Rrethimi i ish-“Kino Rinisë”, është masa e vetme që është ndërmarrë për këtë monument midis Prishtinës, pas zjarrit të shkurtit të këtij viti, i cili sipas Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore “është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes” përderisa “monumenti ka humbur shumicën e elementeve origjinale”. Institucioneve të trashëgimisë kulturore u mbetet të hartojnë një raport, nëpërmjet të cilit bëhet vlerësimi i dëmeve e më pas institucionet lokale e qendrore te merren vesh për të ardhmen e këtij monumenti që gjendet në zonën e parë të kryeqytetit
Ndërtesa e ish-“Kino Rinisë” është rrethuar me panele të metalta në mënyrë që askush të mos ketë qasje. Ky veprim është ndërmarrë për ta rritur sigurinë dhe t’u pamundësohet qytetarëve që t’i afrohen ose të futen në brendi të ndërtesës. Një pjesë e monumentit në fillim të shkurtit të këtij viti qe kapluar nga zjarri. Është dashur intervenimi i zjarrfikësve që situata të qetësohet. Rrethimi është bërë nga Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës, përderisa rekomandim për këtë kishte lëshuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Institucioneve të trashëgimisë kulturore u mbetet të hartojnë një raport nëpërmjet të cilit bëhet vlerësimi i dëmeve e më pas institucionet lokale e qendrore te merren vesh për të ardhmen e këtij monumenti që gjendet në zonën e parë të kryeqytetit.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nëpërmjet inspektimit ka ardhur në përfundim se ndërtesa është në gjendje të rëndë fizike si pasojë e intervenimeve të paplanifikuara dhe mungesës së mirëmbajtjes. Është konstatuar se monumenti ka humbur shumicën e elementeve origjinale. Është vlerësuar se dëmtimet më të mëdha janë bërë gjatë viteve 2020-2022 kur Agjencia Kosovare e Privatizimit – që asokohe menaxhonte me ndërtesën – ia kishte dhënë atë në shfrytëzim një rrjeti supermarketesh. Në atë kohë objekti kishte pësuar dëmet më të mëdha në hapësirat e brendshme.
“Ndërtesa është braktisur dhe në hapësirat e brendshme vërehet se ato shfrytëzohen për strehim nga persona të paidentifikuar e të pastrehë si dhe shfrytëzohet për aktivitete të jashtëligjshme të cilat në mënyrë të vazhdueshme rrezikojnë edhe jetën e tyre por edhe shkaktimin e dëmeve që mund të jenë nga pakujdesi ose të qëllimshme, supozoj: ndezja e ndonjë zjarri për t’u ngrohur apo gjuajtja e cigareve nga personat e pastrehë që frekuentojnë këto hapësira”, shkruhet në raport në mes të shkurtit. Aty bëhet me dije se nga zjarri i shkaktuar vërehet se ka rënë kulmi i ndërtesës, gjegjësisht në pjesën dërrmuese të sallës së vogël e cila ndodhet në katin e parë të ndërtesës.
“Kjo pjesë e kulmit tashmë është shkatërruar plotësisht dhe nevojitet ndërmarrja e masave emergjente për rregullimin e tërësishëm të kulmit”, shkruhet në raport. Aty zë vend edhe konstatimi se ekspozimi i kutisë së siguresave elektrike mund të jetë shkaktar i ndonjë avarie të mundshme në ndërtesë. Është kërkuar ndërprerja e energjisë elektrike në monument.
Raporti u është përcjellë Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. U është rekomanduar që të bëjnë vlerësimin e dëmeve si rezultat i zjarrit. Po ashtu të propozojnë masat e sigurimit të ndërtesës nga dëmet e mëtutjeshme dhe ato t’i përcjellin te Drejtoria e Emergjencave në Komunën e Prishtinës.
“Të hartohet projekti për intervenime emergjente, sidomos renovimi i tërësishëm i kulmit pasi është jashtëzakonisht i dëmtuar dhe është i mbuluar me material lesoniti me përbërës nga azbesti, i cili sipas standardeve ndërkombëtare konsiderohet i dëmshëm dhe kancerogjen”, shkruhet në raport. Masat e sigurisë për të mos pasur qasje qytetarët është po ashtu midis rekomandimeve.
Komuna e Prishtinës pas marrjes së shkresës nga institucionet e trashëgimisë kulturore ka ndërmarrë veprimet që i janë rekomanduar. Është bërë rrethimi i hapësirës.
Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Lulzim Fushtica ka thënë se pas raportit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e po ashtu të IKMM-së kanë bërë rrethimin e monumentit në mënyrë që të mos ketë mundësi të futet askush në ndërtesë shkaku i sigurisë.

“Ky ka qenë rekomandimi dhe ne kemi vepruar në këtë mënyrë. Tash duhet të presim për plan të konservimit dhe restaurimit të ndërtesës nga institucionet e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Fushtica. Ka treguar se kanë bërë pastrimin e objektit duke larguar mbeturinat dhe po ashtu kanë pamundësuar parkimin e makinave afër ndërtesës.
“Ne asnjë hap nuk e bëjmë pa pëlqimin e IKMM-së. Bashkë do të vendosim për destinimin e radhës në përputhje me rekomandimet e institucioneve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
KOHA ka kërkuar informacion nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë nëse është bërë raport i vlerësimit të dëmeve për ish-“Kino Rininë”, por s’ka marrë përgjigje. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve s’është në dijeni për një raport të tillë apo për ndonjë plan të ndërhyrjes emergjente.
Para 69 ditësh, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i zjarrfikësve dhe i Policisë pasi kulmi i ndërtesës ishte kapluar nga zjarri. Situata ishte alarmuese rreth orës 15:40 të shtatë shkurtit.
Në këtë monument, prej vitesh s’ka shenjë kinemaje në ndërtesën të cilën qeveritë lokale e qendrore disa herë kanë premtuar se do ta restaurojnë e rigjenerojnë. Madje duke dhënë edhe afate.
Rasti i fundit e kishte rikonfirmuar gjendjen e mjerueshme. Në vitin 2022, Komuna e Prishtinës e mori nën menaxhim.
Zjarri më 7 shkurt s’është i pari për këtë objekt. Gjatë viteve ’60, ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja e ndërtuar më 1952, dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si e tillë edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët.
Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”.
Prej vitit 2005, objekti i ish-“Kino Rinisë” nisi të jepej me qira. Për një kohë qe gjykatë, më pas diskotekë e vend i lojërave të fatit. Më 2020 në objektin e ish-“Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.
Në qershorin e vitit 2020, Agjencia Kosovare e Privatizimit – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës ishin në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.
Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.
Pak ditë më vonë, Ministria e Kulturës do të kërkonte rikthimin e ish-“Kino Rinisë” tashmë të tjetërsuar. Do të reagonte pas njoftimit për lëshimin me qira të objektit, teksa i kërkonte Agjencisë Kosovare të Privatizimit që objekti të “ribëhet”. AKP-ja kishte përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lartë për dhënien me qira të objektit afër qendrës së kryeqytetit.
Pasi ishte angazhuar bashkë me organizata të tjera që shteti ta marrë nën mbrojtje ndërtesën, fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” kishte mbajtur aktivitetin “Zërat paralelë” në shtator të vitit 2021 si intervenim i arkitektit Maksut Vezgishi që ngjalli ish-kinemanë për disa ditë. E në prillin e vitit pasues bëri promovimin e librit “Kino Rinia – Zërat paralelë”. Se cili do të jetë funksioni i ardhshëm i ndërtesës pritet të vendoset. Ligjet aktuale s’lejojnë tjetër destinim pos kinemasë. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit MKRS-ja ka 500 mijë euro për “Revitalizimin e Kinemave Publike në regjionin e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës”.
Folegjenda: