Në shtatorin e 2015-s, Kamuran Gorancit, asokohe drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, iu shqiptua masa disiplinore “për shkelje të rënda serioze”. U largua nga zyra dhe iu ndalua të gradohej për dy vjet. Por gati pesë vjet më vonë, krejt këto vendime, edhe nga Gjykata, u konfirmuan të jashtëligjshme. E fitoi gjyqin dhe do t’i kompensohen gati 4 mijë euro si dallim në pagë, por Goranci nuk do të ndalet me kaq. Institucioneve gjyqësore do t’u drejtohet sërish, tash për të kërkuar kompensim për dëmin jomaterial, që do të thotë dëmtim moral, reputacioni i personalitetit
Ministria e Kulturës e ka degraduar nga pozita pa kurrfarë të drejte ish-drejtorin e Departamentit të Kulturës, Kamuran Goranci. Këtë pretendim të Gorancit e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë. Më pas e ka rikonfirmuar edhe Gjykata e Apelit. Për dëmin material që i është shkaktuar, shteti i detyrohet Gorancit me afro 4 mijë euro. Pos kësaj, ai synon që t’i nxjerrë zyrtarët ministrorë para gjykatës edhe sa i përket dëmit moral.
Gjithçka kishte filluar në gushtin e vitit 2015, kur Kujtim Shala ishte ministër i Kulturës dhe Veton Firzi sekretar i përgjithshëm i MKRS-së. Tash që të dy janë kandidatë për deputetë. I pari për LDK-në e i dyti për PDK-në.
Goranci, i cili është pensionuar në korrikun e vitit të kaluar, ishte larguar nga pozita e tij për t’u emëruar udhëheqës i Divizionit të arteve skenike.
“Për shkelje të rënda serioze i shqiptohet masa disiplinore: Largim nga zyra dhe transferim në një lokacion tjetër me detyra të ngjashme dhe ndalimi i gradimit deri në dy vjet nga Komisioni Disiplinor”, shkruhej në pikën e parë të vendimit të marrë nga Komisioni më 28 shtator të vitit 2015.
“Përzgjedhja e projekteve kulturore të vitit 2014 për organizatat joqeveritare dhe individët, nuk ka pasur vendim për komisionin profesional për vlerësimin e projekteve sipas konkursit të datës 16.12.2013”, shkruhej në vendim. Komisioni disiplinor asokohe udhëhiqej nga Ibër Alaj, tash zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm në MKRS. Kurse nxjerrja e Gorancit para Komisionit Disiplinor është bërë nëpërmjet një shkrese të ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, drejtuar ish-udhëheqësit të Divizionit të personelit, Berat Hadri. Si arsye të masave disiplinore ishin nxjerrë edhe disa raste ku ishin rritur shifrat e subvencionimit, duke bërë që për disa organizata kulturore të ndryshojë vlera financiare e përkrahjes midis listës së përfituesve dhe pagesave të bëra. Asokohe në raportimin për rastin e Gorancit, “Koha Ditore” po ashtu kishte përmendur faktin se edhe në vitin 2015 kishte ngjarë njëjtë. Kur ishin publikuar rezultatet e konkursit për subvencionimin e projekteve, vlerësimet e zyrtarëve profesionalë ishin përmbysur nga kabineti i ministrit Kujtim Shala. Në disa raste shuma e përcaktuar nga zyrtarët ishte zbritur përderisa disa përfitues ishin eliminuar fare.
Gjykata i ka dhënë të drejtë Gorancit. Ka hedhur poshtë vendimet e Komisionit për ankesa në MKRS dhe ato të Këshillit të Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.
Në vendimin e nxjerrë më 5 dhjetor të vitit 2018 nga Gjykata Themelore në Prishtinë shkruhet se “aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Kamuran Goranci nga Prishtina”. Pas kësaj, vendimi është apeluar nga Këshilli i Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Por në ditën e 8 tetorit të vitit të kaluar, vendimi i Gjykatës Themelore është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Po sipas këtij vendimi, Ministria e Kulturës obligohet që t’ia kompensojë zbritjen e pagës Gorancit.
Sipas llogaritjes së ekspertit financiar, janë 3 920 euro për të cilat shteti i detyrohet Gorancit.
Në kohën kur ishte degraduar në pozitë, Goranci nuk kishte pranuar të fliste për “Kohën Ditore”. Tash, ai ka thënë se si ish-zyrtar i MKRS-së gjithnjë është munduar dhe ka punuar në mënyrë shumë profesionale dhe gjithmonë ka respektuar ligjet, rregulloret dhe politikat programore.
“Prandaj, veprimet e kundërligjshme të eproreve të mi të asaj kohe kanë qenë si hakmarrje ndaj meje dhe arsyet e këtyre veprimeve nuk i di as sot. Me siguri se arsyet se perse i kanë marrë këto veprime të kundërligjshme si hakmarrje ndaj meje i dinë shumë mirë vetë eprorët e mi të asaj kohe, si ish-ministri i MKRS-së, Kujtim Shala, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi. Ndoshta ata vetë do t’i tregojnë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se asokohe nuk ishte deklaruar publikisht pasi e dinte se ndaj tij janë marrë veprime të jashtëligjshme dhe ishin të orkestruara brenda MKRS-së, duke filluar nga Auditori i Brendshëm, Komisioni Disiplinor i MKRS-së dhe shkallët e tjera ku ka ushtruar ankesa para se t’i drejtohej Gjykatës. Goranci e ka dorëzuar në MKRS kërkesën për kompensim material. Por ai nuk do ta lërë me kaq.
“Aty është cekur se nuk është llogaritur dëmi jomaterial, që do të thotë dëmtimi moral, reputacioni i personalitetit e të tjera, për të cilat, sipas të drejtës ligjore, bashkë me avokatin tim do të veprojmë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, ka thënë se nuk është në dijeni për vendim të Gjykatës në lidhje me Kamuran Gorancin.
“Por secili vendim i gjykatës duhet të respektohet në tërësi. Epror i tij ishte sekretari”, ka thënë Shala.
Ish-sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, i cili e kishte dërguar në Komisionin Disiplinor Gorancin, ka thënë se nuk mund ta komentojë vendimin e Gjykatës.
“Ajo se çfarë ka rekomanduar Komisioni asokohe mbetet në përgjegjësi të Komisionit”, ka thënë ai.
E kryesuesi i Komisionit të atëhershëm, tash zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm, Ibër Alaj, nuk i është përgjigjur KOHËS në lidhje me këtë rast.
Faksimile faqes së parë të vendimit të Gjykatës së Apelit që vendosi në favor të Gorancit