Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka prezantuar të mërkurën në Tiranë kolanën e re studimore dhe dokumentarin “Arkitektura komuniste e kryeqytetit”. Një temë dominuese në këtë vëllim janë historitë e azilantëve politikë, që kanë arritur të arratisen gjatë periudhës së komunizmit, dhe marrëveshjet e fshehta të shtetit shqiptar me shtetin jugosllav për kthimin e të arratisurve politikë. Pjesë e aktiviteteve është edhe ekspozita “Fytyrat e diktaturës”
Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK) ka sjellë kolanën e re studimore dhe dokumentarin “Arkitektura komuniste e kryeqytetit”. Në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë hapën edhe ekspozitën treditore “Fytyrat e diktaturës”.
Kolana e re studimore u prezantua në ditën e fundit, të mërkurën, ku ekspozita qëndroi e hapur për publikun. “Arkitektura komuniste e kryeqytetit” është një dokumentar me 12 dëshmi nga diaspora dhe ka për autore drejtoreshën e kërkimeve, Luljeta Lleshanaku.
Poetja Lleshanaku ka treguar risitë rreth 12 dëshmive të të intervistuarve të saj në “Zërat e kujtesës”.
“Unë vetë në familje kam tre të zhdukur, edhe të xhaxhait të cilin e ekzekutuan”, ka thënë ajo.
Viktimat e diktaturës – nga më të egrat në bllokun e lindjes e që zgjati gati gjysmë shekulli në Shqipëri – nuk kanë gjetur ende drejtësi, por zëri tyre vjen nëpërmjet dëshmive. Botimet e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, krahas studimeve monografike e memoaristike nga burgjet, këtë vit shoqërohen nga numri i parë i revistës “Memoria”. Vëllimi i ri i “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist” plotëson databazën e viktimave nga kampet e burgjet. Ndërsa “Zërat e Kujtesës” me autore Luljeta Lleshanakun përmban në këtë numër dymbëdhjetë intervista të reja.
“Ky numër bazohet në intervista të marra në diasporë. Nëse ka një temë dominuese në këtë volum. Janë historitë e arratisë. Pjesa më e madhe e të intervistuarve janë azilantë politikë, që kanë arritur të arratisen gjatë periudhës së komunizmit. Është situata përtej kufirit, marrëveshjet e fshehta të shtetit shqiptar me shtetin jugosllav për kthimin e të arratisurve politikë”, ka thënë Lleshanaku. Ata që ende rrojnë për të treguar, tanimë janë të paktë dhe mbledhja e dëshmive nuk mund të presë.
“Një pjesë e të mbijetuarve nuk jetojnë më, fatkeqësisht edhe këto dy vjet prej COVID-19 patëm humbje të mëdha...Tashmë duhet të fillojmë të marrim dëshmi që janë jo të drejtpërdrejta, dëshmi të brezit të dytë, të cilat sigurisht nuk kanë të njëjtën vlerë si dëshmitë origjinale”, ka thënë ajo. Memoria është edhe në trashëgiminë materiale të asaj periudhe. Ndaj tri udhëtime me autobus, përmes guidës së arkitektit Eled Fagu, çojnë nëpërmjet dokumentarit tek “Arkitektura komuniste e kryeqytetit”.
Për Eled Fagun, arkitektura si çdo fushë tjetër ishte vetëm në funksion të politikës, duke investuar në aspektin estetik si propagandë.
“Në atë kohë arkitektura përdorej për arsye politike sigurisht. Uniformiteti lidhej me njësimi me barazinë e klasave që promovohej me politikën. Një lloj qëndrimi estetik i tërhequr që kërkohej te popullsia në përgjithësi”, ka thënë Fagu. Çdo ndërtesë, duke filluar nga objektet e kulturës si ish-kinostudio “Shqipëria e re” e deri tek uniformiteti i shtëpive-blloqe të banimit, sot kanë vlerat e tyre arkitekturore, të periudhës kur janë ndërtuar.
Te “Fytyrat e diktaturës” janë lënë edhe vende boshe, e për këtë ka një arsye
“Sistemi socialist tentoi ta zhbëjë ose të përzgjedhë ndërmjet atyre që duheshin dokumentuar dhe atyre që s’duheshin dokumentuar, duke ndryshuar karakterin e objekteve, duke u sjellë në mënyrë reaksionare, pra duke ndryshuar në të kundërtën e vet në mënyrë ironike shumë objekte, por nga ana tjetër nuk duhet të jemi shumë përçmues të historisë sonë, vetëm për faktin që sot kemi disa mundësi më tepër, është pikërisht ai ‘background’ që na bën të kuptojmë ku kemi qenë dhe ku jemi”, ka thënë Fagu.
Sot Tirana ka evoluar dhe me zhvillimin e qytetit është modernizuar edhe struktura urbanistike, por themelet e kryeqytetit mbeten nën rrënjët e ndërtesave historike.
“Është gati si një muze lëvizës. Është një mënyrë për të njohur qytetin, stampën e regjimeve totalitare edhe në estetikën e mjedisit me ndihmën e historianit të artit. Duke e vizituar qytetin, kuptohet pse ne kemi këtë lloj trashëgimie materiale, sa i shërben gjithë kjo estetikë e jashtme asaj utopie të propaganduar nga komunizmi”, ka thënë Luljeta Leshanaku.
Ekspozita “Fytyrat e diktaturës” është hapur në ish-vilën e diktatorit në bllok në kuadër të edicionit të shtatë të “Ditëve të Kujtesës” dhe vjen si një reflektim që duhet të pasur mbi drejtuesit e atyre institucioneve që mbajnë përgjegjësi direkte për instalimin dhe mirëfunksionimin e mekanizmave që mbajtën në këmbë regjimin komunist në Shqipëri, duke përdorur represionin, përndjekjen, dhunën dhe terrorin ndaj çdo personi që konsideronin “armik”, përfshirë këtu edhe fëmijët.
Rënia e diktaturës në Shqipëri nuk u pasua me një hetim të krimeve të kryera, aq më tepër që autorët e këtyre krimeve nuk u përballën asnjëherë seriozisht me drejtësinë dhe nuk u kërkuan falje publike viktimave të regjimit komunist. Në murin e kësaj ekspozite janë vendosur 171 fotografitë e atyre personave, të cilët mbajnë përgjegjësi direkte për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të individit dhe represionin e ushtruar nga regjimi komunist, që ishin përgjegjës për dënimet, internimet, burgosjet, dëbimet dhe ekzekutimet.
Në qendër është kush tjetër pos Enver Hoxhës. Por krahas emrave dhe fotografive janë lënë edhe disa vende bosh, sepse ky mur, sipas organizatorëve, është i vogël.
Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci Media dhe Kulturë, ka thënë se ky mur është pak.
“Është një mur që përfaqëson idenë tonë, por duhet të shtohen edhe fotografi të tjera, si edhe dokumente të tjera. Donim që ekspozita të çelej këtu, sepse këtu dikur janë marrë vendime për fatet njerëzore dhe kjo godinë duhet kthyer në muze për diktaturën”, ka thënë Godole.
Drejtori i ISKK-së, Çelo Hoxha, ka thënë se ajo që tregohet në këtë ekspozitë është shumë pak nga thellësia dhe gjerësia e shpërndarjes së krimeve përgjatë 50 vjetëve të diktaturës.
Në çeljen e ekspozitës, drejtori i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Tobias Rüttershoff, ka folur për rëndësinë e kujtesës dhe mbështetjen që ky fondacion i jep këtij aktiviteti. Ish të përndjekur, ish të dënuar dhe trupi diplomatik në Tiranë vizituan ekspozitën.