Monumenti i trashëgimisë kulturore, që daton prej antikitetit për t’u rindërtuar në mesjetë, përditë degradohet përderisa shkas është bërë kontesti pronësor për motelin e ndërtuar aty në vitet ’60 e ‘70 të shekullit të kaluar. Autoritetet lokale thonë së janë të gatshme të investojnë, por rasti me motelin mbetet pengesë
Kalaja e shekullit XVI në qendër të qytezës së Kaçanikut prej vitesh ka mbetur pa mirëmbajtje dhe pa përkujdesjen e institucioneve. Objekti që brenda Kalasë përveçse rrezikon të shembet shfrytëzohet edhe për dukuri negative. Është fjala për motelin e ndërtuar në vitet ’60 e ‘70 të shekullit të kaluar e që në vitet ‘80 u bë shenjë dalluese e Kaçanikut, por që vazhdon të mbetet në kontest gjyqësor ndërmjet Komunës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ekspertët konsiderojnë se edhe kur u ndërtua moteli cenoi Kalanë, e cila mbrohet si monument i trashëgimisë kulturore qysh prej vitit 2012 e që daton prej antikitetit për t’u rindërtuar në mesjetë. Sot kanë mbetur muri në perëndim dhe tjetri në veri, së bashku me portën hyrëse dhe kullën cilindrike.
Degradimi i Kalasë kaherë ka nxitur reagimin e shoqërisë civile dhe të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar nga institucionet lokale dhe qendrore të bëjnë investime për ta ruajtur trashëgiminë kulturore të kësaj qyteze. Por, pa rezultat deri më tash.
Në Komunën e Kaçanikut kanë thënë se disa herë kanë gjetur donatorë për të bërë investime në këtë Kala, mirëpo për shkak të kontestit me AKP-në nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Valon Raka, drejtor në organizatën për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, me kohë kishte theksuar se pavarësisht kontesteve ndërmjet institucioneve duhet të gjenden mundësitë për të bërë investime, siç është Kalaja e Prizrenit apo ajo e Tiranës.
“Ne vazhdimisht kemi diskutuar dhe kemi disa opsione se si mund të shfrytëzohet ky objekt, në rastin konkret e kemi Kalanë e Prizrenit ku është duke u bërë një punë e mirë dhe është në zhvillim e sipër, pastaj rast tjetër e kemi Kalanë e Tiranës. Kemi modele se si të mirëmbahet apo të menaxhohet një objekt i tillë, si të themi janë banale se për çfarë po përdorët sepse është lënë pas dore. Së pari dikush duhet të vendosë që ky objekt të vendosë që të jetë në mbrojte të institucioneve, të bëhet një plan i mirëfilltë dhe pastaj të bëhen investimet e duhura”, është vërejtja që ka tërhequr Raka.
KOHA është marrë me këtë çështje qysh në pranverë. Prej asaj kohe e deri më tash institucionet qendrore nuk kanë kthyer përgjigje.
Qytetarët janë krenarë me këtë objekt që gjendej në qendër të qytetit, i cili ka rëndësi të madhe për historinë e kësaj komune. Organizata që udhëheq Raka disa herë ka ndërmarrë hapa konkretë për ta pastruar ambientin brenda dhe jashtë objektit të Kalasë, mirëpo prapëseprapë gjendja është e mjerueshme. Pjesa e oborrit të Kalasë shfrytëzohet si parking, në anën tjetër ka shumë probleme që ndërlidhen me historikun e Kalasë.
“Jemi në dijeni për një kontest pronësor, mirëpo jemi të brengosur se si mundet një entitet që ta kontestojë pronësinë e një objekti që ka potencial të lartë zhvillimor. Pra, aktualisht objekti është i rrezikshëm dhe qytetarët nuk e preferojnë që të lëvizin afër këtij objekti për arsyeje se shkallët dhe i tërë objekti janë dëmtuar”, ka thënë Raka.
Edhe qytetarët kanë thënë se objekti po rrezikon të shembej, andaj institucionet lokale dhe qendrore duhet të angazhohen për ta mirëmbajtur atë.
“Për fat të keq Kalanë e kanë lënë nën mëshirën e askujt, sepse askush nuk kujdeset për atë. Është shkatërruar, është mbuluar me mbeturina dhe në vend që të ndërtohet apo të shfrytëzohet ajo është degraduar. Është shenjë e Kaçanikut, është në qendër të Kaçanikut dhe për këtë arsyeje është e papranueshme që kjo të jetë kështu. Pra, gjendja e saj teknike po i rrezikon qytetarët sepse ajo dita-ditës mund të rrëzohet shkaku se është degraduar mjaft shumë dhe po shfrytëzohet për dukuri negative”, ka thënë qytetari Remzi.
Nexhat Shahini, drejtor i Qendrës për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës për regjionin e Ferizajt, kohë më parë kishte thënë se MKRS-ja është e gatshme të bëjë investime nëse Komuna dhe AKP-ja e zgjidhin problemin e kontestit pronësor. Kishte shpjeguar se disa vjet më parë Ministria, Komuna dhe një organizatë patën bërë disa investime në muret e Kalasë së Kaçanikut.
“Kjo Kala në Kaçanik është e ndërtuar në fund të shekullit XV dhe në fillim të shekullit XVI. Pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së Ministrisë së Kulturës për të investuar në këtë monument, Komuna e Kaçanikut e ka një kontest gjyqësor me AKP-në për të cilën më duket se është jo normale, pasi që prona është publike ndërkaq objekti i AKP-së pra është diçka e çuditshme. Mirëpo, ne po i presim rezultatet finale dhe sido që të rrjedhë ky proces atëherë Ministria e Kulturës është e gatshme që ta marrë sërish investimin në këtë Kala për ta ruajtur gjendjen e saj dhe për ta prezantuar rëndësinë e kësaj Kalaje”, ka thënë midis të tjerash Shahini.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, kishte rikonfirmuar se Komuna ka gjetur disa donatorë për të bërë investime në këtë Kala, mirëpo për shkak të një kontesti pronësor me AKP-në nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“E dimë se në shkallën e parë të gjykatës ka qenë në favor të Komunës së Kaçanikut dhe në shkallën e dytë pas ankesave që janë bërë nga AKP-ja është rikthyer në shkallën e parë dhe për momentin jemi në këtë gjendje. Është e vërtetë se prona figuron si pronë komunale, mirëpo objekti i ndërtuar mbi Kala, që ka qenë moteli me të cilin është identifikuar edhe Kaçaniku në vitet ’80, ata pretendojnë të marrin pronësinë e kësaj hapësire”, ka thënë Ilazi.
Sipas tij, një kontest të tillë me AKP-në Komuna e ka pasur edhe te një objekt tjetër i fabrikës “Sanitex”, të cilën Komuna e ka fituar për shkak se prona është komunale.

Agjencia Kosovare e Privatizimit nëpërmjet përgjigjes me shkrim pati sqaruar se kontesti ka të bëjë me pronën e cila gjendet në vendin e quajtur “Motel”, e evidentuar në fletën poseduese nr. 86 ZK në Kaçanik të ngastrës kadastrale nr.568/2 dhe objektit të ndërtuar në këtë ngastër kadastrale në sipërfaqe të përgjithshme prej 7668 metrash katrorë, prej të cilave hotel-objekti 620 metra katrorë me oborr 7048 metra katrorë figurojnë në emër të Kuvendit Komunal të Kaçanikut.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ushtruar padi për vërtetimin e pronësisë në Gjykatën Themelore Ferizaj - Dega në Kaçanik, Gjykata Themelore Ferizaj - Dega në Kaçanik, me aktgjykimin e datës 4.5.2012, të shpallur më 15.5.2015, REFUZON kërkesëpadinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit si të pabazuar ndaj të cilës Agjencia Kosovare e Privatizimit brenda afatit të paraparë ligjor ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës duke aprovuar ankesën e AKP-së si të themeltë dhe çështjen e kthen në rivendosje në të njëjtën gjykatë (AC.nr.2253/15)”, ishte përgjigjja e AKP-së ku konfirmohej se lënda gjendet në rivendosje në Gjykatën Themelore në Ferizaj - Dega në Kaçanik”.
Deri majin e sivjetmë AKP-ja nuk kishte pranuar asnjë shkresë zyrtare lidhur me ndonjë planifikim për investime në këtë parcelë.
“AKP si gjithmonë është e hapur të bashkëpunojë me komunat dhe institucionet qendrore rreth planifikimeve të tyre edhe në pronat dhe asetet e ish-ndërmarrjeve shoqërore duke respektuar mandatin e tij ligjor si e besueshmja e pronës shoqërore”, thuhej në përgjigjen e AKP-së.