Kulturë

Isa Qosja: “Proka” ka kundërshtinë e heshtur si mesazh të përhershëm

isa qosja

“’Kukuma’ ka pasur shumë. Kam qenë edhe unë, pasi ka pasur shumë paqartësi pasluftës. Droja ime ka qenë që ne nuk do të sillemi mirë kur do te jemi plotësisht të lirë. Kam pasur frikë dehumanizimin e shoqërisë. Mesazhi i fundit i ‘Kukumit’ sado i vrazhdë mbetet i tillë. Ata njerëz që dolën me përjetu lirinë u kthyen atje prej ku kanë dalë pasi ishin më të sigurt”, ka thënë regjisori Isa Qosja

Profesori universitar i regjisë së filmit, Isa Qosja, shquhet për durim e heshtje. Edhe rebelimin e manifeston kështu. Këto veti gjenden edhe në filmat e tij. E thotë edhe vetë. Me rastin e 40-vjetorit të filmit “Proka”, në një bashkëbisedim me aktoren Vlora Merovci, Qosja ka folur për historinë e tij krijuese, jetën e atë se si i duket kinematografia sot. “Te Proka pashë një njeri që rebelohej në mënyrë të heshtur”, ka thënë ai krejt në fillim pasi ka treguar se kishte marrë në shqyrtim novelën e Filip Papajanit. Bashkë me Eqrem Bashën do të bënin gati skenarin. E pavarësisht qejfit që i gjithë ekipi të ishte shqiptar, kjo nuk ishte e mundur

Në fillim të viteve ’80, regjisori Isa Qosja punonte në atë që ishte Televizioni i Prishtinës. Me sugjerimin e Azem Shkrelit asokohe drejtor i “KosovaFilmit”, ai do t’i bashkohej këtij institucioni. E më 1984 do të debutonte si regjisor i filmit të gjatë artistik. “Proka” që mban vulën e stilit të Qosjës, edhe sot mbetet një ndër simbolet e kinematografisë së Kosovës. Koncepti i realizimit të atij filmi e ka përcjellë krijimtarinë e Qosjës deri në projektin e fundit, “Lejleku” që kishte premierën në shtatorin e sivjetmë. 

Profesori universitar i regjisë së filmit, Isa Qosja, shquhet për durim e heshtje. Edhe rebelimin e manifeston kështu. Këto veti gjenden edhe në filmat e tij. E thotë edhe vetë. Me rastin e 40-vjetorit të filmit “Proka” në një bashkëbisedim me aktoren Vlora Merovci, Qosja ka folur për historinë e tij krijuese, jetën e atë se si i duket kinematografia sot. 

“Te Proka pashë një njeri që rebelohej në mënyrë të heshtur”, ka thënë ai krejt në fillim pasi ka treguar se kishte marrë në shqyrtim novelën e Filip Papajanit. Bashkë me Eqrem Bashën do të bënin gati skenarin. E pavarësisht qejfit që ekipi të ishte i gjithë shqiptar, kjo nuk ishte e mundur. 
“Më dukej se e gjeja veten”, ka thënë Qosja. Këtë nuk e ka pohuar rastësisht. Menjëherë më pas ka treguar se si student i regjisë, do të ndikohej nga regjisori italian Federico Fellini. 

“E pashë filmin e Fellinit dhe thashë po e lë Akademinë, pasi kjo (kinematografia v.j.) është shumë e largët për mua”, ka treguar ai. sebep që Qosja të vazhdonte do të bëhej profesori Zhivojin Pavloviq. I njohur në komunitetin e filmit të asaj kohe si Zhika, ai do ta bindte Qosjën se ka talent për këtë punë.   
“Profesori jam, në kërkim të vetvetes”, ka thënë Qosja. Një pjesë të vetes e kishte gjetur te “Proka”. Personazhi kryesor i këtij filmi s’e duron rrethin e tij goxha provincial. Dhe shpërfaq kundërshtim të madh. Por këtë e manifeston me njëfarë heshtje që nuk zëvendësohet me kurrfarë të bëme. 
“Përmbledhur në një fjali, më duket Ag Apolloni e pati shkruar: ‘sa të ketë padrejtësi do të ketë Prokë’.

Proka u bën ballë padrejtësive. Unë e gjeta veten në një mënyrë. Aty flitet për personin që do të dallohet nga mjedisi me diçka”, ka thënë Qosja. Sipas tij, “Proka” e ka një të mirë. 

“Kundërshtinë e heshtur që është mesazh i përhershëm. Ajo më pëlqen si vijë e përgjithshme. Proka e ka këtë vlerë për mua”, ka thënë ai. 

Me kapelën që e shoqëron vazhdimisht e thjeshtësinë që s’i ndahet, Isa Qosja i lindur në Vuthaj të Malit të Zi më 1947, në këtë bashkëbisedim të mbajtur në kafe-galerinë “Kult Plus”, ka folur për filmat e tij, por edhe kontekstin e realizimit të tyre. Në fund të viteve ’80, me filmin e tij të dytë “Rojet e mjegullës” do të bënte alamet buje. Madje në Prizren ishte anuluar shfaqja e filmit, pasi gazetarë e pushtetarë serbë në këtë projekt kishin gjetur, “gabime, irredentizëm” e çka jo tjetër. Në të vërtetë regjisori ishte koshient për njëfarë elementi të pakënaqësisë që e shfaqte në film. Prapë në vijën e reagimit të heshtur. 

“Secili nga ne në një mënyrë ka kontribuuar në atë që quhet dëshmi për përkushtimin atdhetar. Populli i pari i shpreh pakënaqësitë. Ne e kemi ndier se duhet të themi diçka si krijues. Kjo në një mënyrë e zbeh autorësinë në një vepër, në një film”, ka thënë Qosja. Për rastin e ndalimit të shfaqjes së filmit, ka kujtuar se një person do t’i drejtohej: “Ti ke kontribuuar që të ndodhë kështu”. 

“Ai kontribut nganjëherë nuk është i qëllimshëm por është në nënvetëdije”, ka thënë Qosja. 

Deri ka folur për filmin në përgjithësi është deklaruar se i mbetet besnik rrugës së vjetër, asaj se filmi shprehet me fotografi sa më kuptomplotë. “Fotografia është ajo që e gëlltit tekstin. E kam frikë planin e afërt. Natyra ka shumë rëndësi dhe mund te jetë element përbërës i çdo kuadri”, ka thënë Qosja.  Filmat i ka ndarë në ata që i ka bërë me mendje e ata që i ka punuar me zemër. I fundit, “Lejleku” u takon atyre të punuar me zemër pasi shpërfaq vendlindjen e tij, Vuthajn. 

“Filmin e fundit e kam bërë me zemër pasi ata njerëz atje janë harruar dhe nuk u ndodh asgjë. E kam marrë si simbol lejlekun... Unë e kam pasur një fëmijëri të paqartë. Kemi dalë ne fushë në mëngjes e jemi kthyer në mbrëmje”, ka thënë Qosja. 

Regjisori që ka realizuar edhe “Kukumin” e “tri dritare dhe një varje” derisa ka folur për fillet e tij ka thënë se së pari ka regjistruar aktrimin dhe ka qëndruar 10 vjet në teatër e mandej ka shkuar në regji. Pjesë e vulës së tij krijuese është edhe filmi i parë i realizuar pas luftës së fundit në vend, “Kukumi”. Filmi i vitit 2005 merr në shqyrtim shoqërinë e pasluftës, çmenduritë e një populli që lirinë e përjetonte për herë të parë. 

“’Kukuma’ ka pasur shumë. Kam qenë edhe unë, pasi ka pasur shumë paqartësi pasluftës. Droja ime ka qenë që ne nuk do të sillemi mirë kur do të jemi plotësisht të lirë. Kam pasur frikë dehumanizimin e shoqërisë. Mesazhi i fundit i ‘Kukumit’ sado i vrazhdë mbetet i tillë. Ata njerëz që dolën me përjetu lirinë u kthyen atje prej ku kanë dalë pasi ishin më të sigurt”, ka thënë Qosja. Nuk i ndan krijimet e tij por edhe s’e lë modestia të çojë lartë ndonjërin. 

“Nëse do t’i bashkoja të gjithë filmat e mi, do të bëja një film çfarë kam dëshirë”, ka thënë ai. 
Për filmat e kohëve të fundit në përgjithësi ka thënë se duhet t’i kalojnë paraprakët. Sa i përket kinematografisë vendore, ka thënë se ka prej tyre që nëpër festivale kanë arritje më të madhe se “ata të kohës sonë, pavarësisht se mundësitë tona ishin të tjera”.  
“Kam dëshirë që këta filma të kenë atë fotografinë që mbetet mesazh. Ndoshta na duhen tregime më komplekse që kanë mesazhe jo veç nga përditshmëria. Filmat që janë bërë tejkalojnë filmat që i kemi bërë ne”, ka thënë bindshëm Qosja.