Kulturë

Ismet Bogujevci – zëri unik i muzikës së mirëfilltë shqipe 

Kolegët e tij e kishin shembull si artist e njeri, përderisa kënga e mirëfilltë shqipe mbeti pa interpretin e hollë. Bota e artit e udhëheqësit institucionalë e kanë vlerësuar lart. Mbi të gjitha për të njerëzishmen brenda tij dhe karakterin e pakompromis në raport me vlerat. Thesarit të muzikës shqipe i la margaritarë të shumtë. “Martesa jonë” do të mbetet e paharrueshme 

Te muzika popullore e folklorike emri i tij është në radhën e emblemave, për miqtë e shumtë mbetet shpirtbardhi që kishte kohë për secilin e “Shota” e nderoi si “Doajen të Ansamblit”. Ditëve të fundit po përgatitej që të ishte prapë pjesë e skenës në një koncert kushtuar koleges e mikes së tij, Nexhmije Pagarusha. Por paraditen e së enjtes u dha lajmi se muzika shqipe e ka humbur edhe njeriun që këndoi për më shumë se pesë dekada. Ismet Bogujevci vdiq në moshën 69-vjeçare. 
Kolegët e tij e kishin shembull si artist e njeri, përderisa kënga e mirëfilltë shqipe mbeti pa interpretin e hollë. Bota e artit e udhëheqësit institucionalë e kanë vlerësuar lart. Mbi të gjitha për të njerëzishmen brenda tij dhe karakterin e pakompromis në raport me vlerat. 

Fillet prej aktori e këngëtari 

I lindur më 9 prill të vitit 1952, Ismet Bogujevci qysh i ri do të merrte rrugën e artit. 
Aktiviteti i tij artistik ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike “Josip Rela” në Podujevë. Sipas një biografie të shkurtër të përgatitur nga ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ministria e Kulturës, ishte viti 1972 kur ai hyri në skenë furishëm si këngëtar, por dhe si aktor, meqë shoqëria “Josip Rela” kishte shtrirje në dy fusha –  muzikë dhe aktivitete teatrore. Te “Halili dhe Hajria” ishte në rolin e Qatipit. Me këtë dramë të njohur, në të cilën Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës. 
Bogujevci ka vazhduar ndër vite aktivitetin e tij artistik në shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe në aktivitetet që kjo shoqëri mbante në rajon. Në vitet ’90 ai ishte angazhuar si bashkëpunëtor i ansamblit “Shota”, përderisa nga viti 2000 punoi si solist në këtë institucion. Prej vitit 2012 deri më 2013 ishte ushtrues detyre i drejtorit të Ansamblit, periudhë gjatë së cilës Ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh, përfshirë edhe “Mikrofonin e Artë”. 
“Kur ta fala një tufë gërshetë” e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga” e “Bajram Curr o Bajram Curr”, janë disa prej këngëve të tij më të njohura. 

Shembull i traditës në këndim 

Bogujevci edhe pas pensionimit të tij në pranverën e vitit 2017 ishte pjesë e koncerteve të “Shotës”. Përderisa në skenë, pos këndimit, ishte edhe model se si interpretohet, pas koncerteve ishte prej njerëzve më të dashur jo veç për kolegët, por për krejt komunitetin artistik. 
Tejet i trishtuar, ka thënë të jetë ndier, miku e kolegu i tij Riza Bytyçi, të enjten. Sipas tij, është e pabesueshme që Bogujevci nuk është në mesin e familjarëve, kolegëve dhe miqve. Të mërkurën ai i ishte nënshkruar një operimi.
“E kisha shok dhe koleg të jetës dhe këngës për më shumë se 50 vjet. Ishte një shok i mirë, interpret i shkëlqyer i këngës së mirëfilltë shqipe”, ka thënë Bytyqi.  Sipas tij, zëri karakteristik i Bogujevcit, dhe interpretimet e tij do të mbesin gjatë në kujtesën e shumë artdashësve dhe kolegëve të muzikës së mirëfilltë shqipe. “Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve”, ka thënë ai. 
Udhëheqësi artistik i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve, “Shota”, Ylber Asllanaj, ka thënë se Bogujevci ishte një prej këngëtarëve më të mirë që ka pasur arti shqiptar. “Është një humbje shumë e madhe për të gjithë muzikën dhe traditën tonë kombëtare në këndim”, ka thënë ai derisa e ka përshkruar veten si njeri me fat që ishte krah Bogujevcit. Si shok kujdestar të secilit e njeri që e ka pasur shpirtin në dispozicion për secilin, e ka kujtuar ai Bogujevcin. 
“Shpirtbardhë”, është fjala me të cilën Asllanaj e ka përmbledhur mendimin e tij për kolegun.   “Nuk duhet të mendosh shumë për të thënë se ai i ka lënë shumë muzikës popullore te ne. Në vitet ’80, kur RTP-ja ka shkuar në Shqipëri, Ismeti ka qenë prej këngëtarëve më të vlerësuar. Ka pasur një timbër të jashtëzakonshëm të zërit. Një diksion perfekt. Nuk ka një këngë të Ismetit ku nuk ia merr vesh të gjitha fjalët. Ai e ka shkrirë shpirtin artistik edhe në një strofë”, ka thënë Asllanaj. 

Idol i këngëtarëve të rinj  

Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se vjetëve të fundit arti shqiptar ka humbur shumë emra. Sipas tij, të enjten arti humbi edhe një vokalist të mirënjohur, një njeri e këngëtar që ka qenë gjithmonë vetvetja. “Ishte një idol i shumë këngëtarëve të rinj. Ishte interpretues i shumë instrumenteve muzikore. Ishte një muzicient i kompletuar”, ka thënë ai. Derisa ka folur për vlerat njerëzore të Bogujevcit, Beqiri ka thënë se ai kurrë nuk ka folur keq për askënd. 
“I ka ofruar gjithmonë kolegët dhe është munduar t’u ndihmojë. Këto janë virtyte të rralla në këto kohë. Ka lënë një trashëgimi të madhe muzikore”, ka thënë Beqiri.  
Si vulë e Bogujevcit ka thënë se është kënga “Martesa”, me tekst të  Gazmend Zajmit dhe me kompozim të Fahri Beqirit. 
“Edhe pa prezencën e tij, ai me këtë këngë do të bashkojë shumë çifte. Do ta kujtojmë gjithnjë si njeri që na ka bërë të lumtur”, ka thënë Beqiri.  
Drejtori i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, ka thënë se Ismet Bogujevci për të është ndër artistët më të mëdhenj që ka dhënë hapësira kulturore shqiptare. Bogujevci për të kishte një zë të veçantë dhe të papërsëritshëm në këngët me të cilat janë rritur shumë breza. 
“E ka prezantuar këngën shqipe edhe në festivale në ish-Jugosllavi. Stili i tij i këngës, mënyra e këndimit, qëndresa stoike për të mbetur vetëm artist dhe njeri e ka bërë të dashur për të gjithë dashamirët e artit. Mbi të gjitha, kurrë nuk e ka komercializuar artin e tij e as nuk ka tentuar ta bëjë këtë. Ka qenë i veçantë në këtë drejtim. Çfarëdo që flasim për të, është pak”, ka thënë ai.  
Sipas Gjocajt, boshllëku që Bogujevci ka lënë prapa në hapësirën kulturore është vështirë të përmbushet. Ka treguar se pas disa ditësh “Shota” do ta ketë një koncert dedikuar Nexhmije Pagarushës. Kishin planifikuar që aty të këndonte edhe Bogujevci. 
“Ai do të këndonte një këngë që e kishte kënduar me Nexhmijen. Derisa bisedonim për partneren e tij në skenë, nuk na ka shkuar mendja që ai vetë nuk do ta mbërrije këtë koncert. Tash duhet ta mendojmë se si do ta kujtojmë Balin”, ka thënë ai, duke e përmendur nofkën me të cilën Bogujevci thirrej në komunitet. Gjocaj ka thënë se në vitet ne vijim Ansambli dhe hapësira kulturore e Kosovës duhet ta kujtojnë Bogujevcin dinjitetshëm. 
“Meriton hiç më pak se një festival me emrin e tij. Në këtë aspekt nuk duhet të koritemi, pasi në aspektet e tjera nuk i kemi dalë borxhit”, ka thënë ai.

Image
“Shota” kishte planifikuar që në një koncert, që do të mbahet së shpejti në nderim të Nexhmije Pagarushës, Ismet Bogujevci të këndonte një këngë që dikur e kishte interpretuar me Bilbilin e Kosovës

Figurë e veçantë në promovim të kulturës

Nëpërmjet një komunikate për media, Ministria e Kulturës ka njoftuar për vdekjen e Bogujevcit duke e vlerësuar atë personalitet të shquar të këngës popullore dhe gjithë folklorit kombëtar.
“Ministri Hajrulla Çeku në emër të të gjithë Ministrisë ngushëllon thellësisht familjen e të ndjerit. Një figurë e veçantë që e promovoi kulturën tonë në shumë forma duke ngritur dhe jetësuar vlerat tona kombëtarë për dekada të tëra”, shkruhet në komunikatë. 
Sipas MKRS-së, Bogujevci ishte një prej personaliteteve të shquara që kontribuoi në institucionet e kulturës së fundmi edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”. Kontributi i tij në muzikën popullore, duke filluar nga kënga ikonike “Martesa jonë” deri tek interpretimi i këngëve popullore të trevave shqiptare, sipas MKRS-së, ka qenë i jashtëzakonshëm në ruajtjen e ngjyrës origjinale të këngës shqipe.
“Kosova do ta kujtojë Ismet Bogujevcin për veprimtarinë e tij të lartë muzikore dhe do të përkujdeset për ruajtjen e trashëgimisë së tij artistike që e ka lënë si thesar për kombin tonë”, shkruhet në komunikatë. 
Gjatë ditës së enjte edhe kolegët kanë kujtuar çaste me Bogujevcin. 
Nysret Muçiqi ka shkruar në Facebook se nuk e kishte menduar ndonjëherë që do t’i duhet të shkruajë letër lamtumire për Bogujevcin e sidomos jo tani kur po vazhdonin me përgatitjet për të organizuar gala-mbrëmjen për nder të 70-vjetorit të lindjes së këngëtarit. 
“Shumë e rëndë, në këtë ditë të madhe, me u nda nga një artist i madh, nga shoku e miku i jetës, nga shqiptari i vërtetë Ismet Bogujevci. Llapi, Kosova e gjithë shqiptaria, sot mbetëm pa ikonën e muzikës së mirëfilltë shqipe, mbetëm pa më të madhin, balin Ismet. Lamtumirë njeri i mirë i vendit tim, lamtumirë legjendë, të pastë shpirti dritë!”, ka shkruar Muçiqi. 
Sabri Fejzullahu ka shkruar se të enjten do të donte ta takonte Bogujevcin për t’ia uruar festën e Fitër Bajramit.
“Zoti paska vendosur të të dërgojë në atë botë në këtë ditë të madhe, e s’mundem me thënë asgjë. Ma  thave gojën e shpirtin dhe mbeta pa fjalë. E kishe urtësinë e qytetërimit artist. Ngushëllime të gjithë popullit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook. 
Ministria e Kulturës ka njoftuar se të premten, prej orës 11:00 deri në 11:15 do të bëhet  parakalimi i veturës së funeralit prej sheshit “Zahir Pajaziti” deri në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Prej orës 11:30 deri në orën 14:00 do të jetë ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kurse varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 16:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës në lagjen “Arbëria”.