Kulturë

Italia fiton “Eurovisionin”, publiku djeg triumfin e Zvicrës me shqiptarin

Dramatike ka qenë deri në fund gara në edicionin e 65-të të “Eurovisionit”, të shtunën mbrëma në Rotterdam. Italia ka triumfuar me këngën “Zitti e buoni” të rock-grupit “Måneskin”. Fitoren ia kanë dhënë votat e publikut, të cilat e kanë ndëshkuar këngëtarin shqiptar Gjon Muharremaj që ka përfaqësuar Zvicrën. I njohur si Gjon’s Tears, me “Tout l'Univers” ai ka qenë i pari me votat e jurive profesionale por krejt lista është përmbysur në minutat e fundit. Shqipëria me Anxhela Peristerin, që këndoi “Karman”, ka përfunduar në vendin e 21-të nga 26 shtetet pjesëmarrëse

“Forza Italia” ka marrë një tjetër kuptim të shtunën mbrëma. Vitin e ardhshëm “Eurovisioni” do të mbahet në Itali. Vendi evropian i cili më së shumti u godit nga pandemia, e solidarizimi rëndom bëhej me thirrjen “Forca Itali”, tashmë ka diçka për të festuar. Grupi italian “Måneskin” triumfoi në edicionin e 65-të të “Eurovisionit”. Kënga e tyre “Zitti e buoni” mori 524 pikë në finalen e madhe. Ishin votat e publikut ato që ia sollën fitoren, duke ia marrë trofeun përfaqësuesit shqiptar të Zvicrës, Gjon Muharremi. Këngëtari me prejardhje nga Kosova, i njohur si Gjon’s Tears, me këngën “Tout l'Univers” qe në krye të listës me votat e jurisë në edicionin e sivjetmë.

“Rock and rolli nuk vdes kurrë”

“Ne vetëm dëshirojmë t’i themi gjithë Evropës dhe gjithë botës që rock and rolli nuk vdes kurrë”, ka thënë vokalisti i grupit italian, Damiano David. Ai bashkë me anëtarët e tjerë të grupit italian – basisti Victoria De Angelis, kitaristi Thomas Raggi dhe bateristi Ethan Torchio – triumfuan në “Eurovisionin” që u rikthye pas një pauze gati dyvjeçare për shkak të pandemisë. “Måneskin” arriti famë pas përfundimit të edicionit të shtatë të spektaklit të njohur italian “X Factor” në vitin 2017.

Edicioni ku triumfoi grupi italian i rokut u cilësua për një laramani këngësh, duke nisur nga ato pop, rock e deri te këngët që gërshetonin folklorin brenda tyre, si paraqitja e Irlandës që zuri vendin e katërt me 378 pikë. “Eurovisioni” i sivjetmë ishte një spektakël ku nuk mungoi ndezja e fishekzjarrëve, si te performanaca e Shqipërisë, e deri te fustani gjigant i Rusisë e marifetet me ekrane të gjelbra të Greqisë. Pa lënë pas edhe Gjermaninë me performancën e këngës “I Don’t Feel Hate” të Jandril. Ishte pikërisht kjo performancë e cila triumfoi sa u përket “memove” për shakatë që u bënë për shkak të veshjes së valltares si një dorë.

“Një paraqitje e tmerrshme që është fjalë për fjalë një film horror”, e ka cilësuar “Independent”.

Për shumëkënd gjërat mund të kishin shkuar më mirë sikur “Eurovisioni” të ishte mbajtur vitin e kaluar. Ndoshta kjo do të vlente veçanërisht për James Newman, përfaqësuesin e Britanisë së Madhe që mori zero pikë në edicionin e sivjetmë. Asnjë votë nuk i erdhi nga juritë profesionale. Kjo fillimisht u pa si një ndëshkim për dalje nga Bashkimi Evropian dhe ngjalli mjaft komente në Twitter. Mirëpo, se votimi mund të sjellë të papritura në “Eurovision” doli në pah kur Britania mori zero pikë edhe nga publiku. Kësisoj u vlerësuan prej publikut edhe Gjermania, Spanja e Holanda.

Edicioni i sivjetmë erdhi edhe me performanca të shumta nga fitues të edicioneve të kaluara, të cilët performuan në çatinë e “Ahoy Arena” në Rotterdam, brenda së cilës zunë vend 3 mijë e 500 ndjekës të cilët kishin bërë teste negative para spektaklit.

“Një aventurë muzikore” e ka cilësuar moderatori holandez Jan Smit natën finale të “Eurovisionit”. Këngëtari 35-vjeçar ishte i shoqëruar nga aktorja holandeze Chantal Janzen, këngëtarja Edsilia Rombley dhe blogerja Nikkie de Jager.

“Sonte po festojmë për muzikën, kështu që përdorini zërin tuaj dhe votoni”, ka thënë Edsilia Rombley kur votimi u bë i hapur.

“Open Up” ka qenë motoja e edicionit të sivjetmë, që vjen edhe si një thirrje për hapje pas vitit pandemik.

Muharremaj: “Tashmë jemi fitues”

Image
Këngëtari shqiptar Gjon’s Tears, që përfaqësoi Zvicrën, qe në krye të listës me votat e jurive profesioniste. Pas votave të publikut zuri vendin e tretë (Foto: AP)

Vendi i dytë në “Eurovision” i takoi Francës me 499 pikë, e në vendin e tretë me 432 pikë u rendit Zvicra. Përkundër rezultatit, Gjon Muharremaj ka thënë se ndihet fitues. Jo pak vëmendje ka marrë këngëtari 22-vjeçar me baba nga Theranda e nënë nga Tirana.

“Jam shumë i lumtur, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë, ne i kemi pikët e jurisë”, ka thënë Muharremaj, kur ishte duke kryesuar para se të numëroheshin votat e publikut nga 39 shtete pjesëmarrëse.

Mes tjerash ai ka thënë se ka punuar shumë muaj dhe është i lumtur të shohë se kënga e tij ka prekur njerëzit.

“Tashmë jemi fitues. Tashmë kam fituar gjithçka”, ka thënë Muharremaj. “Kam takuar artistë të mrekullueshëm si nga Spanja dhe Belgjika, kaq shumë njerëz, dhe jam i lumtur që e kam pasur këtë mundësi, të jem pjesë e kësaj dhe të shoh kaq shumë njerëz dhe kjo është e mrekullueshme për mua, pasi që kam më shumë se një vit që po pres për këtë”, ka thënë ai. Këtë e kishte theksuar edhe në intervistë për “Express” të Kohavisionit më 5 prill, kur kishte nënvizuar se është i lumtur që këndon para një audience televizive prej 200 milionë shikuesish.

Performanca e tij mori mjaft komente pozitive dhe ishte gjatë gjithë kohës në mesin favoritëve.

“E dua këtë këngë. Kjo është Zvicra, një tjetër favorit për të fituar me ‘Tout l'Univers’”, ka shkruar Roisin O'Connor nga “Independent”.

Gjon Muharremaj iu dedikua muzikës kur ishte i vogël. Gjithçka nisi në fëmijërinë e tij, kur interpretoi “Can’t Help Falling In Love With You”, këngën e njohur të Elvis Presley, e cila bëri që gjyshit të tij t’i dilnin lotët. Ky epilog i asaj ngjarjeje do t’ia sillte edhe emrin skenik “Gjon’s Tears” (Lotët e Gjonit).

Kjo situatë e kishte shtyrë gjyshin e tij që ta dërgonte nipin në spektaklin televiziv “Albania’s Got Talent”. Muharremaj, atëherë 12-vjeçar, u radhit i treti. Vitin tjetër ai arriti në gjysmëfinale në “Switzerland’s Got Talent” dhe arriti të njëjtën fazë edhe në vitin 2019 në “The Voice” në Francë.

“Unë dua ta përdor muzikën time që t’i prek njerëzit në të gjitha mënyrat, pa marrë parasysh nëse është për gëzim, pikëllim apo melankoli”, pati thënë Muharremaj për “Eurovision TV”.

Paraqitja e Shqipërisë

Image
Shqipëria me Anxhela Peisterin u rendit e 21-ta nga 26 shtetet pjesëmarrëse në finalen e “Eurovisionit”

Mbrëmja nisi me Qipron dhe këngën “El Diablo” nga Elena Tsagrinou, që solli një skandal të vogël në shkurt, pasi disa veta të besimit ortodoks nga Qiproja thanë se teksti i saj është promovim i satanizmit. Në të Tsagrinou këndon për rënien në dashuri me “el diablo”, spanjisht për “djallin”. Është e qartë që ajo i referohet ndonjë djali që ka takuar në një klub – jo shejtanit vetë – por Tsagrinou nuk është brengosur për kritikat, madje ka performuar me katër valltare të veshura kokë e këmbë në të kuqe. Pas performancës së Qipros erdhi performanca e Shqipërisë, që shtyri komentuesit t’i lidhnin këto dy paraqitje.

“Shqipëria do t’i bekojë ekranet e juaja, gjersa Anxhela Peristeri këndon ‘Karma’. Asnjë kameleon nuk është përfshirë. Nëse Qipro ka pasur kostume të James Bondit, atëherë Anxhela Peristeri ka sjellë një ritëm të muzikës së James Bondit – kjo këngë ka një hapje goxha dramatike, që më pas dredhon në një mënyrë të këndshme, por kryesisht të paefektshme”, ishte komenti që iu bë 35-vjeçares nga “The Guardian”.

Në anën tjetër, këngëtares nga Shqipëria, komentatori nga BBC-ja, Graham Norton, që çdoherë merr vëmendjen për komentet të cilat i bën, ia kujtoi që në fillim të performancës se askush deri më tani që ka performuar i dyti në natën finale nuk ia ka dalë të fitojë.

Sidoqoftë, ai e vlerësoi performancën e këngëtares dhe faktin se ajo u paraqit e vetme në skenë.

“O Zoti im, Anxhela Peristeri është duke veshur një kostum ngjyrë lëkure me shkëlqim, që unë kam veshur në vitet ‘90. Makina e erës është duke shkuar me fuqinë e plotë, ndryshe prej shumicës së garuesve sonte, ajo ka dalë në skenë e vetme për të performuar ‘Karma’ – dhe ajo e zotëroi atë hapësirë të pafund! Paksa një ndezës i ngadaltë”, ka thënë tutje aktori irlandez, njëherësh moderator dhe komedian i njohur.

Sidoqoftë, Peristeri arriti t’ia sillte Shqipërisë vetëm 35 pikë nga publiku. Në total, Shqipëria ka marrë 57 vota në këtë edicion dhe ka ngelur larg pozitave të para. U pozicionua në vendin e 21-të.

Korçarja u bë e njohur në “X Factorin” e Greqisë, në “Your Face Sound Familiar” dhe në “Kënga Magjike”, kur në vitin 2017 fitoi me këngën “E çmendur”.

Interpretimi i Peristerit në gjysmëfinale ishte vlerësuar nga kritikët e “Eurovisionit”, pasi shumica e vendeve kanë interpretuar në anglisht. Vetë këngëtarja korçare e kishte bërë prej kohësh të ditur impenjimin e saj për të kënduar në shqip.

“Gjuha shqipe është shumë gjuhë e bukur dhe mendoj se gjithë Evropa e bota duhet ta dëgjojnë”, kishte thënë Peristeri në një intervistë për emisionin “Express” në Kohavision më shumë se një muaj më parë, kur kishte folur për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision” dhe vendimin e saj që këngën ta këndojë në shqip. Kjo ishte përpjekja e saj e dytë për ta prezantuar Shqipërinë në “Eurovision”, pasi kishte marrë pjesë edhe në vitin 2001 në “Festivalin e Këngës”.

Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta e arritur deri në vitin 2012, kur Rona Nishliu me këngën “Suus” u radhit në vendin e pestë. Vetëm në këto dy raste Shqipëria arriti të radhitet në top-10.

Që nga viti 2004 e deri më tani, ka pasur 16 paraqitje. Në vitin 2019 Arilena Ara fitoi Festivalin e 58-të të Këngës në RTSH dhe me këngën “Fall from the Sky” parashihej ta përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës 2020 në Roterdam, Holandë, por për shkak të pandemisë ky edicion ishte anuluar. Për edicionin e sivjetmë gjithçka nisi nga e para dhe Shqipëria përzgjodhi këngën “Karma”, të interpretuar nga Anxhela Peristeri.

Shqipërinë në vitin 2005 e përfaqësoi Ledina Çelo me këngën “Tomorrow I Go”, me të cilën zuri vendin e 16-të. Në vitin 2006 u përfaqësua nga Luiz Ejlli me këngën “Zjarr i ftohtë” dhe në vitin 2007 nga Frederic Ndoçi, i cili me këngën “Hear My Plea” nuk arriti të kualifikohej në finale. Pas kësaj, për dy vjet rresht zuri vendin e 17-të fillimisht me Olta Bokën me këngën “Zemrën e lamë peng” dhe pastaj me Kejsi Tolën me këngën “Carry Me in Your Dreams”.

Në vitin 2010 me Juliana Pashën dhe këngën “It’s All About You” zuri vendin e 16-të, e në vitin 2011 me Aurela Gaçen dhe këngën “Feel the Passion” nuk arriti të kualifikohej për në finale, njëlloj si në vitin 2013 me Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko me këngën “Identitet”, dhe pastaj në vitin 2014 me Hersi Matmujan dhe “One Night’s Anger”. Elhaida Dani me “I’m Alive” e dërgoi Shqipërinë në pozitën e 17-të në vitin 2015, ndërsa në vitin 2016 Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” dhe Lindita me këngën “World” në vitin 2017 nuk arritën të kualifikoheshin për në finale.

Eugent Bushpepa është artisti i tretë që e dërgoi Shqipërinë më pranë fitores, duke e pozicionuar atë në vendin e 11-të, me këngën “Mall”, por viti 2019 e riktheu në pozitën të cilën e ka mbajtur më së shumti – në vendin e 17-të. Atë vit u përfaqësua nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”.