Kulturë

Italia bëhet bashkëprodhuese e dokumentarit për fëmijët refugjatë nga Kosova

Dokumentari 80-minutësh do të sjellë rrëfimin për jetën e një familjeje shqiptare nga Kosova gjatë luftës së fundit dhe për kohën e kaluar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Ngjarja fokusohet te fëmijët, të cilët në Stankovec kanë shikuar filma në çarçafin e madh të vendosur nga filmbërës amerikanë. Pas 20 vjetësh, fëmijët e dikurshëm tashmë të rritur vihen në kërkim të atyre që i njoftuan me botën e filmit

“Home is where the films are” i regjisores More Raça është subvencionuar nga Ministria e Trashëgimisë Kulturore, Aktiviteteve dhe e Turizmit e Italisë. Projekti për dokumentar është në mesin e 21 projekteve të mbështetur në kategorinë e kooproduksionit minor. Shteti italian i ka ndarë 38 mijë e 300 euro, për dokumentarin i cili është në fazën e zhvillimit dhe dokumenton një histori goxha intriguese. Pikërisht rrëfimi tërhoqi vëmendjen e komisionit përzgjedhës, ani pse s’ka të bëjë me Italinë dhe është plotësisht temë e Kosovës.

Dokumentari 80-minutësh do të sjellë rrëfimin për jetën e një familjeje shqiptare nga Kosova gjatë luftës së fundit, dhe për kohën e kaluar në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Ngjarja fokusohet te fëmijët, të cilët në kampin e njohur Stankovec të Maqedonisë kanë shikuar filma në çarçafin e madh të vendosur nga filmbërës amerikanë. Pas 20 vjetësh fëmijët e dikurshëm tashmë të rritur vihen në kërkim të filmbërësve amerikanë. Synimi i tyre është që t’i gjejnë njerëzit që i kanë vënë në kontakt me kinematografinë gjatë luftës së fundit në Kosovë në kohën kur u detyruan t’i lënë shtëpitë.

Sipas regjisores More Raça, komisionin përzgjedhës e ka intriguar rrëfimi edhe potenciali i projektit i cili ani pse është në zhvillim, ka fituar deri tani dy shpërblime.

“Home is where the films are” në nëntor të vitit të kaluar ka marrë çmimin special në programin “DunaDoc”, që përkrahet nga kanali televiziv “HBO Europa” dhe nga programi “Fast Forward Program” i Qendrës së Filmit në Hungari. Çmimi “Documentary Association of Europe” është një mundësi për të bashkëpunuar me profesionistë dhe promovuar filmin, i cili është në fazën e zhvillimit. E në maj, të 2020-s, në edicionin e 20-të të Festivalit “goEast” që është mbajtur online dokumentari është shpërblyer me grantin për hulumtim, “Renovabis Research Grant”.

Fillimisht sipas Raçës, mbështetja financiare është një vlerësim që i është bërë projektit nga ekspertët e fushës së kinematografisë të shtetit italian, gjë që sipas saj, dëshmon që dokumentari ka një potencial shumë të madh dhe do të ketë rrugëtim të suksesshëm.

“E dyta, një mbështetje financiare nga Ministria e Italisë e ndihmon filmin financiarisht gjë që sigurisht se do të jetë një kontribut shumë i madh për ta ngritur në nivelin sa më të lartë këtë projekt. Rëndësi tjetër që dua ta përmend është se një bashkëpunim me Italinë do ta mundësojë edhe distribuimin e dokumentarit në festivale, por edhe në platforma të ndryshme televizive”, ka thënë Raça.

Dokumentari është vlerësuar me 75 pikë. Vlerësimin me të madh, me 85 pikë e ka marrë projekti filmik “Los Impactados” nën regji të Lucia Puenzo nga Kroacia.

“Home is where the films are” më atë të këtij subvencionimi italian tashmë është një bashkë-produksion në mes të Italisë dhe Kosovës. Dokumentari është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës këtë vit në konkursin e fundit me 20 mijë euro.

Në kategorinë e njëjtë me filmin “Home is where the films are”, nga Ministria Italiane është mbështetur edhe një projekt tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për produksionin e Shqipërisë, filmin “Les Fils de Cain (I Figli Di Caino) nën regji të Keti Stamos. Kurse nuk ka marrë mbështetje “Man of the Hous” nën regji të Andamion Muratajt dhe “Luna Park” nga Florenc Papas.

Raça është e njohur për filmat e shkurtër “Ajo” (2018), “Home” (2016) dhe “Amel” (2013). Me filmin debutues të metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”, ishte në garën në kategorinë kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë që u mbajt nga data 14 deri më 21 gusht, të vitit të kaluar ku triumfoi “Exili” nën regji të Visar Morinës që u bë i pari regjisor kosovar që mori “Zemrën e Sarajevës”.

“Galaktika e Andromedës” është në garën ballkanike në edicionin e 25-të të Festivalit të Filmit në Sofje, i cili nis më 11 të këtij muaji. Në këtë kategori ka konkurrentë edhe filmi boshnjak “Quo vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ku luan aktori Alban Ukaj dhe “Only Human” nën regjit të Igor Ivanovit, ku luajnë aktorët nga Kosova, May-Linda Kosumovic dhe Basri Lushtaku.