinë”
Në vazhdim kreu i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, në fjalën e tij është shprehur se ngjarje të tilla albanologjike nuk janë gjithnjë në vëmendje të opinionit. Me këtë rast ai ka përgëzuar mbajtjen e një aktiviteti të tillë për një dekadë radhazi.
“Historia e Kosovës është histori e identitetit. Të gjithë jemi dëshmitarë se si Instituti përjetoi po atë që përjetoi Kosova në gjysmën e dytë të shekullit 20, prej themelimit deri në mbyllje”, ka thënë Kraja.
Sipas kryeakademikut, me pavarësimin e Kosovës shumë njerëz mendojnë që ka përfunduar epoka identitare e ka filluar ajo e globalizmit. E nën trysninë e globalizimit, ka vijuar Kraja, “dijet albanologjike po përjetojnë anashkalim e interesimi për to po zbehet”.
“Megjithatë studiuesit e albanologjisë duhet t’i avancojnë e perfeksionojnë studimet albanologjike. Fakti që në këtë konferencë janë sjellë 85 kumtesë flet qartë se dijet e studimet albanologjike kanë të ardhme”, ka shtuar Kraja.
Në vazhdim është bërë përurimi i 61 vëllimeve të IAP-it për periudhën 2019-2020. Me këtë rast sekretari shkencor Lulëzim Lajçi i ka vlerësuar këto prurje të reja si rikthim i Institutit në normalitetin e vet.
“Botimi i këtyre materialeve është dëshmi për mbarësinë e ‘Javës së Albanologjisë’”, ka thënë mes të tjerash Lajçi.
Jani Thomai – personaliteti i shquar i gjuhësisë shqiptare
Me një nderim e vlerësim të angazhimit pesëdhjetëvjeçar në gjuhësi, gjuhëtari Jani Thomai është vlerësuar si një nga emrat e veçantë që autori ka kontribute të shumta në leksikologjinë dhe dialektologjinë shqiptare. Kështu, gjatë kësaj seance plenare IAP-i ka vendosur që gjuhëtarin e njohur ta shpallë anëtar nderi.
Pas një referati të lexuar nga studiuesja Shefkije Islamaj mbi profilin biografik të Thomait, sekretari i IAP-së, Sylë Kasumaj, ka lexuar arsyet e Këshillit Drejtues për ta nderuar gjuhëtarin e njohur.
“Akademik Jani Thomai është një personalitet i shquar i gjuhësisë shqiptare me kontribute të rëndësishme, të veçanta e të shumanshme shkencore, studiues me veprimtari të pasur studimore teorike e praktike, të cilat e përcaktojnë si njërin nga më emblematikët e gjuhësisë shqiptare gjatë 50 vjetëve të fundit”, ka thënë Kasumaj.
Minutat në vazhdim drejtori Matoshi ia ka dorëzuar certifikatën e nderit të bijës së Thomait, Nevila Thomai.
Thomai: “Me ekspeditat e IAP-it njoha Kosovën”
Në mungesë të pranisë fizike, gjuhëtari Valter Memisha ka lexuar një letër falënderuese nga akademiku Thomai. Ai ka thënë se ndihet i plotësuar nëse produkti i tij shkencor u ka shërbyer sadopak shkencës dhe arsimit kombëtar.
“Instituti Albanologjik për mua ka qenë një nga vatrat e para të kontaktit të drejtpërdrejtë e të bashkëpunimit me studiuesit në Kosovë”, ka thënë Thomai, teksa në letër është kthyer prapa në kohë. Para pesëdhjetë vjetësh, sipas tij, në Prishtinë ishte botuar libri i tij i parë “Leksikologjia e gjuhës shqipe”.
“Më pastaj u përfshiva, si shumë studiues të tjerë nga Shqipëria, në krijimtari e veprimtari të përbashkëta shkencore në fshatrat e Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt e Gjilanit, që më lidhën më shumë me kolegë e miq”, ka thënë gjuhëtari 86-vjeçar nga Tirana.
Ishin pikërisht këto ekspedita leksikologjike, dialektologjike e folklorike që te Thomai e kishin zgjeruar njohjen e tij për Kosovën.
Në orën 11:00, po në Institutin Albanologjik, është mbajtur seanca e parë në gjuhësi me temën “Zhvillimi i terminologjisë në gjuhën shqipe”. Me këtë rast janë lexuar kumtesat e prurjet e 11 studiuesve të fushës: Emil Lafe me “Disa mendime të përkora për vendin dhe trajtimin e terminologjisë në një fjalor shpjegues”; Valter Memisha “Frazeotermat dhe Fjalori i madh i gjuhës shqipe”; Tomorr Plangarica “Mbi disa terma në shkencat e ligjërimit dhe problemet që lindin në përdorimin e tyre në ‘Gramatikën shkollore’”; Eglantina Shtylla “Rreth terminologjisë në shkencat e edukimit”; Naim Berisha “Çështje të terminologjisë gjuhësore në tekstet shkollore në Kosovë”, Artur Lama “Reflekse të teorisë së Vysterit në terminologjinë shqiptare”; Shkëlqim Millaku “Roli i sinonimeve dhe i homonimeve në ‘kurrikulat’ mësimore”; Abdurrahim Maxhuni “Pasqyrimi i termonologjisë islame në fjalorin e Tahir Dizdarit”; Sejdi Gashi “Rreth disa çështjeve terminologjike në fushën e mediave shqipe në Kosovë”; Vjosa Osmani “Terminologjia e ekonomisë dhe e politikës nën ndikimin e globalizimit” dhe Juljana Kume “Termat sportivë dhe disa veçori të tyre në shqipen e sotme”.
Pasdite, në seancën e dytë të gjuhësisë, nën temën “Zhvillimi i terminologjisë shqipe”, është vijuar me prurje e kumtesa të Idriz Metanit, Mimoza Prikut, Begzad Baliut, Evalda Pacit, Shpresa Ismailit, Edilda Muhajt, Bahri Koskovikut, Faton Krasniqit, Behar Hoxhajt, Afërdita Abdullahit dhe Shemsi Hazirit.
Gjatë ditës janë mbajtur edhe seanca nga folkloristika dhe etnomuzikologjia.