Paradoksale është prapaskena e nisjes së punimeve për atë që Komuna e Prishtinës e ka quajtur “Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”. Ceremonia solemne ka për intro shkeljen e Ligjit për trashëgimi kulturore. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Pallati i Rinisë dhe Sportit po ashtu është monument. E, këtu nis loja me tabela e zhvendosja e punimeve
Komuna e Prishtinës të mërkurën ka inauguruar punimet për atë që e quan “Ishulli urban Arbëri – Pallati i Rinisë”. Bëhet fjalë për një lloj mbikalimi nëpërmjet të cilit synohet të lidhet “Arbëria” me pjesën qendrore të qytetit, konkretisht me Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Por Komuna e Prishtinës mund të zhvillojë punime vetëm në “Arbëri” e jo edhe në pjesën matanë hekurudhës dhe rrugës automobilistike, ku edhe nis parcela e asaj që tash është parking prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Synimet ishin të tjera, por institucionet e trashëgimisë kulturore kanë vepruar.
Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Pallati i Rinisë dhe Sportit po ashtu është monument. Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në ditën e fundit të muajit të kaluar kishte dalë në terren. E në ditën e parë të këtij muaji, ka lëshuar një procesverbal nëpërmjet të cilit ka ndalur punimet që me vënien e tabelave.
“Punimet janë ndalur nëpërmjet procesverbalit pasi Komuna nuk ka pëlqim për zhvillimin e atij projekti”, ka thënë zëvendësuesja e drejtorit të Inspektoratit, Gjejlane Hoxha.
Ligji për trashëgiminë kulturore, i miratuar që nga vitit 2006, përcakton se për çdo intervenim në pronat e trashëgimisë kulturore duhet të kërkohet pëlqim ose leje nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga Institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore.
Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
“Ne nuk kemi pranuar kurrfarë projekti për këtë investim dhe nuk është kërkuar pëlqim ashtu siç përcakton legjislacioni”, kanë treguar në Institutin e Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve.
Por pasi i janë ndërprerë punimet nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni ka gjetur një zgjedhje: ka zhvendosur tabelat matanë rrugës dhe hekurudhës dhe i ka nisur punimet në “Arbëri”.
Inaugurimi i punimeve është bërë me alamet ceremonie, por nuk është treguar se s’mund të vazhdohet tutje në drejtim të Pallatit të Rinisë.
“Sot inauguruam fillimin e punës në një ndër projektet më të mëdha të Prishtinës, ishullin urban Arbëri - Pallati i Rinisë. Bashkë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe drejtorin për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi përuruam punimet e njërit prej projekteve më të mëdha transforumese të kryeqytetit”, ka njoftuar kryetari Rama.
Sipas tij, pas shumë dekadash “Arbëria” do të lidhet me pjesën tjetër të qytetit.
“Qytetarët tonë nuk do të rrezikojnë jetën e tyre duke ecur në hekurudhë por do të lëvizin në një platformë moderne derisa në anën tjetër do të lehtësojmë lëvizjen e veturave në rrugën kryesore”, ka njoftuar ai.
Sipas Ramës, puna profesionale kërkon dedikim edhe projektet kërkojnë planifikim, prandaj do të vazhdojnë me punë të pandalshme dhe nuk do të ndalen deri në transformimin e Prishtinës në një qytet modern. Ka treguar se bëhet fjalë për projekt me kosto 6.5 milionë euro.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tërthorazi në ceremoninë e edhe në njoftimin që ka lëshuar më pas e ka përmendur ndërprerjen e punimeve në anën tjetër të rrugës. Por ka dhënë deklaratë politike.
“Projekti, zotim i Përparimit dhe i yni elektoral, është ideuar, projektuar e financuar tërësisht nga Komuna e Prishtinës; dhe pavarësisht pengesave të pakuptueshme të qeverisjes qendrore, ai po merr jetë. U zotova, që nga 9 shkurti, në qeverisjen time, të gjitha pengesat e nivelit qendror mbi kryeqytet do të marrin fund”, ka njoftuar Abdixhiku.
KOHA mbrëmjen e së martës ka tentuar të vërë kontakt me drejtorin e Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, por ai nuk është përgjigjur se përse ky projekt ka nisur pa kërkuar pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Qarqe të afërta me pushtetin komunal i kanë thënë KOHËS se Komuna është ngutur me inaugurimin e punimeve shkaku i zgjedhjeve qendrore që do të mbahen në shkurt të vitit që vjen dhe për këtë arsye nuk kanë aplikuar ende për leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore.